Vendimi i Gjykatës: Milaim Zekës i lejohet të shkojë në seanca dhe në mbledhje të komisioneve

Oct 18, 2017 | 12:33
SHPËRNDAJE

Gjykata Themelore e Prishtinës i ka dhënë leje deputetit të Nismës, Milaim Zeka, që të marrë pjesë në seanca të Kuvendit të Kosovës dhe komisione parlamentare, ndërkohë ndaj tij është ngarkuar masa e arrestit shtëpiak, pas arrestimit nën dyshimet për përfshirje në një skandal me viza punësimi në Gjermani.

zeka

Gjykata Themelore e Prishtinës, të martën e ka vënë në fuqi masën e arrestit shtëpiak ndaj deputetit Milaim Zeka, i arrestuar të hënën si i dyshuar për “mashtrim”, “krim i organizuar” dhe “shmangie tatimi”.

Të njëjtit i është konfiskuar edhe pasaporta. Por se vendimi i gjykatës i lejon Zekës që të kryejë punën e tij si deputeti i Kuvendit të Kosovës. Madje, përveç në seanca, atij i lejohet pjesëmarrja edhe në komisione parlamentare.

Këtë e ka konfirmuar për Gazetën Express vetë gjyqtari që dha vendimin për Zekën.

“Nëse shkon pa leje, dihet çfarë ndodh”, tha gjyqtari Isuf Makolli.

“Po ka leje”, tregon gjyqtari i Gjykatës Themelore të Prishtinës.

“Në seanca ka te drejtë me shku dhe mu kthy në shpi. Edhe në komisione”, konfirmon për Gazetën Express gjyqtari Makolli.

Kjo Zekës i ka mundësuar pjesëmarrjen në Komisionin parlamentar për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, anëtar i së cilës është. Megjithëse, në mbledhjen e të mërkurës ish-gazetari ka arritur i fundit.

Ndryshe, Prokuroria Themelore e Prishtinës, kishte kërkuar që ndaj Milaim Zekës të shqiptohet masa e paraburgimit prej 30 ditësh. Por gjykata ka vendosur masë më të lehtë ndaj tij, atë të arrestit shtëpiak.

Deputeti i Nismës, Milaim Zeka, ishte arrestuar të hënën nga Policia e Kosovës. Arrestimi i tij është bërë për dyshimet se Zeka ka qenë i përfshirë në një skemë mashtrimi me viza pune në Gjermani për 920 kosovarë.

Pak ditë më parë portali “Insajderi” kishte publikuar hulumtimin për këtë skandal me viza, në të cilin dyshohet se Zeka ka qenë i implikuar, duke krijuar një biznes të tillë bashkë me partnerin e tij biznesmen, Ilir Krasniqi.

920 kosovarë kanë provuar të emigrojnë në Gjermani me viza pune nëpërmjet një agjencie punësimi, e cila në fakt ishte një skemë mashtrimi e deputetit Milaim Zeka dhe partnerit të tij, Ilir Krasniqi, ka raportuar Insajderi, më 3 tetor të këtij viti.

Sipas hulumtimit të kësaj gazete, aplikantët kanë paguar nga 50 euro deri në 3500 euro për një vizë pune. Por, në vend të punësimit dyshohet se aplikantët janë gjendur brenda një skeme mashtrimi, të cilën Prokuroria ka nisur hetimet për krim të organizuar, mashtrim dhe shmangie nga tatimi.

Partneri i Zekës, Ilir Krasniqi, tashmë ndodhet në paraburgim, pasi për të njëjtën skemë ishte arrestuar para disa javësh. /GazetaExpress/.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura