Vendimi i Postës, si ndryshon skema për ndarjen e pensionit. Çfarë duhet bërë për ta përfituar në banesë

Jul 3, 2020 | 17:39
SHPËRNDAJE

Duke nisur nga ky muaj, të moshuarit nuk do ta kenë më të nevojshme të paraqiten në zyrat postare për të tërhequr pensionin.

Radhët e krijuara në sportelet e Postës Shqiptare kanë detyruar këtë të fundit që të rikthejë në skemë shërbimin në banesë.

pensione

“Në kuadër të masave të marra si pasojë e situatës së krijuar nga përhapja e COVID-19, është evidentuar në disa zyra postare krijimi i radhëve dhe moszbatim i protokollit të masave të sigurisë nga qytetarët. Posta Shqiptare ju bën thirrje të gjithë pensionistëve dhe qytetarëve që marrin shërbime postare-financiare në zyra postare, të respektojnë protokollin e masave sipas udhëzimit të miratuar nga Ministria e Shëndetësisë, duke ruajtur distancimin fizik dhe duke mbajtur maskat mbrojtëse. Posta Shqiptare, në kuadër të parandalimit të radhëve të gjata apo ndonjë mundësie infektimi në këtë situatë të pazakontë, njofton se prej disa vitesh ofron për të gjithë pensionistët shërbimin `Shpërndarja e pensionit në adresë`”, thuhet në njoftimin e postës.

DËRGIMI NË SHTËPI

Praktika për dërgimin e pensionit në shtëpi për të gjithë pensionistët u aplikua në muajt e parë të pandemisë, por me lehtësimin e masave dhe heqjen e kufizimeve nisi sërish dyndja në zyrat e postës.

Gjatë kësaj periudhe, Posta Shqiptare ka arritur të menaxhojë shpërndarjen e rreth 500 mijë pensioneve në muaj, në adresë të çdo pensionisti. Ndërsa bëri thirrje që të respektohen masat anti-COVID, drejtori i Departamentit të Zhvillimit dhe Standardeve pranë Postës Shqiptare, Vangjush Andoni, vuri në dukje se alternativa e duhur me qëllim parandalimin e virusit është shërbimi në shtëpi, “Shpërndarja e pensionit në adresë”.

“Gjatë periudhës së pandemisë, Posta Shqiptare ofroi shpërndarjen e pensioneve në banesë për të gjithë pensionistët e Shqipërisë, me qëllim parandalimin e përhapjes së këtij virusi te grupmosha më e rrezikuar, pensionistët. Ka qenë një sipërmarrje shumë e vështirë, të cilën Posta Shqiptare e kaloi me sukses” u shpreh Andoni.

SI PËRFITOHET

Nëse prej këtij muaji pensionistët do të duan që ta marrin pensionin në shtëpi, pra pa u paraqitur në sportelet e Postës Shqiptare, mjafton vetëm që të bëjnë një kërkesë.

“Iu rikujtoi edhe një herë që të gjithë pensionistët që dëshirojnë që pensioni t’u shpërndahet në adresë, të aplikojnë pranë zyrave postare për përfitimin e shërbimit të shpërndarjes së pensionit në banesë”, shtoi më tej Andoni.

Pensionisti ose një anëtar i familjes së tij mund të paraqitet në zyrë postare, të plotësojë një formular aplikimi për përfitimin e këtij shërbimi dhe pensioni do të shpërndahet sipas grafikut të përcaktuar nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura