Vendimi/ Kriteret e reja për përfitimin e ndihmës ekonomike

Jan 9, 2016 | 8:51
SHPËRNDAJE

Të tjera familje pritet të dalin nga skema e ndihmës ekonomike. Qeveria ka miratuar strategjinë 5-vjeçare për mbrojtjen sociale, në të cilën janë përcaktuar kriteret e reja për përfitimin e asistencës mujore.

NDIHMA EKONOMIKE

Aktualisht janë 80 mijë familje që marrin ndihmë ekonomike, por numri i tyre pritet të rrudhet edhe më deri në vitin 2020. Projekti pilot i aplikuar deri më tani në tre qytete kryesore, përkatësisht Durrës, Elbasan dhe Tiranë, do të shtrihet në të gjithë vendin. Hedhja në sistem e të dhënave për çdo familje dhe krijimi i regjistrit elektronik do të japë një skanim të situatës reale.

ndihma ekonomikeTreguesit që do të përfitohen prej pyetësorit të ri që do të plotësohet çdo muaj do të shërbejnë për matjen e nivelit të varfërisë. Ky reformim që do t’i bëhet skemës do të sjellë largimin prej saj të të gjitha familjeve që kanë përfituar abuzivisht apo pa të drejtë deri më sot. “Reforma ka si qëllim krijimin e regjistrit kombëtar elektronik të ndihmës ekonomike dhe përzgjedhja e përfituesve nëpërmjet formulës së pikëzuar, ku kriteret e përfitimit vlerësohen sipas nevojave dhe mbajnë parasysh gjendjen e varfërisë”, thuhet në strategji.

Tjetra është lidhja me tregun e punës, pasi kriter do të jetë paraqitja çdo muaj në zyrat e punës dhe regjistrimi si i papunë. Në momentin që punësohesh, të hiqet e drejta për të përfituar nga skema e ndihmës ekonomike. Penalitete do të ketë edhe për ata që do të refuzojnë punën. Pasi, nëse ndodh që të refuzosh tregun e punës, atëherë automatikisht je i përjashtuar nga asistenca.

KATEGORITË

Familjet që marrin ndihmë ekonomike përfitojnë 3800 lekë në muaj, aq sa është edhe kufiri i varfërisë. Formula e pikëzimit që do të aplikohet në të gjithë vendin ka pozitive faktin që kjo vlerë nuk do të jetë e njësuar për të gjithë.

skemaPër shembull, familjet me më shumë fëmijë do të kenë mundësi të përfitojnë më tepër. Ndërkohë kategoritë që do të vazhdojnë të mbështeten do të jenë familjet me të ardhura të ulëta dhe grupet në rrezik, siç edhe janë jetimët.

“Familjet përfituese kanë qenë përgjithësisht ato më të mëdha, me më shumë fëmijë, me ndjekje të shkollës më të ulët, me kushte më të këqija strehimi dhe me shpenzime familjare më të ulëta”, nënvizohet më tej në vendimin e qeverisë. Në ndryshimet që janë bërë vitin e kaluar të drejtën për të tërhequr asistencën e kanë gratë.

Sakaq, një aspekt tjetër është edhe përfshirja e këtyre familjeve që janë në skemë në punë komunitare. “Përfituesit e ndihmës ekonomike duhet të përfshihen në politikat zhvillimore të territorit, si zhvillimi rural, zhvillimi infrastrukturës apo shfrytëzimi i pyjeve dhe kullotave”.

ADA HAZIZOLLI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura