VENDIMI/ Si do të ndalohet importi i makinave para 2010. Klosi: Nga 1 janari, makinat mbi 10 vjet…

Sep 23, 2018 | 18:05
SHPËRNDAJE

DORINA AZO/ Pas 1 janarit 2019 në vend do të lejohen të importohen vetëm mjete të përdorura që plotësojnë standardet “Euro 5” të shkarkimeve në ajër.  Çdo qytetar që do të blejë një makinë jashtë vendit, në dogana do t’i zhdoganohet vetëm nëse është e prodhuar në vitin 2010, që i përket edhe standardit “Euro 5”. Në rast se makina është e prodhuar para 2010-s dhe i përket standardit “Euro 4” nuk do të lejohet zhdoganimi. Ministri i Mjedisit dhe Turizmit, Blendi Klosi, dje në “Dita pa makina” në një takim me grupet e interesit prezantoi projektvendimin e qeverisë. Ministri Klosi tha se hyrja në fuqi e projektvendimit të ri, nuk do të lejojë importin e makinave mbi 10 vjet prodhim. Ministri tha se nga ky vendim nuk preken makinat e vjetra që janë në qarkullim, por do t’u jepet kohë të përshtaten me normat e reja të shkarkimeve në ajër. Gazeta boton tabelën zyrtare sipas vitit të prodhimit të makinave të ndarë në standardin “Euro”, në mënyrë që çdo qytetar ta ketë të qartë për rastet kur do të lejohet apo ndalohet importi.

trafik-c1200x600

 

VENDIMI

Ministri Klosi sqaroi se projektvendimi nuk prek makinat e përdorura mbi 10 vjet prodhim që janë aktualisht në qarkullim, por kufizon futjen e makinave të tilla pas 1 janarit 2019. Ministri Klosi shpjegoi se ashtu si në vendet e rajonit dhe të BE-së, në vend do të lejohen të importohen vetëm makina të standardit “Euro 5”. “Ky është një vendim që kërkon ta fusë edhe Shqipërinë në vendet normale. Ka kufizim Kosova prej disa vitesh për të mos futur makina më të vjetra se 10 vjet, kanë po të njëjtin kufizim të gjitha vendet e rajonit. Në vendet e BE-së nuk targohen më makinat, të cilat nuk janë më me standardin ‘Euro 6’.

klosi

Sot në të gjithë BE nuk lejohen të targohen si në Shqipëri makina të standardeve ‘Euro 1’, ‘Euro 2, 3 dhe 4’, të cilat ne duhet t’i kufizojmë dhe të krijojmë regjistrimin ndryshimin e standardeve me ‘Euro 5 dhe 6’ për të pasur mundësinë që edhe këtu të ketë botën e makinave të standardizuar. Është një vendim që ne do të vazhdojmë ta diskutojmë me të gjithë komunitetin, duam ta ndajmë dhe debatojmë me sa më shumë aktorë dhe faktorë, por është një vendim që ne tashmë e kemi marrë. Makinat e vjetra, të përdorura, më të vjetra se 10 vjet nuk do të lejohen të futen në Shqipëri që nga hyrja në fuqi e këtij vendimi”, u shpreh ministri.

ARSYET E NDALIMIT TË IMPORTIT

Ministri Klosi sqaroi se arsyeja e marrjes së vendimit është ndotja e ambientit dhe për të shmangur futjen e makinave për skrap në Shqipëri. “Problematikat e sëmundjeve vetëm në vitet e fundit në vendin tonë, që vijnë nga ndotja e ajrit, nga makinat janë shtuar. Në vendin tonë, nga viti 2012 në 2015, nga Organizata Botërore e Shëndetësisë ne kemi 23% më shumë sëmundje të njerëzve nga ndotja.

Po ashtu, në bazë të statistikave që janë tashmë të njohura nga të gjithë, një makinë e cila ka kaluar 10- vjeçarin, shkon 15-20 vjet, aq sa, fatkeqësisht është mosha mesatare e të gjithë parkut të makinave që janë në vendin tonë, 20 vjet është një normë që nuk e ka asnjë vend i Europës, ne jemi në makinat që ndotin 3 herë më shumë se një makinë normale. Po të flasim, përsa i përket se ne mendojmë që është për njerëzit e thjeshtë që nuk kanë mundësi ekonomike, është se duke marrë një makinë mbi 15 vjet që nuk i mbetet më shumë se 2-3 vjet për të qenë në funksion, atëherë ky qytetar merr një makinë me një vlerë të caktuar, të cilën pas 2-3 vjetësh i takon që ta hedhë për skrap dhe, fatkeqësisht, në parkun e makinave sot ekzistojnë rreth 550 mijë makina, nga të cilat një numër i konsiderueshëm i tyre janë futur në Shqipëri vetëm për t’u transformuar në skrap”, u shpreh ministri.

Si do veprohet me 60 mijë makinat e zhdoganuara

Makinat e vjetra, që janë në qarkullim, nuk preken nga vendimi i ri i qeverisë, që do të ndalojë importin e makinave para 2010-s. Ministri i mjedisit Klosi sqaroi se aktualisht janë zhdoganuar 60 mijë makina të vjetra, të cilave do t’u jepen 5 muaj afat për vendosjen e targave. “Po ashtu në dakordësi më komunitetin kemi përcaktuar një periudhë 5-mujore, për të cilën do të lejohet që makinat që janë futur sot në Shqipëri të targohen.

Dhe nuk është një numër vogël, por janë 60 mijë makina që kanë hyrë në Shqipëri dhe në bazë të informacionit që vjen nga Drejtoria e Transporteve, kanë hyrë në Shqipëri, janë zhdoganuar, por nuk janë targuar dhe të lihet një periudhë 5-mujore për t’u bërë ky targim dhe 5 muaj nga hyrja në fuqi e këtij projektvendimi, as targimi nuk do të lejohet më, pra, do të kemi një kufizim të plotë të makinave të përdorura më shumë se 10 vjet”, u shpreh Klosi. Ministri përsëriti edhe një herë se vendimi nuk penalizon makinat e vjetra që janë në qarkullim.

Vendimi parashikon që atyre do t’u jepet kohë të modifikohen me standardet “Euro 3”. “Dhe për ta sqaruar edhe njëherë për njerëzit që duan të dëgjojnë dhe të kuptojnë nga ky veprim, nuk do të kërkojmë heqjen e makinave që janë sot në qarkullim, por do të kërkojmë kufizimin e futjes së makinave të reja të përdorura më të vjetra se 10 vjet, duke mos i shqetësuar njerëzit e tjerë që i kanë, por duke i kërkuar që të gjithëve që të kenë një orientim më të drejtë, një kuptim më të pastër të gjithë kësaj filozofie, një kuptim edhe për njerëzit e thjeshtë, pra, e gjithë vëmendja është te njerëzit e thjeshtë, që nuk do të duhet më të manipulohen nga një politikë që ne vazhdojmë të mendojmë se është politika e dyerve të hapura, e dyerve të shqyera e një ekonomie pa asnjë rregull, por ka ardhur koha që të vihen disa rregulla, të cilat sigurojnë, siç ju thashë, 3 gjëra shumë të mëdha: e para, shëndetin e qytetarëve; e dyta, të sigurohen njerëzit që të mos manipulohen për të konsumuar të ardhurat e tyre të kufizuara për të shkuar drejt një sistemi, i cili i gënjen dhe i manipulon”, tha Klosi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura