Vendimi/ Lul Berisha do përballet në gjyq me atentatorin që u pagua për ta vrarë

Oct 3, 2018 | 16:23
SHPËRNDAJE

ERALD DELIU / Javën që vjen pritet që Lulzim Berisha, ish-kreu i Bandës së Durrësit, të përballet me personin që tentoi ta ekzekutonte. Bëhet fjalë për gjyqin ndaj Ahmet Ajetit, shtetasit kosovar që u pagua në vitin 2005 për të eliminuar Lulzim Berishën.

Lulzim-Berisha-arrest

Ajeti është ekstraduar nga Kosova në Shqipëri dhe Gjykata e Krimeve të Rënda ka pranuar kërkesën për rigjykim, duke qenë se është dënuar me 20 vjet burg në mungesë. Në seancën e djeshme, pritej që të kishte një ballafaqim mes tij dhe Lulzim Berishës, por ky i fundit nuk ishte prezent në sallë, pasi nuk ishte njoftuar për datën dhe orën e gjyqit.

Në këto kushte, seanca gjyqësore u shty për javën që vjen, ku pritet të jetë i pranishëm edhe Lulzim Berisha, i liruar me kusht vitin që shkoi. Ndërkohë, nga ana tjetër, avokati i Ajetit, Saimir Vishaj, kërkoi nga Gjykata e Krimeve të Rënda që t’i kryhej një ekspertim i shëndetit psikik të klientit të tij, pasi, sipas tij, ai vuan nga sëmundje të shëndetit mendor. Gjithashtu, Vishaj kërkoi edhe gjykim të shkurtuar për Ahmetin.

ATENTATI

Në gusht të 2005, 35- vjeçari së bashku me Osman Karpuzin udhëtuan nga Tirana në Durrës për të vrarë Lul Berishën, por atentati dështoi. Nga hetimet rezultoi se kosovari u pagua 80 mijë euro që të vriste Lul Berishën.

Por një konflikt banal dhe një vetëplagosje mbrëmjen e 30 gushtit 2005 bënë që atentati të dështonte. Sipas dosjes, rezulton se në datën 28.08.2005, Endrit Dokle ka kontaktuar dhe më pas ka lidhur marrëveshje me Osman Korpuzin dhe Ahmet Ajetin për vrasjen e Lulzim Berishës. Ata janë takuar në Tiranë dhe atentatorëve u janë treguar të dhëna për Lulëzim Berishën dhe lëvizjet e tij.

Pasi ranë dakord, ata janë sistemuar në një hotel në Durrës dhe janë pajisur me armë zjarri të llojit pistoletë, ku njëra me silenciator. Bashkë me armët, ata kanë marrë edhe një fotografi të Lulzim Berishës. Mirëpo, ditën e atentatit, Ahmet Ajeti mbeti i plagosur në afërsi të lokalit ku qëndronte Lulzim Berisha. Sipas hetimeve, ai është grindur me një person dhe në nerva e sipër ka nxjerrë armën, duke e shkrepur dhe u vetëplagosur. Në ndihmë të tij, kanë shkuar bashkëpunëtori Osman Korpuzi dhe një shtetas tjetër që i shoqëronte me inicialet S.S., të cilët i kanë marrë pistoletën.

Shtetasi S.S. ka marrë dy armët e zjarrit dhe është larguar menjëherë, ndërsa Osman Korpuzi ka njoftuar Policinë me qëllim që të dërgonte në spital të plagosurin Ajeti. Ahmet Ajeti është shoqëruar për në Spitalin Rajonal Durrës dhe nga pyetja e tij si dhe e Osman Korpuzit nga ana e Policisë Gjyqësore, e cila filloi menjëherë veprimet hetimore për ngjarjen, prej këtyre shtetasve nuk është treguar qëllimi i vërtetë i ardhjes së tyre nga Kosova, duke u justifikuar me arsyen e pushimeve në plazhin e Durrësit.

Ndaj këtyre shtetasve kosovarë është ushtruar kontroll fizik nga ana e Policisë Gjyqësore, prej nga ka rezultuar se në portofol i është gjendur një fotografi e të gjykuarit Lulëzim Berisha e mbështjellë, e cila së bashku me celularin i janë sekuestruar.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura