Vendimi/ Padia e Ramës, Gjykata e Lartë: Pse u dënua për shpifje Ristani

Mar 5, 2016 | 14:34
SHPËRNDAJE

Gjykata e Lartë zbardhi arsyetimin e vendimit, me të cilin shpalli fajtor dhe dënoi me 200 mijë lekë gjobë deputetin Arben Ristani.

Edi Rama dhe Arben Ristani
Edi Rama dhe Arben Ristani

I zgjedhuri demokrat u akuzua për “shpifje” ndaj Kryeministrit të vendit, Edi Rama. Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Ristani, u padit nga Kryeministri për shkak të disa deklaratave të bëra nga foltorja e selisë së PD-së në javën e parë të janarit 2015. Në këto deklarata publike, Ristani pohonte se Rama u kishte ofruar siguri dhe favore bandave kriminale.

Në vendimin e zbardhur, një kopje e të cilit u sigurua nga gazeta, Kolegji Penal i kryesuar nga gjyqtarja Evelina Qirjako vlerëson se deklaratat e deputetit Ristani kanë qenë të pabazuara dhe kanë pasur si qëllim denigrimin e personalitetit Kryeministrit.

ARGUMENTET

Në vendimin e Gjykatës së Lartë thuhet se në deklaratat për të cilat është paditur, i akuzuari Ristani ka përdorur në drejtim të Kryeministrit Rama shprehje si “u jep garanci”, “lidhjet organike që ti ke me këtë bandë” etj.

Sipas Gjykatës, nga mënyra si janë thënë këto shprehje, të lënë të nënkuptosh që flitet për gjëra konkrete, të vërteta, të provuara, duke mos lënë asnjë mundësi për publikun që të mendojë të kundërtën dhe të bëjë vlerësimin e tij.

“Thënie të tilla, kur ato rezultojnë të pavërteta, të paprovuara dhe të pabazuara janë plotësisht cenuese, pasi një njeri me mendje të arsyeshme nuk mund të bëjë deklarime të tilla, pa i verifikuar ato më parë. Është e vërtetë që i akuzuari, në cilësinë e politikanit, ka lirinë e shprehjes së opinioneve dhe gjykimeve, madje duke lejuar deri diku dhe ndonjë tepri, por kurrsesi ato nuk mund të quhen dhe konsiderohen të tilla, për sa kohë deklaratat nuk kanë asnjë bazë faktike dhe rezultuan në këtë gjykim tërësisht të paprovuara”, arsyetonte Gjykata.

Faksimilie e arsyetimit
Faksimilie e arsyetimit

Sipas Kolegjit Penal, provat e paraqitura në gjykim nga i akuzuar Ristani nuk paraqitën asnjë bazë besueshmërie dhe provueshmërie për deklaratat e tij. “Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë vlerëson se përhapja e thënieve dhe informacionit të rreme të shprehura në deklaratat e sipërcituara, cenojnë rëndë nderin dhe dinjitetin e të dëmtuarit akuzues. Deklarimet e të akuzuarit nuk luajnë një rol informues, pasi ato nuk kanë lidhje me rolin që kryen opozita në këtë vend; ato nuk janë opinione të përgjithshme, të cilat mund të lidhen me situatën e rendit në vend apo punën e qeverisë në këtë drejtim. Deklarimet e përmendura në vendim pasqyrojnë situata të pavërteta, të cilat nga i akuzuari merren të mirëqena pa asnjë diskutim, që, sipas tij, provojnë faktin që ekziston një marrëveshje kriminale midis të dëmtuarit akuzues dhe shtetasit Emiliano Shullazi.

“Bërja e deklaratave të tilla në emër të lirisë së shprehjes ose të të bërit opozitë, vlerësohen nga ky trup gjykues se nuk janë gjë tjetër veçse fakte konkrete të trajtuara si të vërteta nga ana e të akuzuarit, të cilat kanë pasur si qëllim denigrimin e figurës së të dëmtuarit akuzues, si dhe cenimin e nderit dhe të reputacionit të tij. I akuzuari mbart të gjithë kapacitetin intelektual e profesional (në profesion është jurist), për të kuptuar peshën e deklarimeve të tij faktike”, arsyetohej në vendim.

ARMAND BAJRAMI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura