VENDIMI I PLOTE/ Marjan Rroku e vrau Aldën nga xhelozia e shfrenuar

Mar 2, 2016 | 10:24
SHPËRNDAJE

Zbardhet vendimi i plotë i Gjykatës së Tiranës për dënimin me burgim të përjetshëm të ish-oficerit të SHIK Marjan Rroku.

Marjan RrokuNjë vit pas vrasjes së dyfishtë të Alda dhe Mbarime Canaj, Gjykata e Tiranës dënoi me burgim të përjetshëm në mungesë ish-oficerin e SHIK, Marjan Rroku, shkruan “Mapo”.

Dëshmitarët e pyetur në gjykim, familjarë të vajzës, kanë deklaruar se Marjani prej kohësh dhunonte jo vetëm Aldën, por edhe familjarët e saj, duke rrëfyer disa episode dhune.

Për këtë arsye, babai i vajzës i kishte dërguar një letër ish-kreut të SHIK, i cili kishte autorizuar një punonjëse për zgjidhjen e situatës. Por pas takimeve të zhvilluara me Marjanin, i pandehuri kishte deklaruar se nuk do e shqetësonte më Aldën dhe familjen e saj, por historia ka vazhduar për një kohë të gjatë sikurse shprehet gjykata.

Motivi i krimit sipas vendimit të gjykatës ka qenë xhelozia e shfrenuar e Marjan Rrokut, i cili ka qëlluar 7 herë ndaj dy grave të pambrojtura dhe më pas është larguar duke marrë me vete edhe armën e shërbimit. Gjykata ka rrëzuar pretendimin e mbrojtjes, se vrasja ka ardhur si pasojë e tronditjes së çastit, duke argumentuar se ai ka qenë i tensionuar për më shumë se një vit. Më poshtë vendimi i plotë i Gjykatës së Tiranës.

Vendimi i datës 2 maj 2002 me gjyqtar kryesues Medi Bici dhe anëtarë Altin Abdiu dhe Elvis Kotini

Duke u bazuar në materialin kallëzues të ardhur nga Komisariati nr. 2 i Policisë, më datë 4.4.2001, Prokuroria e Tiranës ka filluar procedimin penal nr. 496 në ngarkim të të pandehurit Marjan Rroku, i akuzuar për veprën penale të vrasjes me dashje të dy personave. Ky gjykim u zhvillua në mungesë të të pandehurit, pasi Gjykata e Tiranës ka deklaruar ikjen e tij.

Nga shqyrtimi gjyqësor i çështjes rezulton si më poshtë:

I pandehuri Marjan Rroku në vitin 1999 ka filluar punë në Drejtorinë Qendrore të Shërbimit Informativ Kombëtar me detyrën e oficerit. Gjatë kësaj periudhe ai bashkë me dëshmitarët Skerdi Ymeraj dhe Sulejman Xhetani që ishin punonjës të SHIK janë njohur me një grup vajzash studente që banonin në godinat e qytetit “Studenti”.

Ndër këto vajza, kanë qenë edhe motrat Ornela dhe Alda Canaj. Fillimisht personat e mësipërm kanë ndenjur bashkë nëpër lokale dhe më pas i pandehuri ka filluar të shoqërohej veçmas me viktimën Alda Canaj, e cila ishte nxënëse e shkollës së mesme të Gjuhëve të Huaja “Asim Vokshi”. Pas kthimit nga pushimet verore të sezonit 1999-2000 ndërmjet të pandehurit Marjan dhe viktimës Alda është krijuar një miqësi e ngushtë, duke arritur deri atje sa kjo e fundit ka shkuar në dhomën ku banonte i pandehuri Marjan. Më pas i pandehuri ka filluar të shfaqë shenja të theksuara xhelozie ndaj viktimës Alda dhe në muajin nëntor ai e ka rrahur viktimën duke i shkaktuar dëmtime në fytyrë.

Pas këshillës që i ka dhënë motra e saj, dëshmitarja Ornela, e dëmtuara Alda ka bërë kallëzim në komisariatin nr. 1 të policisë, kallëzim të cilin e ka tërhequr më vonë. Në këto kohë dëshmitarja Ornela ka vënë në dijeni prindërit e saj, dëshmitarin Faslli Canaj dhe viktimën Mbarime Canaj, të cilët banonin në rrethin e Mallakastrës. Dëshmitari Faslli, pas konsultimit me vajzat e tij është ankuar te titullari i SHIK, i cili ka ngarkuar dëshmitaren Vera Halili me punë në drejtorinë e Personelit për zgjidhjen e kësaj çështjeje. Dëshmitarja Vera, pasi është takuar me vajzat dhe me të pandehurin, ka marrë prej këtij të fundit premtimin se nuk do ta ngacmonte më Aldën.

Por i pandehuri duke mos hequr dorë nga rruga që kishte nisur, shkon në shkollën “Asim Vokshi” dhe grindet me dezhurnin sepse donte të takonte Aldën kundër dëshirës së saj. Meqenëse ky sherr merr përmasa të mëdha, i pandehuri bashkë me dëshmitarin Sulejman Xhetani shkojnë në fshatin Greshicë të rrethit Mallakastër dhe takojnë dëshmitarin Faslli. I pandehuri pasi i tregon dëshmitarit për atë që kishte bërë, i kërkon falje duke premtuar se nuk do ta përsëriste më veprimin e bërë.

Duke parë problemet që i ishin krijuar vajzës së tyre, familja Canaj vendos të marrë një shtëpi me qira në Tiranë dhe përfundimisht vendoset pranë Pallatit të Sportit “Asllan Rusi”. Viktima Mbarime e shoqëronte çdo ditë vajzën kur shkonte dhe vinte nga shkolla. Kjo situatë ka vazhduar për shumë kohë dhe i pandehuri i ka kërkuar viktimës Mbarime që të bisedonin, por ajo nuk ka pranuar.

Duke u bërë tepër nervoz, i pandehuri më datë 17 shkurt 2001 ka takuar në rrugë dëshmitarin Faslli Canaj, të cilin e ka sharë dhe e ka goditur me grushte. Për këtë ngjarje, si dëshmitari ashtu dhe i pandehuri kanë bërë kallëzim në polici. Dy ditë përpara ngjarjes, i pandehuri ka ndaluar në rrugë Mbarime Canajn dhe i ka kërkuar të takohet me vajzën e saj, Aldën, por Mbarimja i ka thënë se do të bisedojmë kur të kthehet Faslliu, pasi ky i fundit punonte si mësues në rrethin e Mallakastrës.

Ditën e ngjarjes, i pandehuri ka qenë me leje të zakonshme. Atë ditë ai ka qenë në punë dhe ka ndenjur vetëm gjysmë ore. Ndërsa viktima Alda si çdo ditë ka qenë në shkollë. Rreth orës 12:00, viktima ka takuar motrën e saj Ornelën, të cilës i ka thënë: Kam parë Marjanin para godinës së shkollës. Ai i ka thënë dëshmitares Ornela se nuk ndihej mirë dhe se po priste mamin për të shkuar në shtëpi.

Viktima tjetër, Mbarimja ka vajtur në shkollë rreth orës 13:30 dhe të dyja janë nisur për në shtëpi.

Në sheshin para Pallatit të Sportit “Asllan Rusi”, i pandehuri u ka dalë para viktimave me pistoletën personale të tipit “TT” ka qëlluar shtatë herë mbi dy viktimat, duke i lënë ato të vdekura në vend dhe vetë është larguar me shpejtësi. Sipas akteve mjeko-ligjore që ndodhen në dosje, shkaku i vdekjes së viktimave është shoku i rëndë traumatiko-hemorragjik i ardhur nga dëmtimet e shkaktuara nga arma e zjarrit.

Ekzistenca e faktit dhe fajësia e të pandehurit për veprën penale provohet nga thëniet e dëshmitarëve Faslli Canaj, Ornela Canaj, Vera Halili, Blerina Manaj, Skerdi Ymeraj, Sulejman Xhetani, Ibrahim Hoxha, Gjergj Mandia, Pjetër Dodani dhe Zef Rroku.

Dëshmitari Faslli Canaj në gjyq thotë: Ornela më tha se Aldën e ka rrahur një djalë me emrin Marjan Rroku. Kur mora vesh se ishte punonjës shteti, ju drejtova shtetit. I pandehuri bashkë me Sulejman Xhetanin vijnë në fshat për të më takuar mua. Pas vrasjes, menjëherë më shkoi mendja se vrasësi ishte Marjan Rroku.

Dëshmitarja Ornela Canaj para gjykatës tha: Alda më tha se e ka rrahur Marjan Rroku. Vera Halili ka ardhur dhe na ka kërkuar të tërheqim denoncimin. Ditën e ngjarjes kam parë Marjanin te shkolla rreth orës 10:15 dhe Alda më tha se gjithë ditën ka qenë te hekurat. I pandehuri me Aldën nuk kanë patur marrëdhënie intime.

Dëshmitarja Blerina Manaj ka deklaruar: Ditën e ngjarjes Alda më dha një letër për t’ia çuar Marjanit. Në letër shkruhej: Nuk të shikoj dot me sy. Nuk të duroj dot.

Në diskutimet përfundimtare mbrojtja ka pretenduar se nuk ka prova ligjore për të fajësuar të pandehurin. Por sipas gjykatës, ky pretendim është i pabazuar, pasi jo vetëm që akuza provohet nga provat e prokurorisë, por edhe dëshmitarët e mbrojtjes provojnë fajësinë e të pandehurit. Kështu dëshmitarët Zef Bardhi, Gjergj Mndria, Pjetër Dodani dhe Zef Rroku pohojnë në gjyq se është negociuar për të rregulluar marrëdhëniet me familjen e viktimave. Disa prej tyre pohojnë se janë takuar me të pandehurin Marjan, i cili u ka thënë se nëna e vajzës ka nxjerrë pistoletën nga çanta dhe pranojnë se i pandehuri Marjan është autori i vrasjes.

Sipas procesverbalit të sekuestrimit të provës materiale, del se në çantë, viktima Mbarime ka patur vetëm një abone, një shami dhe 330 lekë. Kjo provë rrëzon me lehtësi pretendimin e mbrojtjes se viktima Mbarime të ketë patur ndonjë armë me vete.

Cilësimi juridik që i ka bërë veprës penale organi i prokurorisë është i drejtë, sepse i pandehuri me dashje direkte ka vrarë dy persona dhe ky fakt bën veprën penale të cilësuar, prandaj gjykata çmon se vepra penale duhet të cilësohet sipas nenit 79 të Kodit Penal.

Në diskutimet përfundimtare të datës 29.4.2002, mbrojtja pretendon se duhet të bëhet ndryshimi i cilësimit juridik të veprës penale nga ‘vrasje me paramendim’ në ‘vrasje për shkak të tronditjes së çastit’. Këtë pretendim të mbrojtjes, gjykata e çmon të pabazuar për arsyet e mëposhtme:

Së pari, me provat që ka sjellë në gjyq mbrojtja, të krijohet ideja e një pretendimi për mbrojtje të nevojshme ose së paku pretendim për një ndryshim kualifikimi ligjor sipas nenit 83 që është vrasje me kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme. Kjo për faktin se dëshmitarët e mbrojtjes pohuan se sipas thënieve të të pandehurit Marjan, viktima Mbarime ka hapur çantën për të nxjerrë pistoletën. Ky pretendim rrëzohet nga procesverbali i sekuestrimit të provës materiale, ku del e provuar që viktima jo vetëm nuk ka patur armë me vete, por nuk ka patur asnjë mundësi për t’u mbrojtur nga gryka e armës së të pandehurit, i cili ka qëlluar pa mëshirë mbi to.

Së dyti, neni 82 i Kodit Penal kërkon që autori i krimit të ketë një tronditje të fortë psikike të çastit, e cila të jetë shkaktuar nga dhuna dhe fyerja e rëndë e viktimës. Në rastin konkret u provua se dy viktimat nuk kanë ushtruar asnjë lloj dhune ndaj të pandehurit, sepse dhe po të donin ato nuk kishin realisht mundësi, pasi ishin gra dhe me një shëndet jo të mirë. Nga ana tjetër, përmbajtja e letrës që Alda i ka dërguar të pandehurit nuk ka asnjë fjalë fyese që ta prekte rëndë të pandehurin. Në atë letër, viktima Alda i thoshte të pandehurit se nuk e shikonte dot me sy dhe nuk e duronte dot më.

Së treti, Dispozita kërkon që tronditja të jetë e çastit, pra autori të vinte nga një moment qetësie dhe jo në gjendje të tensionuar që ka patur i pandehuri për një periudhë më shumë se një vit për shkak të grindjeve të vazhdueshme që ka patur jo vetëm me viktimën Alda, por edhe me pjesëtarët e tjerë të familjes së saj, gjë e cila i ka çuar disa herë në dyert e komisariateve të policisë.

Duke argumentuar si më sipër, gjykata arrin në përfundimin se nuk ka qenë tronditja psikike e çastit që e çoi në ndodhjen e kësaj tragjedie, por shkak i saj ka qenë xhelozia e shfrenuar e të pandehurit për ta bërë atë adoleshente të mjerë që të pranonte të bënte gjithmonë atë që ai dëshironte.

Vepra penale e kryer nga i pandehuri ka rrezikshmëri shumë të madhe shoqërore sepse ajo ka cenuar dy herë marrëdhënien më të rëndësishme shoqërore, siç është jeta e personit e mbrojtur posaçërisht nga ligji penal. Dhe autori i kësaj vepre penal ka rrezikshmëri të madhe shoqërore sepse ai i fshihet hetimit dhe gjykimit të çështjes dhe akoma vazhdon të kryejë veprën penale të armëmbajtjes pa leje, pasi pistoletën sipas ligjit për armët duhet ta dorëzonte brenda 15 ditëve nga dita e largimit nga detyra.

Gjykata do të mbajë parasysh faktin se i pandehuri duke qenë oficer në një nga organet më të rëndësishme të shtetit që ka për detyrë funksionale mbrojtjen e rendit kushtetues dhe të sigurisë publike, ai në vend që të kryejë detyrën, bën të kundërtën. Me armën që i jep shteti qëllon pa mëshirë një vajzë 17 vjeçe dhe nënën e saj që doli në mbrojtje të vajzës.

Marrë nga “Mapo”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura