“Vendimi i BE-së për Shqipërinë dhe Maqedoninë, zhgënjyes”- Reagon DASH: Shpresojmë për vendim pozitiv para verës së ardhshme

Oct 18, 2019 | 22:45
SHPËRNDAJE

Zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit, Morgan Ortagus reagon pas vendimit të Bashkimit Evropian për të mos hapur negociatat për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, duke shprehur zhgënjim për këtë vendim.

MorganOrtagus

Ortagus thekson se një vendim pozitiv do të riafirmonte besueshmërinë e këtyre vendeve drejt rrugës së integrimit, duke shtuar Shtetet e Bashkuara do të mbeten partner strategjik i Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.

Reagimi i plotë:

“Shtetet e Bashkuara mbështesin përkushtimin e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë ndaj integrimit transatlantik dhe aspiratat e tyre për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Jemi të zhgënjyer që Këshilli Europian nuk njohu përpjekjet shumë të forta për reforma të secilit vend me anë të një vendimi për të hapur negociatat për anëtarësim në këtë kohë. Një vendim pozitiv do të kishte riafirmuar besueshmërinë e rrugës së tyre për në BE dhe do t’i ishte kundërvënë vendosmërisht aktorëve të huaj dashakeqës, të cilët kërkojnë të minojnë vlerat perëndimore dhe komunitetin euro-atlantik. Ne njohim faktin që Këshilli Europian nuk i tha “jo” as Shqipërisë dhe as Maqedonisë së Veriut, dhe as nuk përcaktoi kushte të reja për hapjen e negociatave për anëtarësim. Shpresojmë që Këshilli Europian do të arrijë konsensus për një vendim pozitiv për të dy vendet kohë përpara Samitit BE-Ballkani Perëndimor verën tjetër.

Shtetet e Bashkuara do të mbeten partner strategjik i Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë teksa vazhdojnë punën për të forcuar sundimin e ligjit, për të çuar përpara përpjekjet anti-korrupsion, për të zhvilluar ekonomitë e tyre dhe për të luftuar krimin e organizuar. I nxisim të dy vendet të mbeten të palëkundur në ndërtimin e shoqërive transparente, të bazuara në rregulla dhe demokratike që iu përgjigjen nevojave të qytetarëve. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojmë me partnerët europianë për të çuar përpara synimet e përbashkëta të stabilitetit dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura