Sot vendimi/ Pensionistët, dy skemat e qeverisë për shpërblimin

Dec 23, 2015 | 8:20
SHPËRNDAJE

Brenda muajit dhjetor, rreth 600 mijë pensionistë në të gjithë vendin do të tërheqin shpërblimet për festat e fundvitit. Qeveria miraton sot vendimin për ndarjen e shpërblimeve, ku në fuqi mbetet skema e vitit të kaluar.

PensionetGrupi i punës në Ministrinë e Financave ka llogaritur fondet për përfitim shpërblimi në masën 3 mijë lekë për pensionistët kryefamiljarë dhe 2 mijë lekë për pensionistët e tjerë.

Edhe për këtë vit, masa e shpërblimit është llogaritur mbi kushtin e të qenit familjar apo jo. Një tjetër variant i diskutuar nga grupi i punës te Financat ka qenë dhënia e shpërblimit në masën 2 mijë lekë për të gjithë pensionistët.

Qeveria do të ketë në dorë disa propozime, por llogaritjet e Financave janë bërë mbi skemën e vjetshme. Fondi i kontigjencës do të përdoret nga qeveria për shpërblimet e pensionistëve.

Përfitues do të jenë rreth 600 mijë pensionistë në të gjithë vendin. Sipas ndarjes, 88 mijë familje pensionistësh do të përfitojnë 5 mijë lekë shpërblim, ku 3 mijë lekë përfiton kryefamiljari dhe 2 mijë lekë përfiton bashkëshortja e tij.

Edhe në rastet kur kryefamiljari jeton i vetëm, masa e shpërblimit do të jetë 3 mijë lekë. Kjo kategori merr edhe 640 lekë kompensim për energjinë elektrike, e cila u shpërndahet prej vitesh.

Për pensionistët e tjerë, masa e shpërblimit llogaritet në vlerën 2 mijë lekë. Përfitues të kësaj mase shpërblimi janë pensionistët që marrin pension urban, invaliditeti dhe familjar. Është dhe kategoria tjetër përfituese, ajo e pensionistëve që marrin pension fshati, apo pensione të parakohshme vjetërsie, ish-minatorët.

Në skemë janë përcaktuar që ish-të përndjekurit mbi 65 vjeç dhe veteranët e luftës të shpërblehen për festat e fundvitit me 5 mijë lekë shpërblim. Një tjetër kategori përfituese do të jenë edhe personat me aftësi të kufizuara.

Masa e shpërblimit për këtë kategori do të jetë 3 mijë lekë. Shpërndarja e shpërblimeve do të kryhet nëpërmjet sporteleve të postës, ku edhe tërhiqet pensioni. Shpërblimet për administratën do të jenë në bazë të performancës së punës.

Pjesë e grupit të punës së Financave për gjetjen e fondeve ka qenë edhe përfaqësues të Ministrisë të Mirëqenies Sociale dhe Ministrisë së Ekonomisë. Tashmë qeveria ka miratuar vendimin për shpërblimet e policëve, por ende nuk dihet a do të ketë shpërblime për mësuesit dhe mjekët.

Në skemën e vjetshme, qeveria përfshiu në shpërblime, krahas policëve shembullorë, edhe arsimtarët e 10 shkollave më të mira në vend.

E njëjta skemë u zbatua edhe për shërbimin shëndetësor, duke iu shpërndarë 400 mijë lekë shpërblim për individ, për 3 shërbimet më të mira shëndetësore. Skema e shpërblimeve sipas rezultateve të institucioneve, lë jashtë përfitimit një numër të konsiderueshëm punonjësish.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura