Vendimi/ Mjekësia, kushtet e reja të pranimit për maturantët

Feb 3, 2016 | 8:14
SHPËRNDAJE

Një nga universitetet më të lakmuara, ai i Mjekësisë, ka vendosur kritere të forta për maturantët që dëshirojnë të ndjekin studimet në një nga nëntë degët e Shëndetësisë. “Panorama” zbardh vendimin që ka marrë senati i këtij Universiteti mbi procedurën që do të ndiqet për përzgjedhjen e studentëve të rinj për vitin akademik 2016- 2017.

mjekesiaSipas vendimit që mban firmën e rektorit Arben Gjata, përllogaritja e pikëve finale për t’u pranuar në një nga programet e studimit në mjekësi ndahet mes mesatares së shkollës së mesme, asaj të provimeve të Maturës Shtetërore dhe pesë lëndëve formuese: Kimi, Biologji, Fizikë, Sociologji e Filozofi.

KRITERET E REJA

Ndonëse nota mesatare që Ministria e Arsimit i ka dërguar për miratim Këshillit të Ministrave është vetëm 6, Universiteti i Mjekësisë e ka parë të arsyeshme vendosjen e një mesatareje të dytë, shumë më të lartë se e para, për shkak të dyndjeve të shumë maturantëve për të kapur një nga këto degë.

Por, fakultete brenda Mjekësisë nuk kanë rënë dot në akord me njëri-tjetrin për të dalë me një notë mesatare të vlefshme për të gjitha degët. Tri programe, të cilat përkojnë me dëshirën e shumë maturantëve:

Mjekësi, Farmaci e Stomatologji kanë vendosur të pranojnë studentë me një mesatare jo më të ulët se 8.5 në tri vitet e shkollës së mesme. Ndërsa degët e Infermierisë, Fizioterapisë, Logopedisë, Mami, Imazheri dhe Teknik Laboratori kanë vendosur dyshemenë e notës mesatare të tri viteve 8. Por, nota mesatare përbën vetëm 35% të pikëve finale.

Po aq vlerë i është lënë notës mesatare të maturantëve në tri provimet e detyrueshme të Maturës Shtetërore, që siç është thënë, këtë vit, do të jenë thjesht “dalëse”. Përveç tyre, për ata që duan të studiojnë Mjekësi duhet të japin pesë provime shtesë në lëndët: Kimi, Biologji, Fizikë, Sociologji e Filozofi, vlera e të cilave (sipas tabelës lart) nuk është proporcionale.

Tri të parat kanë përkatësisht 10%, 10%, 6%, ndërsa me një vlerë më të vogël, por me rëndësi për formimin e përgjithshëm të mjekëve të ardhshëm, janë Sociologjia e Filozofia. Vendimi i Universitetit të Mjekësisë, i cili në bazë të ligjit të ri për arsimin e lartë ka formë të prerë dhe hyn në fuqi menjëherë, mban datën 28 janar.

PRANIMET

Të gjithë maturantët, në garën e sivjetme për në universitete duhet të plotësojnë vetëm një formular, A1, ndërsa nuk do të ketë formular të dytë ku bëhet përzgjedhja e degëve, pasi ky proces do të realizohet nëpërmjet një qendre të ngritur posaçërisht nga MAS.

1Këtë vit, janë universitetet ato që do të hartojnë listën dhe bëjnë renditjen e kandidatëve që përmbushin kriteret për t’u pranuar. Deri më tani vetëm ai i Tiranës ka bërë publik vendimin e tij. Ditët në vijim, Ministria e Arsimit pritet të publikojë rregulloren që duhet të kenë parasysh maturantët e këtij viti e bashkë me të, edhe udhëzimin me vendimet e të gjitha universiteteve mbi kriteret e pranimeve.

Ndërkaq, maturantët janë në pritje të vendimit të Këshillit të Ministrave, i cili duhet të miratojë notën mesatare dysheme të propozuar nga MAS, e cila është 6.

Masteri Shkencor, gjuha e huaj kusht për të aplikuar

Në listën e dokumenteve që duhet të dorëzojnë për t’u pranuar në ndjekjen e studimeve master te Mjekësia, kandidatët duhet të kenë edhe dëshminë e njohjes së një prej pesë gjuhëve të huaja. Vendimi i Senatit Akademik të Universitetit, më 28 janar, i bashkëngjit dokumentit të kritereve për pranimet e reja edhe atë për nivelin master, ku përveç kushteve të tjera përcaktohet niveli i gjuhës që duhet të mbrojë një kandidat, si kusht për të ndjekur ciklin e dytë të studimeve në këtë universitet.

Rektori i Universitetit të Mjekësisë, Arben Gjata
Rektori i Universitetit të Mjekësisë, Arben Gjata

“Miratohet si kriter i pranimit të hyrjes së studentëve në programet e studimit të ciklit të dytë, ku përfshihen edhe programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë në Universitetin e Mjekësisë, Tiranë, niveli B2 i gjuhëve të huaja”, thuhet në vendim. Sipas tij, studentët e regjistruar tashmë në ciklin e dytë apo të tretë dhe që nuk i janë nënshtruar testimit të gjuhës angleze, rrjedhimisht duke mos paraqitur dokumentacionin përkatës pranë universitetit, duhet ta bëjnë një gjë të tillë përpara mbylljes së vitit shkollor.

Vendimi i fundit shfuqizon vendimin e mëparshëm duke rregulluar nivelin e gjuhës së huaj nga A1 në B2. Rregulli i mësipërm vlen për të gjitha universitetet. Me një vendim të posaçëm të pak kohëve më parë, Ministria e Arsimit ndërroi kohën e mbrojtjes së gjuhës së huaj.

Ndonëse më herët studentët nuk merrnin diplomën e ciklit të dytë pa mbrojtur gjuhën, tashmë ata nuk kanë të drejtë të futen nëse nuk dëshmojnë dije në një pesë gjuhët e huaja: Anglisht, Frëngjisht, Spanjisht, Italisht apo Gjermanisht. Këtë detyrim e kanë jo vetëm kandidatët e rinj, por edhe ata që janë në sistem.

BESARTA BASHA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura