Vendimi i plotë që pezulloi Çakon, ja pse pajisja kryen edhe proces përgjimi

Jun 11, 2016 | 9:16
SHPËRNDAJE

Zbardhet vendimi i gjyqtarit Arjan Aliaj, që pezulloi nga detyra Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Haki Çako. Në vendim, Aliaj ka përdorur disa argumente, referuar edhe materialit të Prokurorisë, që e kanë bindur për të dhënë vendimin.

Haki Cako

Argumentet e vendimit të Gjykatës nisin që me shkresën e parë që Haki Çako i ka dërguar Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla, ku jepte sqarime për aparaturën “IMSI Catcher”, më datë 9 maj të këtij viti.

Shkresë që në vendim konsiderohet lakonike, pasi konfirmon vetëm tri pika. Që në Shqipëri ka hyrë një aparaturë e quajtur “IMSI Catcher”, që është sjellë nga specialistët e Policisë italiane për trajnim dhe që shërben për identifikimin e numrave IMEI, por jo për të përgjuar.

Si argumente të tjera të përdorura në vendimin e gjyqtarit Arjan Aliaj, janë edhe dyshimet se Çako fsheh realitetin dhe që nuk ka kryer detyrën e tij, duke mos krijuar një panoramë të plotë për ngjarjen.

Sipas vendimit të Gjykatës, duke pretenduar në mënyrë konsekuente se aparatura nuk është përdorur në asnjë moment nga shtetas shqiptarë, Çako tregon se ka një inkoherencë të plotë me realitetin, pasi janë verifikuar të paktën dy raste, kur makina që kishte pajisjen ka qenë në posedim nga Entiol Xhelilaj.

Duke përdorur si argument deklarimet e Çakos se nuk ka për detyrë hulumtimin doganor, Gjykata vëren se në këtë formë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë shprehet i painteresuar në ushtrimin e detyrës.

Më poshtë argumentet e vendimit të plotë të Gjykatës së Tiranës, marrë nga gjyqtari Arjan Aliaj, më 6 qershor.

Nga shqyrtimi gjyqësor rezultoi se shtetasi Haki Çako mban detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Ndikimi dhe marrëdhënia e tij në lidhje me çështjen hetimore nga pikëpamja dokumentare ka filluar në datën 09.05.2016, kur ka nënshkruar shkresën me numër protokolli 581.

Në këtë shkresë ky shtetas në funksion të detyrës së tij jep sqarime për Prokurorin e Përgjithshëm në lidhje me aparaturën “IMSI CATCHER”. Kjo shkresë është lakonike dhe konfirmon vetëm tri pika.

a) Në Republikën e Shqipërisë ka hyrë një aparaturë e quajtur “IMSI CATCHER”.

b) Kjo aparaturë është sjellë nga specialistë të policisë italiane në kuadër të bashkëpunimeve me policinë shqiptare për trajnimin e kësaj të fundit.

c) Pajisja shërben për të identifikuar numrat IMSE dhe nuk shërben për përgjim.

Momenti i dytë është shkresa me numër protokolli 581/ 3, e datës 13.05.2016. Në këtë shkresë përcaktohet se gjatë gjithë kohës pajisja është disponuar nga partnerët italianë. Nga krahasimi i dy shkresave rezulton se në një periudhë katërditore, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë nuk ka kryer asnjë verifikim të situatës reale duke ngritur dyshimin se fsheh realitetin e konsumuar në terren deri në këtë datë.

Në datën 17 maj 2016, ky shtetas ka dhënë deklarime rreth dijenisë së tij për këtë ngjarje nga ku vërehet se ka shtuar faktin se kjo pajisje është në gjendje të identifikojë numrin IMEI të çdo aparati telefonik. Gjithashtu, ai deklaron se Policia e Shtetit Shqiptar dhe partnerët e saj nuk ofrojnë trajnime në kundërshtim me legjislacionin shqiptar.

Në këtë deklarim, megjithëse kishin kaluar tetë ditë nga shkresa e tij e parë për sqarimin e situatës, ai shprehet se nuk ka asnjë dijeni për regjimin doganor të hyrjes së pajisjes. Është e qartë që nuk e ka kryer detyrën e tij, pasi në hapësirën kohore duhej të kishte krijuar panoramën e plotë të ngjarjes. Këto pretendime dhe dyshime bazohen në faktet e mëposhtme:

1. Përcaktimin se aparatura është në gjendje të evidentojë dhe numrat IMEI të aparateve telefonike duhej ta përcaktonte që në shkresën e datës 09.05.2016, pasi administrimi i numrave IMEI është një pjesë e mirëfilltë e procesit të përgjimit.

2. OPGJ të Prokurorisë Tiranë kanë hyrë në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Shtetit në datën 13.05.2016 midis orës 11:45 dhe 12:00 (ka edhe foto). Në këto ambiente nuk gjendej shtetasi Haki Çako dhe OPGJ-të kanë vijuar të prisnin ardhjen e tij.

Në orën 12:00, nga këqyrja e librit të hyrje-daljeve në ambientet e FPO-së, automjeti që mbartte pajisjen ka dalë nga këto ambiente nën drejtimin e shtetasit shqiptar Entiol Xhelilaj, pra rreth 10 minuta pasi OPGJ-të ishin paraqitur në DP të Policisë me vendimin për sekuestrimin e kësaj pajisjeje. Nga krahasimi i periudhës para datës 12 maj 2016 dhe pas kësaj date, është e qartë se për anëtarët e Policisë së Shtetit dhe pjesëtarët e grupit trajnues ka ndodhur diçka thelbësore, pasi automjeti në periudhën para kësaj date rrinte shumicën dërrmuese të kohës brenda ambienteve të FPO-së dhe pas kësaj date ka dalë për të mos u kthyer më. Ka dyshime që hapësira kohore prej gjysmë ore ka shërbyer për të bërë të pamundur sekuestrimin e aparatit.

3. Shtetasi Haki Çako pretendon në formë konsekuente se aparatura nuk është përdorur në asnjë moment nga shtetas shqiptarë, por nga këqyrja e librit të hyrje-daljeve në FPO dhe nga pyetja e specialistëve të mbajtjes së librit rezulton se, të paktën në dy raste, automjeti ka qenë në posedim të shtetasit shqiptar Entiol Xhelilaj, i vetëm. Pra, shtetasi Haki Çako tregon se ka një inkoherencë të plotë me realitetin.

4. Bazuar në marrëveshjen dypalëshe të datës 19 qershor 2007 rezultoi se palë për zbatimin e marrëveshjes janë, nga njëra anë, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit për Republikën e Shqipërisë dhe, nga ana tjetër, Departamenti i Sigurisë Publike për Republikën e Italisë.

Neni 8/3 fjalia 2 ngarkon palën shqiptare që, pavarësisht imunitetit që gëzojnë anëtarët italianë të Zyrës INTERFORCE, pala shqiptare të njoftojë Zyrën italiane INTERFORCE nëse ka mendimin që një ose disa anëtarë të kësaj zyre kanë kryer një krim të evidentuar jo në flagrancë. I ngarkuar me këtë detyrë, shtetasi Haki Çako, jo vetëm që nuk e ka njoftuar Zyrën italiane INTERFORCE, por as nuk ka kryer verifikimet minimale në lidhje me veprimet e kryera pranë zyrave doganore të shtetasve italianë që futën në Republikën e Shqipërisë aparatin objekt hetimi.

Sikurse u tha më sipër, edhe tetë ditë pas shkresës së tij të parë, shtetasi Haki Çako shprehet se nuk ka për detyrë të dijë apo të hulumtojë regjimin doganor të pajisjes ndërkohë që marrëveshja dypalëshe e ngarkon me detyrën e evidentimit të krimeve (nëse do të rezultojnë të tilla) të kryera nga anëtarët e palës tjetër gjatë ekzekutimit të veprimeve dypalëshe. Në rastin konkret, punonjësit italianë që kanë bërë të mundur futjen e aparaturës në territorin e Republikës së Shqipërisë nuk kanë deklaruar ekzistencën e pajisjes në pikën doganore dhe nuk i kanë dhënë regjimin e përkohshëm doganor pajisjes sipas detyrimeve të VKM Nr. 205, datë 13.04.1999, nenet 350/d/e, ku përcaktohet detyrimi se pajisjet, mallrat që do të shërbejnë në territorin e Republikës së Shqipërisë për një demonstrim, sikurse është rasti konkret, regjistrohen dhe marrin regjimin e ndërmjetëm doganor.

Pra, shtetasi Haki Çako shprehet i çinteresuar në ushtrimin e detyrës së tij që ia ngarkon marrëveshja dypalëshe.

5. Ky shtetas merr përsipër me përgjegjësinë e tij, pa kryer asnjë hulumtim të natyrës speciale apo administrative se, gjatë veprimtarisë së përdorimit të aparatit “IMSI CATCHER” nuk është kryer asnjë veprim i jashtëligjshëm.

Nga hetimi ka rezultuar se aparati konkret funksionon duke u sjellë si një antenë e rrjetit telefonik Mobile dhe duke marrë rolin e antenës ligjore. Antena e gënjeshtërt emeton një sinjal më të fortë se antena ligjore dhe kësisoj shkakton devijimin e komunikimit të aparateve fundore nga antena ligjore tek antena e gënjeshtërt. Kjo gjë bie ndesh me detyrimet e Ligjit Nr. 9918, neni 123/2.

Nga hetimi ka rezultuar se gjatë seksioneve të praktikës është ndërhyrë disa herë në segmentin aparat fundor – antenë ligjore. Në hapësirën kohore të këtij veprimi dyshohet se antena ligjore nuk regjistron aparatet fundore që tentojnë të lidhen me të. Nëse kjo gjë ndodh, shkelen detyrimet e Ligjit Nr. 9918, neni 101, pasi dyshohet se krijohet një database jo e plotë e fondit arkivor të shoqërive telefonike.

Shoqëritë telefonike kanë detyrim ligjor të krijojnë një fond arkivor për dy vitet e fundit të komunikimeve ndërmjet tyre. Në rastin konkret, fondet arkivore dyshohet se nuk do të jenë të sakta, pasi nuk do të kenë të regjistruara devijimet e kryera tek antena e gënjeshtërt. Çdo subjekt me interesa ligjore nuk do të ketë në dispozicion të vërtetën e komunikimeve.

Në këto kushte është e qartë që shtetasi Haki Çako nuk ka shprehur të vërtetën e plotë në qëndrimet shkresore të tij apo në deklarimet procedurale. Nëse kjo gjë ka ndodhur nga neglizhenca ose paaftësia apo ka ndodhur me dashje, kjo gjë duhet të përcaktohet nga hetimi në vijim.

Fakt është që Haki Çako paraqitet i çinteresuar për ushtrimin e detyrës së tij në të kuptuarin e plotë dhe në detaje të asaj që kishte ndodhur dy muajt e fundit me pajisjen dhe limitet e saj, tashmë që çështja ishte në vëmendjen e tij të plotë. Për të vijuar hetimin në mënyrë efektive, shtetasi Haki Çako nuk duhet të vijojë të mbajë detyrën e Drejtorit të Policisë së Shtetit, pasi ndikon mbi institucionin dhe vartësit e tij.

6. Me detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë duhej të kujdesej që një trajnim i tillë, me këto parametra, të kryhej nën regjimin e lejuar të DSIK-së sipas VKM-së Nr. 701, datë 22.10.2014, nenet 1, 2, 3/c, 4 dhe 16.

Është e qartë se DP e Policisë së Shtetit duhej të pajiste çdo anëtar me certifikatë të DSIK-së.

7. Ligjit Nr. 9157, datë 04.12.2003, vendos si organ suprem të procedurave të përgjimit Prokurorin e Përgjithshëm. Kjo aparaturë zotëron, edhe vetëm sipas përshkrimeve të të pyeturve, disa prej proceseve të përgjimit. Kështu, kryesori është administrimi i IMEI, e dhënë e cila është cilësuar si personale dhe jo e administruar nga shteti apriori. Është e vërtetë që vetëm pasja e nr.

IMEI, pa u lidhur me emrin konkret të shtetasit që e posedon, nuk shkakton përgjim në vijim, por që trajtimi të kishte trajtë transparente për tema të tilla delikate dhe për të shmangur çdo mundësi që individë apo grupe individësh të mund të shkojnë më tej me eksesin e tyre, autoriteti konkret shqiptar DP e Policisë së Shtetit duhej të ishte konsultuar paraprakisht për përdorimin e kësaj pajisjeje me Prokurorin e Përgjithshëm si autoriteti qendror dhe i vetëm i përgjimit me DSIK dhe me AKEP, në mënyrë që qëndrimi i kësaj pajisjeje në territorin e Republikës së Shqipërisë të kishte përkufizim ligjor dhe transparent për qëllimet e përdorimit dhe mundësitë teknike të tij. Gjykata vëren se, “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” është një masë sigurimi ndaluese e parashikuar nga neni 242 i Kodit të Procedurës Penale. Kushtet dhe kriteret për vendosjen e masave të sigurimit personal janë të parashikuara nga nenet 228 dhe 229 të Kodit të Procedurës Penale. Sipas nenit 228 të Kodit të Procedurës Penale, kushtet për caktimin e masave të sigurimit personal janë:

• ekziston në ngarkim të të pandehurit ose personit nën hetim një dyshim i arsyeshëm, i bazuar në prova – kusht themelor; dhe një nga tre kushtet e mëposhtme: • ekzistenca e një shkaku të rëndësishëm që vë në rrezik marrjen ose vërtetësinë e provës; • fakti se i pandehuri është larguar ose ekziston rreziku që ai të largohet: • për shkak të rrethanave të faktit dhe të personalitetit të të pandehurit ka rrezik që ai të kryejë krime të rënda ose të të njëjtit lloj me atë për të cilin procedohet.

Ndërsa, në nenin 229 të Kodit të Procedurës Penale parashikohen kriteret për caktimin e masave të sigurimit. Gjykata mban parasysh këto kritere, në mënyrë që të caktojë një masë sigurimi, e cila të jetë e përshtatshme me shkallën e nevojave të sigurimit, rrezikshmërinë e veprës dhe të pandehurit, vazhdimësinë, përsëritjen, si dhe rrethanat lehtësuese apo rënduese për çdo rast konkret.

Gjykata çmon se ndaj personit nën hetim, Haki Çako, duhet marrë masa e sigurimit ndaluese “Pezullim nga detyra si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, por edhe nga çdo detyrë tjetër publike apo shtetërore deri në përfundim të hetimeve”, duke vlerësuar se është në përshtatje me nevojat e sigurimit, dhe rëndësinë e faktit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura