Vendimi, 300 mijë lekë kush prodhon mbi 1 hektarë grurë! Krifca: Nga skema e qeverisë do të përfitojnë mbështetje rreth 7300 fermerë

Jul 30, 2022 | 9:34
SHPËRNDAJE

VALENTINA MADANI/ Qeveria shqiptare, për shkak të ndikimit të krizës nga lufta në Ukrainë, nxit prodhimin vendas, duke vendosur për herë të parë një fond prej 500 milionë lekësh që synon rritjen e sasisë së grurit të prodhuar në Shqipëri.

krifca-770x405-1

Përmes kësaj mase, kultivuesit e grurit me sipërfaqe mbi një hektarë, që janë edhe prodhuesit kryesorë që dalin në treg, do të përfitojnë një mbështetje prej 30 000 mijë lekë për ha. Nga kjo skemë do të përfitojnë mbështetje rreth 7300 fermerë. Vendimin e bëri të ditur ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca, menjëherë pas mbledhjes qeveritare dhe shkak sipas saj është bërë periudha e vështirë si pasojë e luftës në Ukrainë.

“1.2 miliardë lekë i shtohen buxhetit të skemës kombëtare, duke e çuar buxhetin në 4.9 miliardë lekë, më i madhi i vënë në dispozicion. Kemi menduar të fusim një masë të posaçme, fermerët që prodhojnë mbi 1 hektar grurë, do marrin mbështetje 30 mijë lekë për hektar. Me këtë skemë, mbështetje synojmë të dyfishojmë prodhimin e grurit në vend që prodhohet për tregtim nga 60 mijë tonë në 120 mijë tonë.

Të trija këto masa të marra së bashku, mbështetja me naftë, skema e veçantë për rritjen e sipërfaqes së mbjellë me grurë dhe angazhimi për funksionimin e lirë të tregut të furnizimit me grurë në vendet e ‘Ballkanit të Hapur’ forcojmë ndjeshëm rezistencën e vendit ndaj çdo goditje të zinxhirit furnizues me grurë si pasojë e luftës”, deklaroi ministrja. Krifca nënvizoi se në kushtet e ndryshimit të madh dhe dinamik të çmimit të grurit dhe vendosjes së ndalimit të eksportit të tij nga shumë vende, qeveria ka ndjekur me vëmendje në vijim situatën e prodhimit të grurit në vend dhe furnizimit të rregullt me grurë në javët dhe muajt që do të vijnë.

“Mund të raportoj që prodhimi i këtij viti i grurit në vend ka qenë në normat historike të tij duke arritur të prodhojmë në vend përafërsisht 225 mijë tonë grurë, apo gjysmën e sasisë që konsumojmë”, deklaroi ajo. Sipas Krifcës, nga kjo skemë do të përfitojnë mbështetje rreth 7300 fermerë dhe përmes saj synohet rritja e sipërfaqen së kultivuar me grurë në vend me 17 mijë ha, me qëllim që sipërfaqen e kultivuar me grurë për vitin që vjen ta çojnë në 70000 ha në total.

“Me këtë skemë mbështetje synojmë të dyfishojmë prodhimin e grurit në vend që prodhohet për tregtim nga 60 mijë tonë në 120 mijë tonë. Të trija këto masa të marra së bashku, mbështetja me naftë, skema e veçantë për rritjen e sipërfaqes së mbjellë me grurë dhe angazhimi për funksionimin e lirë të tregut të furnizimit me grurë në vendet e Ballkanit te Hapur forcojmë ndjeshëm rezistencën e vendit ndaj çdo goditje të zinxhirit furnizues me grurë si pasojë e luftës”. Përveç rritjes së fondit për bujqësinë, Qeveria vendosi të rrisë edhe ndihmën për sektorin e peshkimit, i cili po përballet me rritjen e madhe të çmimit të naftës dhe kostos së peshkimit. “Nga ky fond do të përfitojnë me 40 lekë litër shtesë subvencion për naftën 203 anije peshkimi në vend”, deklaroi Krifca.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura