Vendimi për 30 qershorin/ Presidenca: “Kushtetuesja” i zhgënjeu të gjithë dhe cenoi rëndë transparencën! I fshehu “Venecias” pyetjen e Shoqatës së Bashkive

Dec 7, 2021 | 17:21
SHPËRNDAJE

Përmes këshilltarit ligjor Bledar Dervishaj, Presidenca ka mbajtur sot një qëndrim mbi vendimin e “Kushtetueses” për rrëzimin e ankimimit të shoqatës së bashkive për zgjedhjet lokale të 2019-ës.

der

Sipas Presidencës, Gjykata Kushtetuese për t’iu shmangur themelit të çështjes dhe për ta bërë veten jo-kompetente, ka cenuar rëndë parimet e transparencës dhe të procesit të rregullt ligjor.

Përkundër kësaj pritshmërie të lartë dhe legjitime, para së gjithash të popullit shqiptar, por dhe të institucioneve ndërkombëtare, të cilët e kishin kushtëzuar ecurinë e procesit të çeljes së negocimit dhe integrimit të Shqipërisë, me plotësimin edhe të kushtit që Shqipëria, do duhej të kishte një vendim përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese mbi zgjedhjet lokale të 30 qershorit 2019, kjo Gjykatë për fat të keq, i zhgënjeu të gjithë. Gjykata Kushtetuese, për interesa që nuk përkojnë me ato të popullit shqiptar, me këtë vendim hoqi dorë nga ushtrimi i funksionit të saj sublim dhe e shpalli veten jo kompetente, për të mbrojtur të drejtat dhe liritë themelore të shqiptarëve, parimeve dhe vlerave më të larta tona shoqërore e morale mbi të cilat ne si shqiptarë kemi vendosur të ndërtojmë jetën tonë, në një shoqëri me demokraci funksionale. Për fat të keq, Gjykata Kushtetuese, me vendimmarrjen e saj për të deklaruar mungesën e juridiksionit kushtetues, faktikisht e la çështjen pa zgjidhje përfundimtare“, tha Dervishaj.

Presidenca bën me dije se “Kushtetuesja” në kërkesën e saj i fshehu Opinionit të Venecias pyetjen e Shoqatës së Bashkive, duke e orientuar përmes tre pyetjeve të hartuara nga vetë gjykata.  “Për t’iu shmangur themelit të çështjes dhe për ta bërë veten jo-kompetente, Gjykata Kushtetuese, gjatë veprimtarisë së saj, ka cenuar rëndë parimet e transparencës dhe të procesit të rregullt ligjor“, tha Dervishaj.

Gjykata Kushtetuese, në datën 09.07.2021, i dërgoi Komisionit të Venecias kërkesën për dhënien e një opinioni, duke injoruar dhe fshehur pyetjen që kishte kërkuar Shoqata e Bashkive të Shqipërisë, dhe duke orientuar Komisionin e Venecias të shprehej vetëm për 3 pyetjet e hartuara nga vet Gjykata. Këto pyetje të hartuara nga Gjykata, jo vetëm që nuk kishin lidhje të drejtpërdrejtë me objektin e gjykimit, por në mënyrën se si ato u formuluan, qartazi kërkonin të orientonin dhënien e një Opinioni që do të shërbente për të legjitimuar vendimmarrjen e saj të mëvonshme, për shpalljen e Gjykatës Kushtetuese si jo kompetente për shqyrtimin e çështjes. Kjo është një nga shkeljet më të rënda të Gjykatës Kushtetuese, që përmes një procesi jo transparent, duke cenuar procesin e rregullt ligjor, dhe barazinë e palëve në gjykim, i mohoi Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë, të drejtën për të marrë një përgjigje përfundimtare për pyetjen që kishte ngritur.

Madje, Gjykata Kushtetuese as nuk e njoftoi këtë të fundit (Shoqatën e Bashkive të Shqipërisë) dhe as i dha asaj ndonjë shpjegim për këtë fakt. Kjo mënyrë operimi e Gjykatës Kushtetuese, na krijon bindjen e palëkundur se, Gjykata Kushtetuese, e kishte marrë vendimin e saj për ta shpallur veten jo kompetente për zgjidhjen e çështjes, që prej datës 23 qershor 2021, dhe dërgimi i çështjes në mënyrë të papritur në Komisionin e Venecias, për të marrë një opinion këshillimor, ishte një taktikë e gjykatës, që përmes procedurave, të shtynte në kohë vendimmarrjen e saj, me qëllim që t`i krijonte vetes një justifikim përballë publikut, për mos përmbushjen e detyrës dhe funksionit themelor të saj, duke u vetëshpallur jo kompetente për shqyrtimin e themelit të çështjes.  Se sa kjo mënyrë veprimi e Gjykatës Kushtetuese iu përshtat kërkesave të Qeverisë, kjo nuk ka nevojë për komente“, thuhet në qëndrimin e Presidencës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura