“Vendimi është nën kërcënim”/ 49 vjetori i vendimit për të drejtën e abortit në SHBA shoqërohet me protesta

Jan 22, 2022 | 23:12
SHPËRNDAJE

Vendimi i Gjykatës së Lartë të Shteteve të Bashkuara më 22 janar të vitit 1973 u dha të drejtën grave për të kryer aborte. Tani, 49 vjet më vonë, ky vendim historik është nën kërcënim, ndërsa qasja në klinikat e abortit në shumë shtete amerikane po kufizohet.

protesta

Aktivistët kundër abortit marshuan në Uashington në prag të 49-vjetorit të vendimit historik të Gjykatës së Lartë në rastin “Roe kundër Wade”, i cili e bëri të ligjshëm abortin në Shtetet e Bashkuara.

Shtëpia e Bardhë, me rastin e këtij përvjetori, bërë thirrje për përmirësimin e qasjes së grave në procedurat e abortit, që po sfidohet tani në gjykatat e vendit.

“Ky është një moment që ne të riangazhohemi për të forcuar qasjen në kujdesin kritik shëndetësor për gratë, mbrojtjen e të drejtës kushtetuese të përcaktuar nga vendimi “Roe kundër Wade” dhe mbrojtjen e lirisë së të gjithë njerëzve për të ndërtuar të ardhmen e tyre.”

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki iu referua vendimit të Gjykatës së Lartë për të mos ndërhyrë në një ligj të ri të Teksasit që ndalon shumicën e aborteve pas javës së gjashtë të shtatzënisë, edhe në rastet e përdhunimit dhe incestit.

Ligji i Teksasit gjithashtu lejon qytetarët privatë të ngrenë padi kundër kujtdo që kryen një abort.

Kufizimet e reja vijnë pasi republikanët u ankuan për vite se ligjet që kufizojnë abortin kanë qenë shumë të dobëta.

“Shtetet e Bashkuara sigurisht që janë një rast i veçantë në komunitetin ndërkombëtar. Ne renditemi në një nivel me Korenë e Veriut dhe Kinën si një nga vendet e botës me më shumë zgjedhje kur bëhet fjalë për abortin”, tha senatori republikan John Cornyn.

Në fakt, aborti është i ligjshëm në shumicën e Evropës dhe në vende të tjera shumë të zhvilluara.

Në dhjetor, Gjykata e Lartë amerikane shqyrtoi një ligj të shtetit të Misisipit që ndalon shumicën e aborteve pas javës së 15-të të shtatzënisë.

Kufizimet në ligjin e Misisipit kundërshtojnë vendimin e Gjykatës së Lartë në lidhje me rastin “Roe kundër Wade” se aborti duhet të lejohet deri pas javës së 24 të shtatzënisë, kur fetusi mund të mbijetojë jashtë trupit të gruas.

Pra, duke mbrojtur ligjin e tij, Misisipi në fakt po i kërkon gjykatës të rrëzojë vendimin “Roe kundër Wade”.

“Mendoj se aborti është një veprim barbar. Është një praktikë e vjetër. Aborti ka dëmtuar gratë dhe familjet për më shumë se 50 vjet”, thotë protestuesja Krista Corbello.

Nga ana tjetër janë ata që mendojnë se gratë kanë të drejtë t’i japin fund shtatzënive pa ndërhyrjen e qeverisë.

“Kjo përpjekje kundër abortit ka të bëjë me politikanët që duan të kontrollojnë trupat e grave. Bëhet fjalë për politikanët që duan t’ua marrin vendimin personal të grave mbi shëndetin e tyre”, thotë ligjvënësja demokrate Lois Frankel.

“Unë vetë nuk kam bërë kurrë abort, por ka mundësi që një ditë të më duhet. Dhe kjo ka të bëjë vetëm me të drejtën e abortit dhe abortin që të çliron”, thotë protestuesja Alison Turkos.

Në rastin e Misisipit, kundërshtarët e abortit po llogarisin në shumicën konservatore 6-3 në Gjykatën e Lartë për t’u dhënë atyre një fitore të shumëkërkuar.

Gjykata e Lartë do të shpallë vendimin e saj këtë vit./ Marrë nga VOA

 

© Panorama.al

Te lidhura