“Veprat e tij do t’i kujtojnë gjithnjë botës atë çfarë komunizmi ishte për…”- Kadare: Librat e Kunderës, betejë e përjetshme e njeriut me sistemin

Mar 23, 2021 | 10:21
SHPËRNDAJE

“Librat e tij janë një betejë e përjetshme e njeriut me sistemin”, kështu shprehet shkrimtari Ismail Kadare, me rastin e datës së lindjes së shkrimtarit çek, Milan Kundera.

kadare2

Në kuadër të Pranverës së Frankofonisë dhe në prag të ditës së tij të lindjes, Ambasada e Çekisë në Tiranë organizoi një takim për ndikimin që vepra e Milan Kunderës ka në botë.

Në aktivitetin e moderuar nga ambasadori çek, Jaroslav Ludva, morën pjesë regjisori dhe përkthyesi Pirro Milkani, përkthyeset e shkrimtarit në gjuhën shqipe: Mirela Kumbaro, Mira Meksi dhe Saverina Pasho, Drejtorja e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, Alda Bardhyli, si edhe përfaqësuesja e shtëpisë botuese “Dituria”, Kristiana Golemi, e cila ka të drejtën e botimit të autorit në gjuhën shqipe.

“Një shkrimtar universal”, do ta quante Kumbaro, e cila sapo ka sjellë për lexuesin shqiptar veprën “Ngadalësia” pas “Shakasë” dhe “Mosdijes”. “E gjithë letërsia e Kunderës ravijëzon një peizazh të jashtëzakonshëm ndjesish dhe ngjarjesh të transformimit njerëzor, ku mahnitja nga e zakonshmja bën thelbin e rrëfimit”, tha Bardhyli.

Takimi u përshëndet dhe nga shkrimtari i madh Ismail Kadare përmes një letre të shkurtër: “Milan Kundera është një shkrimtar i madh i këtij shekulli. Jemi takuar disa herë në Paris, duke ndarë biseda për letërsinë.

Shpirti i kulturës çeke ravijëzohet më së miri në veprat e tij, që do t’i kujtojnë gjithnjë botës atë çfarë komunizmi ishte për vendet që e jetuan atë. Librat e tij janë një betejë e përjetshme e njeriut me sistemin, një përshkrim i asaj çfarë totalitarizmi ishte për shumë vende në shekullin e 19”, shkruante Kadare, duke i uruar jetë të gjatë shkrimtarit.

Milan Kundera, lindur më 1 prill të 1929 në Brno, Çeki. Jeton që prej vitit 1975 në Francë.

Është autor i shumë veprave, mes të cilave “Shakaja”, “Identiteti”, “Lehtësia e padurueshme e qenies”. Librat e tij u ndaluan nga regjimi komunist në Çekosllovaki, deri në rënien e tij nga revolucioni “Velvet” në vitin 1989.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura