Vendimi i dënimit/ Zbardhen argumentet e Gjykatës, ja pse Tahiri shpërdoroi detyrën: Lidhje të pashpjegueshme si ministër i Brendshëm

Oct 29, 2019 | 15:51
SHPËRNDAJE

BLEONA METUSHI/ Duke renditur nenet e Kushtetutës për funksionin e ministrit dhe punonjësve të Policisë së Shtetit, Gjykata ka vlerësuar se ish-ministri Saimir Tahiri dhe ish-drejtuesi i Policisë së Vlorës, Jaeld Çela, kanë shpërdoruar detyrën dhe si pasojë e kësaj ka ndodhur edhe kanabizimi.

Saimir Tahiri konfeernca reagimi SMS Rama- gjykata-vendimi-tahiri-droga-habilajt (5)

Në 140 faqe vendim, Gjykata për Krime të Rënda argumenton rrëzimin e akuzave për trafik droge dhe grup kriminal ndaj Tahirit dhe Çelës, si dhe vlerëson se dy të pandehurit kanë konsumuar veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”.

“Pasoja e mosushtrimit, në kushtet specifike të sipërcituara e të vërtetuara në këtë gjykim, të detyrave dhe përgjegjësive respektive ligjore nga të pandehurit Saimir Tahiri dhe Jaeld Çela, janë pikërisht aktiviteti i qëndrueshëm kriminal i të pandehurit në një procedim të lidhur, Moisi Habilaj, i finalizuar me kalimin e sasive të konsiderueshme të lëndëve narkotike nga Shqipëria në Itali, me burim kultivimin masiv të bimëve narkotike kanabis sativa në territorin e rrethit të Vlorës. Shkalla e lartë e infiltrimit të organizimit kriminal në strukturat e Policisë vendore e më tej, deri në përfshirjen e punonjësve të caktuar të sistemit të monitorimit detar në këtë veprimtari dhe dobësimi në këtë drejtim i punës së Policisë së Shtetit, e në këtë mënyrë mosveprimet e të pandehurve, kanë ndikuar drejtpërdrejt në përhapjen më të madhe të kriminalitetit në fushën e narkotikeve, kanë shtrembëruar sundimin e ligjit”, shkruan Gjykata në vendimin e zbardhur që disponon gazeta “Panorama”.

GJYKATA

“Megjithëse nuk u provua përtej çdo dyshimi të arsyeshëm që marrëdhëniet mes të pandehurit Saimir Tahiri dhe të pandehurit në një procedim të lidhur Moisi Habilaj të kenë qenë në nivelin e bashkëpunimit për kryerjen e veprës penale të trafikimit të lëndëve narkotike, Gjykata vëren situata të pashpjegueshme nisur nga funksioni publik i rëndësishëm i ministrit të Brendshëm, që ka mbajtur i pandehuri Saimir Tahiri në periudhën respektive, të cilat nuk gjejnë argumentim dhe dalin tej kuadrit të marrëdhënieve të farefisnisë së largët që ka pohuar vetë i pandehuri.

Në deklarimet e tij, ai ka mohuar të ketë njohje me Moisi Habilajn, ndërkohë nga provat e analizuara rezulton e kundërta. Moisi Habilaj është angazhuar drejtpërdrejt vetë në dërgimin e mjetit lundrues në përdorim të Ministrit të Brendshëm për riparim në shtator të 2014 në Itali.

I pandehuri Saimir Tahiri nuk ka dhënë asnjë shpjegim për këtë. Bashkëshortja e të pandehurit në dy raste të daljes jashtë shtetit, një rast ne automjetin me targë AA003 GB (që është përdorur veças edhe nga Moisi Habilaj) dhe në rastin tjetër, pikërisht në udhëtimin e njëkohshëm në Itali me Moisi Habilaj në linjë ajrore nuk është regjistruar në dalje dhe hyrje në kufi në sistemin TIMS. Edhe babai i të pandehurit, që ka qenë në udhëtim në linjë ajrore dhe ka qëndruar me Moisi Habilajn në Itali, nuk është regjistruar në sistemin TIMS.

Pra, në mënyrë të përsëritur është shmangur ekspozimi i familjarëve më të afërt të të pandehurit në këto lëvizje, ku në mënyrë direkte ose indirekte mund të bëhej lidhja me Moisi Habilajn. Përgjimet telefonike në shtator të 2017-ës tregojnë se mes Artan Habilajt dhe të pandehurit Saimir Tahiri është ndërmjetësuar një takim nga shtetasi K. Tahiri. I pandehur mohon çdo lloj kontakti të kohëve të fundit me Artan Habilajn, i pyetur në deklarimet e datës 27.10.2017.

Numri telefonik i shtetasit E.R., person mjaft i afërt me të pandehurin Saimir Tahiri dhe funksionar i lartë në Ministrinë e Brendshme, ka komunikime telefonike të shumta me Moisi Habilajn, pjesa dërrmuese e tyre vetëm me mesazhe SMS (4 thirrje, 226 SMS). I pandehuri Saimir Tahiri ka komunikime me shumë numra telefonikë, me të cilët komunikojnë edhe të pandehurit në procedim të lidhur Moisi Habilaj dhe Florian Habilaj, deri tek Armand Koçerri e Nezar Seiti dhe niveli i lartë i këtyre përputhshmërive, vlerësuar nga pozicioni i ministrit të Brendshëm, ngre dyshime.

Në të kundërt, me sa më sipër, funksioni i rëndësishëm publik i ministrit të Brendshëm, por edhe i një drejtuesi të lartë të Policisë së Shtetit siç ka qenë i pandehuri Jaeld Çela, kërkon manifestimin dhe ruajtjen e standardeve më të larta në shmangien e kontakteve qoftë edhe indirekte me persona të përfshirë në krimin e organizuar. E njëjta situatë paraqitet edhe për të pandehurin Jaeld Çela, i cili rezulton se ka kontakte të drejtpërdrejta me të pandehurin në një procedim të lidhur Florjan Habilajn dhe njëkohësisht është pjesë e të njëjtit rrjet të mësipërm komunikimesh me të pandehurin Saimir Tahiri dhe me numrat telefonikë, me të cilët komunikojnë edhe të pandehurit në procedim të lidhur, Moisi Habilaj dhe Florian Habilaj, të cilat për nga numri i lartë i këtyre përputhjeve, vlerësuar për nga pozicioni i tij si drejtor i Policisë së Vlorës, ngrenë dyshime.

Lidhjet me të pandehurin Saimir Tahiri, nuk ishin të panjohura për anëtarët e grupit kriminal të të pandehurit Moisi Habilaj dhe për mjaft punonjës të Policisë në Vlorë, pasi ishin prezantuar vetë nga Moisi Habilaj dhe vërtetoheshin edhe nga kontakte direkte dhe indirekte me të dy të pandehurit. Lidhje të tilla me ministrin e Brendshëm, por edhe me drejtorin e Policisë vendore, ndikojnë në përforcim e anës subjektive tek anëtarët e grupit kriminal për të vijuar me aktivitetet kriminal (në vendosmërinë e tyre për të kryer veprat penale dhe në pritshmërinë se rreziku i zbulimit dhe i ndëshkimit është më i vogël), njëkohësisht krijojnë premisa më të favorshme për infiltrimin e grupit kriminal në radhët e punonjësve të tjerë të Policisë së Shtetit.”

PSE U SHPERDORUA DETYRA?

Me mbajtjen e lidhjeve të pashpjegueshme si ministër i Brendshëm me të pandehurin Moisi Habilaj.

Këto lidhje nuk kanë qenë të panjohura dhe kanë krijuar premisa më të favorshme për infiltrimin e grupit kriminal në radhët e Policisë.

Përfshirja e një numri të lartë të punonjësve të Policisë në këtë aktivitet.

Vazhdimësia dhe ushtrimi i suksesshëm i aktivitetit kriminal të trafikut të narkotikëve nga Moisi Habilaj dhe të tjerë.

Mosmarrja e masave për të vënë në eficiencë të plotë strukturën më të lartë të Policisë së Vlorës për parandalimin e këtij aktiviteti.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura