Vendimi i Komitetit Ekzekutiv/ Shkërmoqet klubi i madh shqiptar, ja 9 të larguarit…

Sep 20, 2019 | 18:08
SHPËRNDAJE

Tomori merr një goditje të rëndë në prag të sezonit të ri. Mbetet pa trajner dhe pa 8 futbollistët e ardhur gjatë merkatos së verës, duke e kompromentuar ndjeshëm objektivin për ngjitjen në Kategorinë e Parë, pasi kësaj shkërmoqjeje. “Panorama Sport” e kishte paralajmëruar këtë situatë në numrin e djeshëm. Gjithçka varej nga vendimi i FSHF-së për numrin e lojtarëve jashtë qarkut dhe pasi u mësua se do të lejohen vetëm 3 lojtarë, ka ardhur vendimi i trajnerit fierak.

tomori

Nga dje, Mariol Miho është larguar zyrtarisht nga drejtimi i Tomorit. “Po, nuk jam më trajneri i Tomorit. Kaq mund të them për momentin”, ka pohuar Miho për gazetën, pa folur për detajet, por kuptohet që gjithçka ka të bëjë me projektin e tij, që ishte ndërtuar duke llogaritur edhe 8 lojtarët e ardhur nga jashtë qarkut, pasi vetëm me grupin e beratasve nuk garantohej objektivi i ngjitjes në Kategorinë e Parë.

ZVARRITJA – Në fakt, nuk është se vendimi për limitimin e numrit të lojtarëve nga jashtë qarkut ka rënë si “rrufe në qiell të hapur” në kampin beratas. Rreziku për këtë situatë ishte i njohur më parë, por në klubin beratas kishte shpresë se diçka do të ndryshonte nga FSHF-ja dhe Tomori do të kishte mundësinë të forcohej me lojtarët që i duheshin. Nga burime të gazetës pranë klubit mësohet se shpesh drejtuesit e kishin garantuar trajnerin Mariol Miho se gjithçka do të zgjidhej, sa herë që ai ngrinte shqetësimin për këtë çështje të rëndësishme.

Miho

Skuadra u përforcua me elementë cilësorë, duke nisur nga porta, zhvilloi edhe disa miqësore, por tani, në momentin final, “kalaja” është prishur dhe beratasit vështirë se do të jenë pretendentë për ngjitjen në Kategorinë e Parë. Për më tepër që tani kanë një numër të limituar lojtarësh, të gjithë beratas. Zvarritja e situatës, kur rreziku ishte i ditur, ka bërë që sot të kemi një Tomor të përgjysmuar.

8 LARGIMET – Trajneri Miho bëri 8 përforcime gjatë kohës që punoi në krye të Tomorit. Ai afroi dy portierët Shumeli dhe Paja, pasi skuadra beratase kishte nevojë për portierë. U afruan gjithashtu në Berat mbrojtësit Edison Kapo, Redon Hatia dhe Jurgen Hidersha, mesfushorët Romario Prifti dhe Indrit Lalaj, si dhe sulmuesi Gëzim Hyska.

9 te larguarit

Që të gjithë janë larguar tashmë nga Tomori, duke bërë kështu që lista me 24 lojtarë të përfundojë në 16 lojtarë. Beratasit, përveçse humbin në sasi, humbin shumë edhe në cilësi dhe mbetet për t’u parë si do ta plotësojnë grupin për sezonin e ri. Nga ana tjetër, këtyre lojtarëve dhe trajnerit Miho u prishet shumë punë, duke qenë se jemi në momentet e fundit para nisjes së kampionatit dhe mund të jetë e vështirë për t’u stabilizuar në një ekip të ri.

DROBONIKU KANDIDAT – Për momentin nuk mund të flitet për një trajner të ri. Tomori është drejtuar dje në stërvitje nga ndihmëstrajneri Iken Droboniku dhe trajneri i portierëve, Madrid Muxhai. Por nuk përjashtohet mundësia që të mos ketë një trajner të ri te Tomori dhe drejtimin e tij ta marrë zyrtarisht Droboniku. Në krahun tjetër, nuk është çudi që trajneri Miho dhe lojtarët e larguar nga Tomori të shkojnë tek Albpetroli.

FATJON RUPI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura