VENDIMI I PLOTE/ Prapaskenat, gafat e gjyqtarit Atkinson që i dhanë fitoren Shqipërisë

Jul 12, 2015 | 11:15
SHPËRNDAJE

Shqipëria në festë, merr fund ankthi kuqezi pas nëntë muajsh pritjeje. Kombëtarja gjen drejtësi te KAS-i i Lozanës, që dje ka vendosur t’i japë tri pikët kuqezinjve për ndeshjen e 14 tetorit të vitit 2014 kundër Serbisë. 10 korriku i 2015-s do të mbahet mend gjatë, jo thjesht për aspektin sportiv (3 pikët e Kombëtares), por për vënien në vend të drejtësisë, pas një beteje të gjatë dhe që dukej sikur nuk do të përfundonte kurrë. 

Postimi i FSHF ne Twitter

Do të mbahet mend gjatë, pasi Shqipëria luftoi e vetme për të zbardhur të vërtetën e Beogradit (me një lobim të paktë dhe mbështetjen e munguar nga faktori ndërkombëtar), edhe pse ajo që ndodhi nuk kishte nevojë për komente, pasi s’pati lidhje me një ndeshje futbolli. Një fitore e madhe që e bëri kombin shqiptar të shpërthente në festë për tri pikët e mohuara nga UEFA. 

Gjate ndeshjes Shqiperi-Serbi

Takimi i ndërprerë në minutën e 41-të në stadiumin “Partizani” të Beogradit kaloi në tri shkallë të Gjyqësorit. Komisioni i Disiplinës dhe Etikës në UEFA e shpalli ndeshjen të braktisur nga Shqipëria, duke e dënuar me humbjen në tavolinë 3-0. Përveç kësaj, FSHF u gjobit edhe me 100 mijë euro.

Nga ana tjetër, komisioni vendosi më 23 tetor të vitit kaluar t’i heqë tri pikë Serbisë, ta gjobisë me 100 mijë euro dhe ta dënojë me dy ndeshje pa tifozë. Edhe dy muaj më pas (në dhjetor 2014), Komisioni i Apelit në UEFA la në fuqi vendimet e Disiplinës. Mirëpo, FSHF nuk u dorëzua dhe e çoi çështjen në KAS-in e Lozanës. Dje Gjykata e Arbitrazhit Sportiv i dha një “shuplakë” UEFA-s me këtë vendim në favor të Shqipërisë.

PRAPASKENA
Drejtësi e vonuar, por jo e munguar. E mbani mend Martin Atkinsonin? Arbitrin që bëri aq sa kishte mundësi për të ndihmuar Serbinë me raportin e tij pas ndeshjes?! Nuk ka arritur të bëjë përjashtim nga postulati i drejtësisë “të gjithë të barabartë para ligjit”. Shkaktari i humbjes së Shqipërisë në dy shkallët e gjyqësorit të UEFA-s, është kthyer, pa dashjen e tij, në arsyen e vendosjes së drejtësisë.

Gjyqtari Martin Atkinson nuk ka arritur të justifikojë se ka zbatuar me përpikmëri procedurën, para se të vendoste që futbollistët e Shqipërisë refuzuan të luanin. Ai kishte për detyrë që së pari të konfirmonte së bashku me zyrtarët e tjerë të UEFA-s, që ndeshja mund të vazhdohej në kushte normale dhe se ekipet respektive e kishin të mundur që ta bënin një gjë të tillë. Në këto kushte, duhet të kërkonte që të riktheheshin në fushë dhe pas saj, duhet t’i binte bilbilit tri herë në tunel.

Nëse një prej ekipeve dëshironte që të vazhdohej ndeshja, atëherë duhet ta shoqëronte atë në mesin e fushës dhe me rregullore duhet të priste 45 minuta që të rikthehej skuadra tjetër. Nëse kjo e fundit nuk e bënte, sfida konsiderohej e mbyllur dhe ekipi që nuk u paraqit, cilësohej se refuzoi të luajë ose braktisi ndeshjen. Të gjitha këto rregulla, hap pas hapi, i janë bërë në formë pyetjesh gjatë seancës ku ishte thirrur. Ai ka pranuar se nuk i ka kryer si duhet këto procedura, por është mbrojtur duke thënë se u ka kërkuar lojtarëve të Shqipërisë nëse donin që ata të vazhdonin ndeshjen dhe se këta të fundit nuk kishin pranuar.

Por, sërish gjyqtarët i kanë rilexuar rregulloren, të cilën duhet të zbatonte dhe e kanë pyetur për herë të dytë nëse i ka qëndruar zbatimit të saj me përpikmëri, apo jo? Përgjigja e Atkinsonit ka qenë më se e qartë dhe ka mjaftuar kjo gafë e arbitrit në rregullore, për të rrëzuar pretendimin e ngritur se Kombëtarja e Shqipërisë ka refuzuar të luajë.

Në vetë argumentin e vendimit, paneli i KAS-it ka konfirmuar se nuk gjen për asnjë moment të faktuar, që arbitri t’u ketë thënë qartazi lojtarëve se ndeshja mund të zhvillohet në kushte të pranueshme sigurie dhe se ata duhet të riktheheshin. OLSI POJANI

VENDIMI I PLOTE

Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (CAS) jep sot vendimin për dy procedurat apeluese të ardhura nga Grupi I i ndeshjeve kualifikuese të Kampionatit Europian, për ndeshjen mes Serbisë dhe Shqipërisë, e luajtur në Beograd më 14 tetor 2014.

Federata Shqiptare e Futbollit dhe Federata Serbe e Futbollit kanë paraqitur ankesa në CAS kundër vendimeve të dhëna nga organi i Apelit të UEFA-s, në të cilën të dy Federatat janë proceduar të incidentet që kanë ndodhur gjatë ndeshjes. Çështja u dëgjua në seancat që u zhvilluan në Lozanë, Zvicër, më 16- 17 prill 2015. Palët, mbrojtësit e tyre ligjorë, ekspertët dhe dëshmitarët u dëgjuan nga Paneli i arbitrave CAS.

CAS-i ka pranuar pjesërisht ankesën e paraqitur nga FSHF kundër vendimit të Komisionit të Apelit të UEFA-s, marrë më 2 dhjetor 2014, në të cilin u konfirmua vendimi i marrë nga Komisioni i Etikës së UEFA-s më 23 tetor 2014.

Sipas vendimeve të UEFA-s, dhënia e masës kundër FSHF-së u bazua në refuzimin e pretenduar nga  skuadra shqiptare për të rinisur ndeshjen pasi ajo u ndal nga arbitri në minutën e 41-të kur disa fishekzjarre (ndricuese) u hodhën në fushë nga fansat serbë. Gjatë këtij ndalimi të lojës, disa incidente ndodhen, si psh pushtimi I fushës nga 15 fansa serbë të cilët sulmuan dhunshëm lojtarët shqiptarë.

Megjithatë, Paneli i CAS nuk gjeti provat që tregojnë se FSHF ka refuzuar për të luajtur pas një urdhri të nxjerrë nga arbitri. Paneli i CAS nuk ishte në gjendje për të konstatuar se arbitri ka lëshuar një urdhër të qartë, të drejtpërdrejtë dhe të pakushtëzuar ndaj lojtarëve për të rifilluar ndeshjen në bazë të një vendimi të caktuar se siguria ishte vendosur.

Paneli konstatoi se ndërprerja e ndeshjes dhe braktisja eventuale e ndeshjes janë shkaktuar nga gabime të sigurisë së organizatorëve dhe aktet e dhunës ushtruar mbi lojtarët shqiptarë nga ana e tifozëve serbë. Si i tillë, Paneli konsideron se Federata e Futbollit e Serbisë (FAS) dhe jo FSHF duhet të konsiderohet si përgjegjës që ndeshja nuk u luajt në mënyrë të plotë, në shkelje të nenit 27.01 të Rregullores së Kampionatit Evropian të Futbollit UEFA 2014-2016 . Në dritën e këtij konstatimi, Paneli i CAS ka vendosur se ndeshja kualifikuese e Grupit I mes Serbisë dhe Shqipërisë të konsiderohet si e humbur nga Serbia me rezultat 0-3.

CAS vijoi për të gjetur, në përputhje me UEFA-n, se FSHF ka qenë përgjegjëse për një dron të hedhur gjatë ndeshjes, që mbante një flamur me simbole nacionaliste dhe patriotike shqiptare, si dhe konfirmoi gjobë prej 100.000 euro të vendosura për FSHF-në.

Për më tepër, në lidhje me ankesën e paraqitur nga Federata Serbe, CAS e ka hedhur poshtë ankesën dhe ka konfirmuar vendimin e marrë nga organi i Apelit i UEFA-s më 2 dhjetor 2014. Prandaj, sanksionet urdhëruar nga UEFA në vendimin e saj të datës 23 tetor 2014 janë konfirmuar, përkatësisht: (i) Federatës serbe i janë zbritur tre pikë për ndeshjet kualifikuese të Kampionatin Evropian; (I) Serbia do të luajë dy ndeshje pa tifozë (iii) Federata serbe gjobitet 100,000 euro.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura