Vepra prej inoksi në vend të shatërvanit shekullor. Investim mbi 100 mijë euro, mbaron në prill

Mar 6, 2015 | 12:46
SHPËRNDAJE

Një vepër me konstrukt inoksi do të zëvendësojë shatërvanin në sheshin “Liria” në Durrës.

Ish-shatërvani që mbretëroi për 85 vite sheshin në qendër të qytetit bregdetar, do të zëvendësohet nga një vepër arti me strukturë inoksi, rreth 230 metra linear, e cila vjen në formë gjarpëruese nga godina e Bashkisë deri te shkallët e pallatit të kulturës “Aleksandër Moisiu”.

Burime nga Bashkia e Durrësit shprehen se kjo strukturë është vizatuar enkas për këtë shesh me pllaka inoksi, me formë dhe gjatësi që u përshtatet elementëve të tjerë sipërfaqësorë që dekorojnë sheshin, si: stola, pemë dekorative dhe dy pasqyrave ujore, të cilat janë të vendosura në qendër.

Në të gjithë gjatësinë e zhvillimit linear të saj, struktura përshtatet me relievin e sheshit. E gjithë struktura ka një gjatësi rreth 230 metra linear, me xham spesor 4 mm mbi dyshemenë e mbaruar me gurë trani. Ajo bën një ngritje vertikale në hapësirën përpara Pallatit të Kulturës në një lartësi deri në 3.5 m, ku ndryshon dhe në spesor deri në 300 mm.
 

Faza e dytë e sheshit “Liria” në detajet e rifiniturës është e “pasuruar” mbi shtresën e pllakës së gurit, tani me një veshje inoksi që gjarpëron përgjatë hapë- sirës nga godina e Bashkisë deri në shkallaren e pallatit të kulturës “Aleksandër Moisiu”. Kjo vepër arti kap koston fillestare 13.997.000 lekë (mbi 100 mijë euro), investim nga të ardhurat e Bashkisë. Prej disa muajsh ka nisur faza e dytë e punimeve për rikualifikimin e sheshit “Liria” në qendër të qytetit të Durrësit.

Qendra e qytetit është kthyer në një kantier ndërtimi dhe, si pasojë, prej muajsh krijoi anomali në qytet sidomos në trafik, pasi u bllokuan të dyja rrugët.

Punimet për fazën e dytë të këtij projekti nisën në mesin e muajit shtator të vitit të kaluar dhe pritet të përfundojnë brenda muajit prill. Projekti parashikoi edhe largimin e shatërvanit, veprim i cili është kundërshtuar prej qytetarëve.

Leonidha Musaj 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura