VENDIMI NE 2012/ Mark Frroku u dënua me 60 mijë lekë gjobë, goditi klientin në lokalin e tij

Mar 30, 2015 | 12:00
SHPËRNDAJE

Kryetari i Partisë Kristian Demokrate, Mark Frroku rezulton të jetë dënuar me një gjobë prej 60 mijë lekë të reja në vitin 2012 nga Gjykata e Tiranës, pasi ka goditur një klient në lokalin që është pronë e tij.

Mark Frroku

Ngjarja ka ndodhur në 11 shtator 2011, kur Besnik Gosturani ka shkuar në lokalin “AML” së bashku me familjen dhe pasi ka konsumuar pijet ka bërë pagesën dhe është drejtuar në daljen e lokalit.

“Kur janë ngritur për tu larguar një vajzë që mendohej se ishte kamariere ka qënë duke komiunikuar me bashkëshorten e tij për të bërë pagesën. i dëmtuari ka ndërhyrë dhe i ka thënë se e ka bërë pagesën njëherë. Në dbat e sipër ka ndërhyrë persona të tjerë ndër të cilët dhe i pandehuri Mark Frroku duke e goditur të dëmtuarin Besnik Gosturani. i dëmtuari Besnik Gosturani për këtë veprim të të pandehurit ka bërë kallzim në polici”, thuhet në vendimin e Gjykatës. 

Faksimile e vendimit

 

Vendimi i plotë

V  E  N  D  I  M

 

“NË EMËR TË REPUBLIKËS”

 

Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë e përbërë prej :

 

Gjyqtar : IBRAHIM HOXHA

 

Asistuar me sekretare gjyqësore Asije Velçani, me pjesmarjen e prokurores  Elida Celami, mori në shqyrtim në seancë gjyqësore publike datë 24.04.2012  çështjen penale me Nr. 1000 Regj. Themeltar, që i përket :

 

                                   

TË PANDEHURIT:   Mark Frroku, i biri i Prenges      dhe Lezes    i dtl.

                                                06.10.1972 lindur ne Puke e banues ne rrugen

                                                “ Nexho Konomi” lagja Kombinat Tirane  me shtetesi

                                                  e kombesi shqiptare me arsim te larte, i  martuar me

                                                tre femije  i padenuar me pare.

 

AKUZUAR:                           Për kundërvajtjen penale të “Plagosjes së lehtë me dashje”, të parashikuar nga neni 89 i Kodit Penal.

Gjykata pasi mori provat, shqyrtoi cështjen në tërësi, dëgjoi palët që kërkuan:

Prokurorja: Deklarimin fajtor të të pandehurit Mark Frroku për kryerjen e kundervajtjes penale të plagosjes së lehtë me dashje dhe dënimin e tij në bazë të nenit 89 të Kodit Penal me 150.000 lek gjobë.

          i pandehuri: Një dënim më të butë

Në përfundim të gjykimit gjykata:

 

   VËREN

 

 

 Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqsor Tiranë ka filluar ndaj të pandehurit Mark Frroku procedimin penal Nr.4338, viti 2011, duke e akuzuar atë për kundërvajtjen penale të plagosjes së lehtë me dashje, parashikuar nga neni 89  i K.Penal dhe pasi ka përfunduar hetimet e ka sjellë çështjen për gjykim.

            Në seancë gjyqsore i pandehuri në bazë të nenit 403 të Kodit të Procedures Penale paraqiti kërkesë me gojë para gjykatës për gjykim të shkurtuar.

            Gjykata pasi mori mendimin e prokurores e  cila ishte dakort për procedim me gjykim të shkurtuar, dhe se çështja mund të zgjidhet në gjëndjen që janë aktet, bazuar në nenin 404 të K.Pr.Penale vendosi të pranoj kërkesën e të pandehurit dhe të proçedoj me gjykim të shkurtuar.

           Nga gjykata u çmua për të proçeduar me gjykim të shkurtuar pasi gjëndja në të cilën ndodhen aktet është e tillë që lejon zhvillimin e një gjykimi të tillë.

           Po ky lloj gjykimi shkurton procedurat, rrit shpejtësinë dhe efikasitetin  e gjykimit. Përvec përfitimit prej uljes së 1/3 së dënimit për të pandehurin, logjika legjislative  që ka sanksionuar këtë lloj gjykimi ka pasur parasysh edhe ekonomin gjyqsore duke bërë zgjidhjen sa me efektive.

            Nga shqyrtimi gjyqesor rezultoi se:

 Në dt. 11.09.2011, i dëmtuari Besnik Gosturani ka shkuar tek lokali “AML” i cili ndodhet në Misto Mame, bashkë me bashkëshorten e tij, vajzën e vogël dhe dy të afërm të tij. Pai kanë porositur kanë paguar menjëherë dhe pasi kanë mbaruar janë ngritur për tu larguar. Kur janë ngritur për tu larguar një vajzë që mendohej se ishte kamariere ka qënë duke komiunikuar me bashkëshorten e tij për të bërë pagesën. i dëmtuari ka ndërhyrë dhe i ka thënë se e ka bërë pagesën njëherë. Në dbat e sipër ka ndërhyrë persona të tjerë ndër të cilët dhe i pandehuri Mark Frroku duke e goditur të dëmtuarin Besnik Gosturani.

I dëmtuari Besnik Gosturani për këtë veprim të të pandehurit ka bërë kallzim në polici. 

Nga ana e policisë gjyqësore për këtë ngjarje ka filluar hetimi dhe është çuar i dëmtuari për ekzaminim tek mjeku ligjor për të përcaktuar dëmtimet e tij.

Sipas aktit të ekspertimit mjeko- ligjor nr. 1177 datë 19.09.2011 dhe nr, 203 datë 16.01.2012 ( bërë me kërkesë të të dëmtuarit) rezulton ndër të tjera se: “ …2.Dëmtimet e mësipërme janë shkaktuar me mjet të fortë mprehtës. 3.Këto dëmtime hyjnë në kategorinë e atyre dëmtimeve të cilat sjellin për pasojë humbjen e aftësisë së përkohshme për punë mbi nëntë ditë”.

 Në këto rrethana organi i akuzës ka sjellë për gjykim të pandehurin Mark Frroku duke e akuzuar për kundërvajtjen penale të plagosjes së lehtë me dashje,të parashikuar nga neni 89  i KPenal. 

Në seancë gjyqsore i pandehuri Mark Frroku e pranoi plotësisht akuzën dhe fajësinë, si dhe tregoi pendim të thellë për kundervajtjen e kryer prej tij. i pandehuri pohoi se e ka goditur të dëmtuarin pasi ka parë që ai po debatonte me mbesën e tij pa e ditur shkakun e debatimit midis tyre. Ai deklaroi se nuk do të ndodhin më zënka të kësaj natyre për asnjë arsye.

Me provat shkresore të cilat ndodhen në fashikull dhe u morën në seancë gjyqsore, si dhe me pohimet e të pandehurit, u provua plotesisht gjatë gjykimit fakti se i pandehuri Mark Frroku ka goditur shtetasin Besnik Gosturani duke i shkaktuar dëmtime të cilat shkaktojne humbje të aftësisë së përkohshme në punë në masën mbi 9 ditë, fakt i cili përbën kundërvajtje penale të parashikuar nga neni 89  i KPenal.

Duke u bazuar në provat e mësipërme, të marra gjatë shqyrtimit gjyqsor, gjykata arrin në përfundimin se i pandehuri Mark Frroku i ka konsumuar plotesisht elementet e kundervajtjes penale të plagosjes së lehtë me dashje, të parashikuar nga neni 89 i K.Penal, dhe po në bazë të kësaj dispozite duhet të deklarohet fajtor. Ai, duke qënë i përgjegjshëm përpara ligjit, me veprimet e tij të kryera me dashje, ka goditur shtetasin Besnik Gosturani, duke i shkaktuar dëmtime të cilat kane shkaktuar humbjen e aftësisë së përkohshme për punë në masën mbi 9 ditë, fakt ky i provuar plotësisht gjatë gjykimit, si dhe i pranuar nga i pandehuri.

Në llojin dhe masën e dënimit gjykata merr parasysh rrezikshmërinë shoqërore të kundërvajtjes penale, rrezikshmërine e vogel shoqërore të të pandehurit Mark Frroku, shkallën e fajit, pranimin e akuzës dhe të fajësisë nga i pandehuri, kërkesën e tij për gjykim të shkurtuar, si dhe rrethanën lehtësuese të parashikuar nga neni 48/ç i Kodit Penal (pendim i thellë). Masa e dënimit duhet të jetë më e vogël se ajo e kërkuar nga organi i akuzës.

Meqënëse i pandehuri u deklarua fajtor për veprën penale, bazuar në nenin 485 të K.Pr.Penale, detyrohet të paguajnë shpenzimet e kryera gjatë hetimeve paraprake, si dhe shpenzimet gjyqësore.

 

PËR KËTO ARSYE

             Gjykata në bazë të neneve 384 dhe 390 të K.Pr.Penale:

VENDOSI 

 

-Deklarimin fajtor të të pandehurit Mark Prengë Frroku  për veprën penale të “Plagosjes se lehte me dashje“,  parashikuar nga neni 89  të Kodit Penal dhe po në bazë të kësaj dispozite dënimin e tij me 90.000 (nëntëdhjetëmijë) lekë gjobë.

-Në aplikim të nenit 406 të K.Pr.Penale përfundimisht i pandehuri Mark Prengë Frroku dënohet me 60.000 (gjashtëdhjetëmijë) lekë gjobë.

-Pagimi i gjobës do të bëhet brënda një viti nga data që vendimi të marrë formë të prerë.

-Shpenzimet gjyqësore në ngarkim të të pandehurit Mark Frroku.

– Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Apelit Tirane, brënda 10 ditëve nga e nesërmja e shpalljes.

 

U shpall sot, më 24.04.2012  

 

 

SEKRETARE                                                    GJYQTAR  

         Asije VELÇANI                                                  Ibrahim HOXHA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura