Vendimet para ’94, pronarët tri ditë afat për ankimimin

Jun 28, 2016 | 18:00
SHPËRNDAJE

Vetëm 3 ditë kohë u ka mbetur pronarëve për t’iu drejtuar gjyqë- sorit, nëse nuk janë dakord me vlerën e kompensimit që iu është miratuar me ligjin e ri. Afati 30-ditor skadon në fund të këtij muaji dhe pas tejkalimit të tij, familjet që nuk pajtohen me masën e përfitimit nuk do të kenë më të drejtë për ta ankimuar.

kushtetuese

Bëhet fjalë për vendimet e dhëna në vitin 1993 dhe 1994, për të cilat ka përfunduar edhe vlerësimi ekonomik nga Agjencia e Trajtimit të Pronave. Regjistri u publikua në fund të muajit maj. Në total janë 3750 dosje, nga të cilat për rreth 2200 është përcaktuar vlera e kompensimit bazuar në formulën e re, ku një metër katror është çmuar me çmim tregu, por ajo që ka ndryshuar është zëri kadastral i pronës, i cili nuk është ky i sotmi, por ai që rezulton në momentin e konfiskimit. Aplikimi i kësaj skeme, sikundër edhe pritej, është reflektuar në masën e përfitimit, duke e reduktuar ndjeshëm atë.

VORPSI

Kreu i shoqatës “Pronësi me Drejtësi”, Myrshit Vorpsi, ka apeluar pronarët që të ankimojnë vendimin e Agjencisë, nëse nuk pajtohen me masën e përfitimit.

“Të gjithë ata pronarë që janë njohur me vlerën e kompensimit dhe nuk janë dakord, duhet që në mënyrë urgjente ta ankimojnë vendimin në Gjykatën Administrative të Apelit brenda datës 30 qershor. Ky është apeli që ne kemi drejtuar në mënyrë të vazhdueshme”. Sipas Vorpsit, nga ky vlerësim penalizohen mbi 400 familje, të cilat Agjencia i ka konsideruar të ezauruara, duke u hequr të drejtën e kompensimit.

“Janë identifikuar rreth 3750 vendime të dhëna në vitet ’93 dhe ’94, nga të cilat vetëm për 1661 është përcaktuar vlera e kompensimit. Janë 445 çështje të tjera, të cilat Agjencia i ka trajtuar si të ezauruara, pra pronarët nuk do të kompensohen për sipërfaqen që iu është njohur. Veç tyre janë rreth 1500 dosje të tjera, për të cilat nuk është bërë vlerësimi për shkak të mangësive të hasura në dokumentacion”, shprehet më tej kreu i shoqatës “Pronësi me Drejtësi”.

Pak ditë më parë, ministri i Financave, Arben Ahmetaj, pranoi se ligji nuk ishte më i miri i mundshëm, por ai ishte zgjidhja e vetme për të mos e zhytur buxhetin e shtetit në kolaps. Kësaj deklarate Vorpsi i përgjigjet duke thënë se e vetmja gjë që kanë kërkuar pronarët në gjithë këto vite ka qenë kthimi i pronës. Gjë e cila nuk është përmbushur.

“Pronarët janë konsideruar armiq të interesit publik, armiq të buxhetit të shtetit, kur e vetmja gjë që kanë kërkuar pronarët ka qenë kthimi i pronës së tyre. Në këto 25 vite nuk është bërë asgjë, përveçse janë përdorur në çdo fushatë elektorale”.

NDARJA E PARAVE

Pas përfundimit të afatit 1- mujor, Agjencia e Pronave legjitimohet për të nisur ekzekutimin e vendimeve. Ndarja e parave do të bëhet duke ruajtur rendin kronologjik të vendimeve. Gjatë kësaj periudhe pronarët që kanë qenë dakord, mund të aplikonin për të përfituar kompensimin. Depozitimi i kërkesës nuk është i kufizuar në kohë.

Familjet me vendime të para ’94, që u është përllogaritur masa e kompensimit, mund të aplikojnë në çdo moment. Ndërkohë ata të cilët nuk kishin faturë, kanë afat kohor deri në fund të muajit nëntor për të bërë plotësimin e dosjes me dokumentet që duhen.

ADA HAZIZOLLI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura