Vendim kurajoz i Strasburgut në çështjen “Litvinenko”

Sep 28, 2021 | 8:30
SHPËRNDAJE

xhezair-zaganjoriXHEZAIR ZAGANJORI

Një ditë më parë, më 21 shtator 2021, një nga dhomat e zakonshme të gjykimit me shtatë gjyqtarë të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDRNJ), me një shumicë vendimmarrëse 6-1 (kundër vetëm gjyqtari rus Dmitry Dedov) dha vendimin e saj të shumëpritur mbi çështjen “Litvinenko”, duke bërë përgjegjës Rusinë për vrasjen e tij në Britani. Çështja njihet në fakt me emrin Carter kundër Rusisë, pasi kërkesën në Strasburg në këtë rast e ka bërë që në vitin 2007 e veja e Litvinenkos, njëkohësisht shtetase ruse dhe britanike, Maria Anna Carter.

Megjithëse vendimi i dhomës së zakonshme nuk është përfundimtar, pasi brenda tre muajve nga shpallja ai mund të ankimohet nga Rusia në Dhomën e Madhe të GJEDRNJ, menjëherë ka pasur reagime e debate të shumta ndaj tij, kryesisht për shkak të kurajës që ka treguar trupa gjyqësore për ta shtrirë edhe më shumë juridiksionin e Gjykatës së Strasburgut, veçanërisht në rastet kur bëhet fjalë për respektimin e detyrimeve pozitive të shteteve anëtare për të garantuar sa më mirë të drejtën e jetës. Më konkretisht, Gjykata në këtë vendim shqyrton me shumë kujdes jurisprudencën e saj mbi juridiksionin që ajo ka në rastet kur shtrohet çështja e përgjegjësisë së shtetit anëtar lidhur me veprimet jashtë territorit të tyre të personave të veshur me autoritet shtetëror, duke qenë njëkohësisht nën drejtimin dhe kontrollin efektiv të shtetit respektiv. I tillë është, për shembull, rasti Ocalan kundër Turqisë, në të cilin GJEDRNJ konstatoi se ka juridiksion për shqyrtimin e kërkesës, pavarësisht se rrëmbimi i kërkuesit (Ocalanit) ishte bërë në kryeqytetin e Kenias, Najrobi, nga një njësi e veçante e shërbimit sekret turk, të cilët u kthyen më pas në Ankara me avion të veçantë e të tjerë.

Në rastin konkret, Strasburgu e zgjeron edhe më tej këtë koncept. Në vendimin e djeshëm thuhet ndër të tjera se vetë fakti i fillimit të procedimit penal në Rusi për vdekjen e Litvinenkos, krijon një “lidhje juridiksionale” mes saj dhe shtetit rus. Nga ana tjetër, mosekstradimi në Britani i dy shtetasve rusë të akuzuar për vrasjen e Litvinenkos, shoqëruar kjo edhe me mosdhënien e dokumentacionit apo informacionit mbi rezultatet e këtij hetimi, përbëjnë një “tipar të veçantë” të juridiksionit rus në këtë çështje, aq më tepër që bëhet fjalë për një shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut. Mbi këtë bazë, ajo konsideron se ka juridiksion për gjykimin e kërkesës së paraqitur nga kërkuesja. Konfirmimi i mundshëm i këtij standardi nga Dhoma e Madhe, sigurisht që do të ishte një zhvillim i rëndësishëm në interpretimin e nenit 1 të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut, i cili bën fjalë pikërisht mbi çështjen e juridiksionit të GJEDRNJ.

Megjithatë, le ta shohim shkurtimisht vendimin e mësipërm të kësaj Gjykate.

Bëhet fjalë për Aleksandër Litvinenkon, shtetas rus dhe britanik, lindur në Rusi në vitin 1962, i cili vdiq në Londër, më 23 nëntor të vitit 2006. Sipas hetimit dhe ekspertizës së bërë në Britani, vdekja kishte ardhur për shkak të helmimit të tij në lokalin e një hoteli në Londër, me lëndën radioaktive Polonium 210.

Deri në vitin 1998, Litvinenko kishte punuar në shërbimin sekret të Rusisë. Në këtë vit, ai bëri publikisht të njohur pretendimin e tij se i ishte kërkuar të vriste një biznesmen të njohur. Për këtë shkak, ai shkarkohet nga puna dhe më pas ikën në Britani së bashku me familjen, ku në vitin 2001 marrin statusin e azilantit, ndërsa në vitin 2006 fitojnë edhe shtetësinë britanike. Në vijim, Litvinenko angazhohet për të bërë publike rastet e përfshirjes së shërbimit sekret rus në çështje korrupsioni dhe krimi të organizuar. Supozohet gjithashtu se Litvinenko bashkëpunonte edhe me autoritetet zyrtare britanike, spanjolle e italiane për t’i këshilluar ato lidhur me veprimtarinë e shërbimit sekret rus në Europë, si dhe krimin e organizuar në Rusi.

Provohet se në tetor të vitit 2006, shtetasi rus Andrey Logovoy, i cili njihej prej vitesh me Litvinenkon, shoqëruar nga Dmitry Kovtun, kishin udhëtuar së bashku tri herë rresht në Londër (respektivisht me 16, 25 dhe 31 Tetor). Në të tria herët, ato janë takuar edhe me Litvinenkon. Pas një darke që kishin herën e parë, vonë natën Litvinenko kishte të vjella dhe qëndroi në shtëpi për dy ditë me radhë pasi ishte i sëmurë, pa ditur shkakun e saj. Herën e dytë nuk ka asnjë zhvillim të veçantë, ndërsa herën e tretë konstatohet se në hotelin ku qëndronin kishin pirë çaj me Litvinenkon në darkën e datës 1 nëntor 2006. Atë mbrëmje, natën vonë, Litvinenko sëmuret dhe shtrohet në spital, ku konstatohet qartësisht helmimi i tij me një masë të konsiderueshme lënde radioaktive, Polonium 210. Me 23 nëntor, ai vdes në spital.

Nga hetimi i çështjes në Britani, konstatohet se në të gjitha ambientet ku kanë qëndruar në të tria udhëtimet në Londër shtetasit rusë Logovoy dhe Kovtun, kishte gjurmë të lëndës radioaktive Polonium 210 (në avion, në dhomat e hotelit ku kanë qëndruar, në restorantet dhe kafenetë që kanë frekuentuar, në vendin e stadiumit të Arsenalit ku kanë parë një ndeshje futbolli, në tasin e çajit që kanë pirë më datë 1 nëntor 2006, e të tjerë).

Hetimi i nisur në Britani në vitin 2007 arriti fillimisht në përfundimin se ka prova të mjaftueshme për të ngritur akuzën për vrasje vetëm ndaj shtetasit Logovoy. Autoritet ruse refuzuan ekstradimin e tij me pretendimin se nuk mund të ekstradohej një shtetas rus. Aq më tepër që një gjë e tillë u bë krejtësisht e pamundur sipas autoriteteve ruse, pasi po në këtë vit, në dhjetor 2007, Logovoy u bë anëtar i Parlamentit rus, duke gëzuar kështu edhe imunitet parlamentar. Në vitin 2011, akuza për vrasje u ngrit në Britani edhe ndaj shtetasit tjetër rus Kovtun, por edhe në këtë rast u refuzua ekstradimi. Aktualisht, për të dy këta persona ka një urdhërarresti në Britani.

Në vitin 2006 u bë e ditur se hetimi për vrasjen e Litvinenkos në Britani kishte filluar edhe në Rusi, por për rezultatet e tij nuk u dha asnjëherë informacion i saktë.

Ndërkaq, hetimet e zhvilluara në Britani u bënë zyrtarisht të njohura në janar të vitit 2016. Sipas tyre, nuk ka asnjë lloj dyshimi se Litvinenko është helmuar përmes përdorimit të Poloniumit 210 dhe se kjo substancë radioaktive është administruar nga Lugovoy dhe Kovtun. Me këtë rast përjashtohej tërësisht mundësia e helmimit aksidental apo e vetëhelmimit të Litvinenkos. Po sipas rezultateve zyrtare të hetimit britanik, provohej edhe lidhja e dy të akuzuarve me shtetin rus, pasi sipas “provave të hapura dhe të mbyllura”, arrihej në përfundimin se “Lugovoy ka vepruar sipas udhëzimeve të drejtpërdrejta të shërbimit sekret rus. Po kështu, edhe Kovtun ka vepruar sipas udhëzimeve të shërbimit sekret rus, megjithëse angazhimi i tij mund të jetë indirekt, përmes Lugovoy-it…”.

Në vendimin e saj të djeshëm, GJEDRNJ thekson që në fillim se Rusia nuk ka përmbushur detyrimet e saj për një bashkëpunim efektiv gjatë gjithë fazës së shqyrtimit të çështjes në Strasburg, duke shkelur kështu nenin 38 të Konventës. Ajo rrëzoi gjithashtu edhe pretendimin paraprak të qeverisë ruse për të mos përdorur si provë rezultatet e hetimit në Britani, duke theksuar se në vlerësimin e saj, pra, të GJEDRNJ, ky hetim “…plotëson kërkesat për pavarësi, ndershmëri dhe transparencë”.

Në vijim, GJEDR analizon pretendimet e ngritura në kërkesë lidhur me cenimin e standardeve që kërkohen për garantimin e të drejtës së jetës, si në aspektin procedural, ashtu edhe në aspektin material të saj.

Lidhur me aspektin procedural të së drejtës së jetës, ajo vë në dukje ndër të tjera se:

“….Lidhja juridiksionale ndërmjet Rusisë dhe vdekjes në Britani të z. Litvinenko krijohet për shkak të fillimit të hetimit të çështjes në Rusi. Përveç kësaj, fakti që Rusia kërkon të ketë juridiksion ekskluziv ndaj një individi (z.Lugovoy) që është akuzuar për shkelje serioze të të drejtave të njeriut, përbën ‘një tipar të veçantë’ për sa i përket juridiksionit rus në këtë çështje… pasi shkelja e pretenduar e nenit 2 të Konventës është bërë në një shtet tjetër të Këshillit të Europës…”.

Më pas, Gjykata konstaton se pavarësisht njoftimit formal nga ana e qeverisë ruse mbi marrjen e masave konkrete për hetimin e çështjes, asnjë prove apo material i rëndësishëm nuk është paraqitur para saj nga pala ruse. Kjo tregon se autoritetet ruse nuk kanë qenë në gjendje të bëjnë një hetim efektiv, të nevojshëm për të identifikuar e dënuar personat përgjegjës për vrasjen e kryer. Gjykata thekson gjithashtu se edhe imuniteti parlamentar që gëzon nga dhjetori i vitit 2007 z.Lugovoy, nuk duhet të jetë pengesë absolute për hetimin dhe procedimin e tij. Për më tepër, atij mund t’i ishte hequr imuniteti edhe me pëlqimin e vetë Parlamentit. Mbi këtë bazë, GJEDRNJ arrin në përfundimin se ka pasur shkelje të aspektit procedural të nenit 2 të Konventës, për shkak të dështimit të autoriteteve ruse për të bërë një hetim efektiv mbi vdekjen e z. Litvinenko.

Lidhur me aspektin material të së drejtës së jetës, GJEDRNJ vë në dukje se:

“Z. Litvinenko ndodhej në Britani në kohën e helmimit, pra, në një territor ku Rusia nuk ushtron kontroll efektiv. Për të përcaktuar nëse Rusia ka në këtë rast juridiksion për shkak të veprimtarisë së agjentëve të saj jashtë territorit rus, Gjykata duhet të marrë në konsideratë dy çështje: (i) Nëse vrasja është bërë për shkak të ushtrimit të kontrollit dhe dhunës mbi jetën e viktimës, bazuar në një objektiv të caktuar, dhe (ii) Nëse vrasja është realizuar nga individë që veprojnë në emër të shtetit..”.

Për çështjen e parë theksohet në vijim se nuk ka asnjë dyshim që vrasja është realizuar nga Lugovoy dhe Kovtun. Planifikimi i një operacioni që përfshin sigurimin e një helmi të rrallë vdekjeprurës, realizimi i fluturimeve dhe përpjekjet e përsëritura për të përdorur helmin, tregojnë se z.Litvinenko ka qenë targeti i këtij plani dhe se ai ka qenë nën kontrollin fizik të z. Lugovoy dhe z. Kovtun, të cilët bashkërisht kanë ushtruar dhunë ndaj jetës së tij.

Për çështjen e dytë, Gjykata vë në dukje se vetë ajo nuk ka asnjë të dhënë që të tregojë se ndonjëri nga të akuzuarit kishte arsye personale për të vrarë z. Litvinenko. Ajo shton më tej se po të kishin vepruar thjesht si individë, ata nuk do të kishin mundur të dispononin lëndën e rrallë radioaktive që e përdorën si helm. Nga ana tjetër, nëse do të pretendohej që Lugovoy dhe Kovtun kanë vepruar individualisht, kjo duhej dokumentuar e sqaruar nga autoritetet ruse. Në këto kushte, ajo konkludon se ka arsye të forta të besohet se në vrasjen e kryer, dy të akuzuarit kanë vepruar nën drejtimin dhe kontrollin e autoriteteve ruse.

Për sa më sipër, GJEDR arrin në përfundimin se kemi cenim edhe të aspektit material të nenit 2 të Konventës, që garanton të drejtën e jetës. Sigurisht që ende nuk dihet përfundimisht fati i këtij gjykimi, pasi siç theksuam edhe në fillim, Rusia ka tre muaj afat për ta kundërshtuar atë në Dhomën e Madhe të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut. Pavarësisht kërkesës së mundshme të Rusisë, rigjykimi ose jo i saj në këtë Dhomë vendoset nga një panel i përbërë nga pesë gjyqtarë të GJEDRNJ, përfshirë këtu edhe Presidentin e kësaj Gjykate. Sidoqoftë, mendoj se do të ishte mirë të bëhej një gjë e tillë edhe nëse vendimi i djeshëm i dhomës normale të gjykimit nuk do të ndryshonte, pasi normalisht që në kuptimin jurisprudencial dhe doktrinar, standarde kaq të guximshme e të rëndësishme në fushën e të drejtave të njeriut kanë nevojë për një bazë më të gjerë konfirmimi, saktësimi e mbështetjeje nga trupa gjyqësore e GJEDRNJ.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura