Vendimi i vajzës së Kamy-së për të botuar korrespondencën e të atit me dashnoren

Feb 18, 2018 | 15:25
SHPËRNDAJE

LUAN RAMA

Pak kohë para se të nisej nga jugu i Francës për në Paris, Albert Kamy i shkruante të dashurës së tij Maria Casares (Kazares) : “Po vij e dashur…”. Dhe në fund të letrës ai shtonte “Të bekoj me gjithë zemër !”… Përse vallë? Ai kurrë nuk e kishte përdorur këtë fjalë për të. Vallë parandiente diçka? Një shkëputje nga toka e të gjallëve dhe para se të ikte i jepte bekimin dashurisë së tij…?

Ndoshta… Po vij…! Ishte letra e fundit, në prag të Vitit të Ri. Letra ishte nisur para disa ditësh dhe ai kishte futur në çantë dorëshkrimin e romanit më të fundit që kishte nisur, i pari i një trilogjie të re, i titulluar “Njeriu i Parë”, (“Le Premier Homme”). Hipur në makinën e mikut të tij Michel Gallimard, ai niset drejt bregoreve të gjelbëruara të Bourgogne-s…414547478584747

Po vij… Po rend… Ishte i gëzuar që do të takonte të dashurën e tij Maria. Por ai nuk e imagjinonte kurrë se të dashurën e tij nuk do ta shikonte më kurrë dhe se letra që kishte dërguar para pak ditësh do të ishte e fundit që do të shkruante dora e tij, shpirti i tij… Ishte 4 janar 1960 dhe ai ishte tepër i ri për të ikur nga kjo botë, një 46-vjeçar. Por në Villeblevin, makina e tyre do të përplasej me shpejtësi dhe ai do të vdiste menjëherë… Letrat e tij, ashtu si dhe dorëshkrimi i “Njeriut të Parë” nuk do të njiheshin nga publiku për një kohë të gjatë.

Ishte René Char, miku i tij më i afërt, që nxitoi të merrte korrespondencën e tij që letrat e Marias të mos binin në dorë të gruas së Kamysë dhe të lëndonin zemrën e saj. Ishte vajza e tij, Katerine Kamy, e cila i mblodhi më vonë letrat klandestine, ato të atit dhe të së dashurës së tij. I ruante pa guxuar të zhytej në atë det të trazuar për të mos e vrarë dhe shpirtin e saj. Vite më vonë, nëna e saj Francine, çuditërisht, e kujtonte me mirësi të dashurën e burrit të saj, ashtu siç kishte ndodhur me gruan e Victor Hugo për të dashurën e tij, Juliette Drouet. Vite më vonë, pas vdekjes së Francine, ajo shkoi të takonte të dashurën e atit të saj.

I kishte dërguar një letër dhe shkoi ta takonte në Nice, ku ajo ndërkohë interpretonte në teatrin e qytetit… Ishte hera e parë që takoheshin dhe ato të dyja u përqafuan dhe e mbajtën një çast të gjatë njëra-tjetrën në krahët e tyre. Kazares i dukej se po mbante vetë Albertin e saj të humbur. “Ne ndenjëm bashkë sikur të ishim mikesha të vjetra”.

Flisnin për të shtrirë në divan dhe hanin çokollata, ndoshta të ëmbëlsonin disi dhimbjen në fundin e shpirtrave, kujtonin kohë dashurie dhe mungese. Pas vdekjes së Maria Kazares më 1996, Katerina përsëri nuk donte t’i botonte, edhe pse historianët e letërsisë dhe biografët e Kamysë i kërkonin gjithnjë botimin e tyre. Dhe ja, më së fundi, pas pothuaj 60 vjetësh, vitin që kaloi, botuesi Gallimard i mblodhi letrat e këtyre dy dashnorëve të mëdhenj, dy emigrantë në tokën e Francës, njëri, një francez i ardhur nga Oran-i i Algjerisë dhe tjetra, bija e një ministri të Spanjës Republikane të emigruar pas shembjes së Republikës. Ai i botoi në një vëllim voluminoz me 1312 faqe dhe 365 letra, ku njëra pas tjetrës shkëmbehen ato letra të nxehta dashurie. “Kanë kaluar plot dy ditë, – i shkruante Kazares, – por çdo orë, një mendim, një trisht i vagët, një kënaqë- si çfarëdo, një lexim, një shëtitje, një zgjim, një përgjumje natën, më çon drejt teje. Vallë, e vuaj mungesën tënde? – Po!… A jam vallë fatkeqe? – Jo!…”4578548

Pas botimit të veprave të tij të mëdha, Kamy udhëtonte. Mungesa ishte e madhe. Edhe kur ishte në Stokholm ku do të merrte çmimin “Nobel” për letërsi, ai do t’i shkruante asaj: “Kurrë nuk më ke munguar ka shumë…” Nganjëherë gjen dhe dy letra të shkruara brenda një dite. Të dashuruarit janë në ethe. Letra që mbartin shumë gjurmë mbi letërsinë e tij dhe teatrin, skenat e saj, mbi krijimin artistik, ku fjalët marrin një vlerë të dyfishtë të dashurisë dhe artit, ku fjalët e dashnorëve të flaktë kanë tjetër peshë, janë të rënda apo të ngrenë në ajër, të ngazëllejnë, të trishtojnë kur ata janë të trishtë që s’mund të përjetojnë njëri-tjetrin, apo kur janë në një kryqë- zim ku s’dinë se nga të shkojnë dhe si ta përjetojnë plotësisht jetën e tyre : “Ti je ekuilibri im, shtresa e gjakut dhe e ëndrrave të mia, e vërteta që na ushqen” – i shkruante Kamy më 8 tetor 1956, ndërsa ajo i përgjigjej : “Pres mrekullinë të më rishfaqë gjithnjë praninë tënde !”…

Duket që ata jetojnë njëri-tjetrin, për njëritjetrin edhe pse shpesh larg, ai në udhëtimet e tij nëpër Francë e nëpër botë, ajo nëpër turnetë e gjata nga një skenë në tjetrën apo me filmin “Orfeu” të Jean Cocteau. “Larg teje, – i shkruan ai, – mendoja se jetoja në vuajtje, por nuk është e vërtetë. Larg teje nuk di aspak si të jetoj. Nëse do duhej të zgjidhja midis gjithë botës dhe ty, je ti ajo që do të zgjidhja, që do parapëlqeja më shumë se jeta e qielli !”…

Ata u takuan fare thjesht, një ditë në boulevardin Saint-Germain ku gëlonin artistët e kohës së luftës dhe të pasluftës. Ai ishte 30 vjeç, ndërsa ajo 21, në lulen e rinisë. Ishte 5 qershor i vitit 1944 dhe tre javë para shfaqjes “Moskuptimi” (Le Malentendu) të shkruar nga Kamy, ku ajo interpretonte rolin e Martës. Në mbrëmje janë të ftuar në një “soirée” të organizuar nga Jean-Paul Sartre dhe Simone de Beauvoir te regjisori Dullin. Beauvoir e kujtonte me nostalgji atë mbrëmje (pasi dhe ajo e pëlqente shumë Kamynë).

“Maria kishte veshur një fustan ‘Rochas’, – kujtonte ajo, – me ca vija mavi dhe vjollcë dhe flokët e zeza që i binin pas. Buzëqeshja e saj zbulonte herë pas here dhëmbët e bardha të saj. Ishte e bukur…” Në tetorin e atij viti, meqë gruaja e tij Francine erdhi nga Algjeria për të jetuar me të në Francë, dy të dashuruarit u ndanë. Por katër vjet më vonë ata do të bashkoheshin sërish. “Përse fati na vuri përballë njeri-tjetrit edhe një herë? Përse na lidhi përsëri? Përse ky takim në çastin që duhej? – kishte shkruar më vonë Maria në një letër që i drejtonte më 16 gusht të vitit 1949.

Ndërkohë, Kamy ishte bërë i njohur me botimin e veprave “Murtaja” dhe “Të drejtët”, ku Kazares do të interpretonte rolin kryesor. Francine kishte tashmë dy binjakë të vegjël. Ishte një dashuri klandestine, e vështirë, trallisëse për të dy ata, por dhe për Francine-n që e vuante tmerrësisht.

“Kam ëndërruar të jetoj me ty, – i shkruante Maria, – por të betohem se vuaj aq shumë, sa do më duhet të heq dorë…” Kështu vuante dhe ai. Në një letër që i dërgonte Marias, Kamy i shkruante: “Po vuaj… frazat e tua më ndjekin ende, ankthi i ikjes, veçanërisht ideja që duhet të gënjej më pas, pasi kjo është një jetë gënjeshtare që më bën ndonjëherë të klith! (26 qershor 1949)… Shkruante për vuajtjen e tij : “Më duket sikur po shkas në një lloj rrëpire, që nuk e njoh mirë dhe në fund të së cilës gjej vetminë absolute, neverinë e të jetuarit, paaftësinë për të parë një fytyrë njerëzore…”

Takimet e tyre ishin përvëluese, të zjarrta, llavë që shpërthente në fshehtësinë e natës dhe të ditës. “Gjithçka zien, – i shkruante ajo, – brenda meje dhe jashtë trupit tim. Gjithçka digjet flakë, dhe shpirti, dhe trupi, lart e poshtë, zemra dhe mishi… A e kupton?”… Ndërsa ai i përgjigjej në një letër tjetër : “Më së fundi u binda që ishim lidhur përfundimisht, për jetë… E di se çdo gjë që do të ndodhë, ne do ta jetojmë bashkë dhe do të vdesim bashkë…”

Dhe letrat e tyre të përflakuara kishin ngjizmën e një burri dhe gruaje, e dy trupave, e dy shpirtrave… ai i drejtohej me fjalët “Trofta ime zeshkane”… ndërsa spanjollja ia kthente : “Dashuria ime e shtrenjtë…” … “Tani përplas këmbët nga padurimi dhe imagjinoj çastin kur ne do të mbyllim derën e dhomës”… Porta e dashurisë si në “Këngën e Solomonit”, në “Kantika e Kantikës” me Sulamiten dhe të dashurin e saj, porta që mbyllet që burri të dehet me nektarin e të dashurës së tij… Një këngë e vjetër sa bota… Vërtet, përse fati na vuri përballë njëri-tjetrit…

Por dashuritë e mëdha kështu pikëtakohen, rastësisht, rastësi e hyrit, e yllit, e vlimit, e përçartjes, e përkushtimit dhe delirit të madh. Dhe kur ai i mungonte, ajo i shkruante: “Nga çdo anë që kthehem nuk shoh veç natën… Pa ty s’kam asnjë forcë… Më duket se kam dëshirë të vdes…”. Po, të dashuruarit e mëdhenj vdesin dhe ringjallen dhjetëra herë, qindra, me baticat dhe zbaticat që nuk rreshtin… gjithnjë në skajin midis jetës dhe vdekjes! Nobelisti i shquar është i ngazëllyer nga gjithë kjo dashuri… Kazares i shkruante: “31 korrik. Kaloj kohën duke u përpjekur të sajoj mënyra se si të vij deri te ti, pa të mërzitur dhe shpresoj se sa herë do ta gjej këtë mundësi, qoftë edhe ashtu kot, ti do më kuptosh dhe nuk do më zemërohesh.

Të dua. Të kërkoj falje për gjithë këtë histori. Por duhet ta mendosh se jam larg, e vetme dhe gjithçka e imja është drejtuar vetëm drejt teje. Të dua…”. Në një letër të mëvonshme (16 nëntor) Kamy i përgjigjej: “Duhet të kesh një dashuri, një dashuri të madhe në jetë, sepse kjo është një alibi për dëshpërimet e tij pa shkak, nga të cilat ne jemi të shkatërruar të dy bashkë…” Dhe përsëri një letër e saj ku mes të tjerash i shkruante: “Të dua tmerrësisht siç duam detin …”

Dashuria është e pafund, por përjetimi konkret i pakët në kohë. “… Sa më shumë vitet shkojnë, – i shkruante Kamy, – aq më shumë e kuptoj se s’mund të jetojmë veç me njerëzit që ju çlirojnë shpirtin, që ju duan me një dashuri të lehtë për tam bajtur dhe shumë të fortë për ta përjetuar atë!”… Më 17 janar 1950 ai vazhdonte: “Përgjatë ditës ndjej një zhurmë të shurdhët që nuk e kisha njohur më parë. Dhe më është e rëndë, sigurisht. Goja ime e tharë me disa imazhe ku kërkoj rrebeshin e dëshirës dhe të voluptetit. Ti më je ngado, me shijen tënde, me trupat tanë të pleksur dhe harlisur që në disa çaste më kthehet në obsesion…”.

Ai vuan dhe i ndjen përthyerjet e shpirtit të saj. Po si ta mbrojë? Si…? Ai ka një tjetër familje, është si ai njeriu i lidhur që kërkon të çlirohet dhe që nuk mundet dot, ai i qëndron gjithashtu besnik ” fjalës së dhënë”, ndërkohë që ajo i shkruan “për këtë zonë vibruese që më prek po aq sa dhe prania e një fëmije në barkun tim”… Një fëmijë që ajo s’do ta ketë kurrë, veç ëndërruar…

E megjithatë, tërheqja e shpirtit dhe e gjakut ishte e madhe. Kështu i thoshte Kamy: “Edhe pse jam obseduar nga trupi yt, kurrë nuk të kam harruar… ah, ajo kënaqësi që ti më fal dhe që është si lulja e njomtë e ditëve”. Gjithnjë në letrat e tyre është dëshira dhe mungesa, trishti dhe gëzimi, ngazëllimi dhe frika se mos humbin njëri-tjetrin…. (Vijon…)

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura