Vendimet ‘96/ Afatet për ankimimin në Gjykatë, pronarët që rrezikohen

Jan 19, 2018 | 10:00
SHPËRNDAJE

ADA HAZIZOLLI/ Pronarët me vendime ’96, të cilët janë të pakënaqur nga vlerë- simi financiar dhe fatura e dalë me skemën e re, e kanë edhe një mundësi, atë të ankimimit në Gjykatë, shkruan “Panorama”.

agjencia-e-trajtimit-te-pronave

Por edhe ky shans i ofruar, nuk është i pakufizuar. Afati 1-mujor, i caktuar me ligjin e ri për t’iu drejtuar Gjykatës Administrative të Apelit, skadon nesër duke mos u lënë më asnjë hapësirë pronarëve, të cilët nuk janë pajtuar me masën e kompensimit.

Prej 19 dhjetorit, çdo vlerësim i kryer nga ATP është i ekzekutueshëm, çka do të thotë se, të gjithë ata që kanë në duar vendime ‘96 dhe nuk janë dakordësuar me masën e përfitimit që iu është përllogaritur, nuk do të kenë asnjë mundësi apo hapësirë ligjore në favorin e tyre, për ta kundërshtuar.

Me tejkalimin e këtij afati, këto familje humbasin përveç mundësisë së shfrytëzimit të shkallëve të gjyqësorit shqiptar, edhe mundësinë që t’i drejtohen Gjykatës së Strasburgut.

VENDIMET

Më 18 dhjetor, Agjencia e Trajtimit të Pronave publikoi regjistrin me vendimet ’96. Por, nga 4880 dosje të marra në shqyrtim, vetëm për 2780 ka përfunduar vlerësimi financiar dhe është caktuar fatura e kompensimit.

Pjesa tjetër, për shkak të mangësive, janë ende janë në proces. Këto familje kanë afat deri në maj të këtij viti për të dorëzuar pranë agjencisë dokumentet mbi të cilat mund të provojnë origjinën e pronës, pra, llojin e pasurisë, në të kundërt rrezikojnë që për vlerësimin të aplikohen çmimet minimale.

Nga ana tjetër, kanë qenë jo të paktë ata të cilët e kanë gjetur veten jashtë listës së përfituesve, pavarësisht se kanë në duar vendime të ’96-s. Këto familje duhet të interesohen në sportelet e ATP-së mbi fatin e dosjes së tyre, në mënyrë që të mos rrezikojnë kompensimin.

KOMPENSIMI

Nën presionin e kohës dhe një fature të kripur që nevojitet për t’i shkuar deri në fund procesit kompensues, qeveria sërish e ka gjetur zgjidhjen në ngushtimin e lakut për pronarët. Me ndryshimet e bëra së fundmi, përparësi ka marrë kompensimi fizik dhe sikur të mos mjaftonte ky privim, është cunguar edhe kompensimin financiar.

Sipas vendimit të fundit, kompensimi në të holla do të jetë vetëm 20% të vlerës totale të faturës, por në asnjë rast jo më shumë se 10 milionë lekë të reja. Numri i ulët i kërkesave të depozituara ka bërë që të rishikohet edhe skema për ndarjen e parave.

Kështu, është hequr kriteri kronologjik i vendimeve. E vetmja gjë që duhet për kryerjen e çdo pagese është plotësimi i formularit dhe dorëzimi i dokumenteve. Kujtojmë që për vitin e ardhshëm, fondi i vënë në dispozicion nga buxheti i shtetit është 4 miliardë lekë ose rreth 40 milionë dollarë.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura