Vendim i rëndësishëm për paqen në Lindjen e Mesme

Jun 24, 2020 | 9:15
SHPËRNDAJE

XHEZAIR ZAGANJORI xhezair-zaganjori

Më 9 qershor të këtij viti, Gjykata e Lartë e Republikës së Izraelit dha një vendim shumë të rëndësishëm, që nxit procesin e paqes në Lindjen e Mesme, proces që prej dekadash shqetëson dhe angazhon edhe sot seriozisht jo vetëm vendet e rajonit, por të gjithë bashkësinë ndërkombëtare. Duke kryer edhe funksionin e kontrollit kushtetues, pra, duke vepruar edhe si Gjykatë Kushtetuese, në çështjen Siwad Municipality v. Knesset (Bashkia qytetit Siwad kundër Parlamentit izraelit), me tetë vota pro dhe një kundër, Gjykata e Lartë izraelite vendosi që ligji “Mbi rregullimin e kolonizimit” të tokave në Bregun Perëndimor cenon rëndë të drejtën e pronës si dhe dinjitetin dhe barazinë individuale, të garantuara nga ligji themelor, ndaj si i tillë ai duhet të shfuqizohet. Sqarojmë me këtë rast se Republika e Izraelit nuk ka një Kushtetutë. Kornizën apo kuadrin kushtetues të vendit e përbëjnë bashkërisht 14 ligje të rëndësishme, mes të cilëve edhe Ligji për Dinjitetin dhe Barazinë, i cili është edhe pika kryesore e referencës në këtë vendim.

Në fakt, për historinë e lashtë, brilante, të lavdishme, por edhe të dhimbshme të tokave të shenjta dhe të këtij rajoni në përgjithësi, mund të flitet pafundësisht. Megjithatë, për vendimin në fjalë, me rëndësi është të dihet se Bregu Perëndimor është një hapësirë prej 5, 640 kilometra katrorësh, përfshirë këtu edhe një pjesë të Jerusalemit Lindor. Kjo hapësirë ka aktualisht një popullsi me rreth 3 milion palestinezë dhe rreth 600 mijë kolonë israelite. Bregu Perëndimor kufizohet në Lindje me Jordaninë, ndërsa në veri, në perëndim dhe në jug me territoret e Izraelit.

Me krijimin e shtetit të Izraelit dhe shpërthimin e konfliktit arabo–izraelit në vitin 1948, Bregu Perëndimor u aneksua fillimisht nga Jordania (në vitin 1950). Por në vitin 1967, pas së ashtuquajturës Luftë 6-Ditore, kjo hapësirë mbahet kryesisht nën kontrollin ushtarak izraelit, duke gëzuar statusin e Territoreve të Pushtuara, e njohur si e tillë edhe nga OKB, e cila ka qenë vazhdimisht e angazhuar për procesin e paqes në Lindjen e Mesme. Në një pjesë të vogël të këtij territori, sipas marrëveshjeve të Oslos, të nënshkruara respektivisht në vitin 1993 në Uashington dhe në vitin 1995 në Taba të Egjiptit, ushtron autoritet edhe e ashtuquajtura qeveri palestineze (Autoriteti Palestinez). Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, në vendimin e saj këshillimor në vitin 2004, ka theksuar ndër të tjera se pushtimi i Bregut Perëndimor nga ana e Izraelit në vitin 1967, si dhe marrëveshjet mbi këtë çështje, përfshi edhe marrëveshjet e Oslos, nuk e ndryshojnë statusin juridiko–ndërkombëtar të këtij territori, si territor i pushtuar nga ana e Izraelit. Po kështu, ky pushtim si dhe vendosja e kolonëve izraelitë në hapësirat e Bregut Perëndimor, konsiderohen në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare. Pikërisht për këto arsye, palët janë ftuar vazhdimisht të zhvillojnë bisedime për të gjetur zgjidhjet e duhura në rrugë paqësore.

Po sipas normave të së drejtës ndërkombëtare bashkëkohore, në Territoret e Pushtuara duhet të vazhdojnë të zbatohen ligjet që ishin në fuqi në kohën e pushtimit, deri në përfundimin e marrëveshjes së paqes mes palëve në konflikt. Autoritetet pushtuese mund të miratojnë në parim aktet e nevojshme për administrimin e këtyre territoreve, por gjithnjë duke pasur parasysh legjislacionin e mëparshëm që vepronte në këto toka. Prandaj, normalisht i bie që në Territoret e Pushtuara të zbatohet legjislacioni bazë jordanez, ndërsa aktet e administrimit të tyre të miratohen nga Komanda Ushtarake izraelite. Nga ana tjetër, Izraeli ka tentuar në vijimësi vitet e fundit të kolonizojë me popullsi izraelite një pjesë të mirë të territoreve të Bregut Perëndimor, një projekt ky mjaft i debatuar si në planin e brendshëm, ashtu edhe në atë ndërkombëtar. Rreth një javë më parë, kundër këtij plani janë shprehur zyrtarisht jo vetëm Bashkimi Europian, por edhe vende të tij anëtare si Gjermania, Britania, e të tjerë, pasi, sipas tyre, kjo do të acaronte situatën në rajon dhe do të prishte tërësisht procesin e paqes. Sidoqoftë, le të rikthehemi te rasti konkret.

Në shkurt të vitit 2017, Parlamenti izraelit (Knesseti) miratoi ligjin në fjalë, pra, ligjin “Mbi rregullimin e kolonizimit”, sipas të cilit krijohej një mekanizëm i veçantë për shpronësimin, kundrejt pagesës të tokave private të qytetarëve palestinezë në hapësira të ndryshme të Bregut Perëndimor, ku ishin ndërtuar tashmë shtëpi private apo qendra banimi për qytetarë izraelitë, me apo pa lejen respektive të autoriteteve shtetërore të Izraelit. Sipas këtij ligji, qytetarët izraelitë që banojnë në këto shtëpi, ishin tashmë pronarë në “mirëbesim”, sepse vetë ato nuk kishin qenë asnjëherë në dijeni që toka, mbi të cilën janë ndërtuar banesat e tyre, ishte në pronësinë private të qytetarëve palestineze. Përveç kompensimit në para, ligji parashikonte edhe mundësinë e kompensimit me një sipërfaqe toke të caktuar diku në një vend tjetër.

Kërkuesit në Gjykatën e Lartë kërkuan deklarimin si në kundërshtim me ligjin themelor të ligjit në fjalë, duke pretenduar ndër të tjera se Parlamenti izraelit nuk ka kompetencë për të miratuar ligje që shtrijnë efektin në hapësirat ekstraterritoriale që kanë statusin e Territorit të Pushtuar dhe se, nga ana tjetër, ky ligj cenon të drejtën kushtetuese të pronës, të drejtën për një jetë normale si dhe dinjitetin e barazinë e individuale, të garantuara nga një prej ligjeve themelore izraelite, e konkretisht nga Ligji mbi Dinjitetin dhe Lirinë Njerëzore.

Përfaqësuesit e qeverisë izraelite kundërshtuan argumentet e kërkuesve, duke përmendur ndër të tjera që Parlamenti izraelit nuk mund të ndalohej në asnjë mënyrë për të miratuar ligje që kanë edhe impakt ekstraterritorial dhe se sipas praktikës së konsoliduar në Izrael, ligjet e miratuara nga Knesseti kanë përparësi në rast kolizioni me normat e së drejtës ndërkombëtare. Megjithatë, ato theksuan se në rastin konkret, ligji “Mbi rregullimin e kolonizimit” nuk cenon as të drejtën ndërkombëtare dhe as të drejtën kushtetuese izraelite.

Në vendimin e Gjykatës së Lartë të datës 9 qershor 2020, hartuar nga kryetarja e kësaj gjykate, zonja Ester Hayut, relatore e çështjes dhe juriste e njohur e me shumë përvojë, deklarohet qartësisht që në fillim se ligji i kontestuar crnon rëndë garancitë kushtetuese të shtetit të Izraelit. Më pas vjen arsyetimi i plotë i vendimit, që është mjaft interesant, por edhe kontradiktor në pjesë të veçanta të tij. Nuk është rasti për të analizuar hollësisht në këtë artikull vendimin e Gjykatës së Lartë. Megjithatë, shkurtimisht mund të theksohet se në pjesën lidhur me kompetencën e Parlamentit për miratimin apo jo të ligjit në fjalë, ndërsa thuhet që nuk shihet e nevojshme të vlerësohet nëse Knesseti ka apo jo të drejtë të miratojë legjislacion me efekt në Territoret e Pushtuara, vë në dukje më pas se ligjvënësi izraelit, kur miraton ligjet, duhet të bazohet gjithnjë te legjislacioni kushtetues, pavarësisht vendit se ku mund të zbatohen këto ligje, brenda apo jashtë territorit izraelit, duke lënë kështu të nënkuptohet se në parim ato mund ta shtrijnë efektin e tyre edhe në Territoret e Pushtuara. Sidoqoftë, pjesa e arsyetimit që merret me grupin e dytë të pretendimeve është shumë e qartë dhe e ndërtuar mjaft bukur, pasi kalohet natyrshëm e me logjikë nga një grup argumentesh në tjetrin, duke pasur si pikë reference standardet kushtetuese dhe ato ndërkombëtare. Mbi këtë bazë, në pjesën arsyetuese përcaktohet fillimisht se ka qartësisht ndërhyrje në të drejtat e pretenduara në kërkesë. Bëhet më pas konstatimi tjetër se kjo ndërhyrje në rastin konkret është bërë me ligj, duke u ndalur në vijim për të analizuar qëllimin e miratimit të ligjit. Në këtë drejtim, ajo konstaton se miratimi i këtij ligji është bërë për të legjitimuar në mënyrë retroaktive ndërtimet e paligjshme të bëra në Tokat e Pushtuara të Bregut Perëndimor. Përveç kësaj, evidenton gjithashtu se ekziston edhe një qëllim apo pretendim me natyrë humane, që është synimi për të zvogëluar apo lehtësuar dëmin që mund të pësojnë kolonët izraelitë të vendosur në “mirëbesim” në këto banesa, veçanërisht po t’u kërkohet të largohen prej tyre. Pretendimi i parë për ligjshmërinë e qëllimit rrëzohet menjëherë në arsyetim, ndërsa i dyti vlerësohet si relevant për çështjen, por që pas këtij momenti i nënshtrohet testit të proporcionalitetit, që do të thotë analizës së hollësishme të nevojës së ndërhyrjes, mjeteve te përdorura si dhe raportit që krijohet në këtë rast me të drejtën e pronës që kanë në këtë territor qytetarët palestinezë. Për këtë qëllim, ndër të tjera, bëhet konstatimi mjaft i goditur se ligji “Mbi rregullimin e kolonizimit”, megjithëse në dukje i formuluar me terma të përgjithshme e neutrale, është miratuar, në fakt, tërësisht në përfitim të kolonëve izraelitë dhe në dëm të banorëve palestinezë, pa marrë në konsideratë statusin e tyre të veçantë, si subjekte të pushtimit ushtarak izraelit në Bregun Perëndimor. Mbi këtë bazë, vendimi thekson qartësisht se ligji i kontestuar garanton praktikisht një trajtim krejtësisht preferencial të hebrenjve, duke cenuar rëndë të drejtën e pronës, dinjitetin dhe barazinë e pronarëve të tokave në Territoret e Pushtuara. Për këto arsye, përfundimisht, vendimi i Gjykatës së Lartë e deklaron të pavlefshëm ligjin “Mbi rregullimin e kolonizimit” të Territoreve të Pushtuara.

Vendimi i Gjykatës së Lartë është pritur me komente e vlerësime të shumta, brenda e jashtë Izraelit. Përgjithësisht vlerësohet si mjaft i rëndësishëm për mbrojtjen e të drejtave të palestinezëve që jetojnë në Bregun Perëndimor, “…të cilët jetojnë nën pushtetin e një qeverie që nuk është zgjedhur prej tyre…”, prandaj vihet në dukje se “… nuk mund të merren vendime për njerëz që nuk janë të përfaqësuar në institucione”, dhe se pikërisht për këtë arsye, “…interesat e tyre duhet të mbrohen me shumë kujdes për shkak të statusit të tyre si një popullsi që jeton në një territor të kontrolluar ushtarakisht..”. Theksohet gjithashtu se Parlamenti izraelit “…nuk mund të miratojë ligje që cenojnë të drejtën ndërkombëtare humanitare…”, e të tjerë.

Nga ana tjetër, vendimi i Gjykatës së Lartë ka ndezur së tepërmi debatin e brendshëm politik në Izrael. Ndërsa partitë e majta dhe të qendrës e vlerësojnë atë si pozitiv, në ndihmë të procesit të paqes dhe shprehje e pavarësisë së Gjykatës së Lartë, partitë e djathta e kundërshtojnë fuqishëm këtë vendim, duke e akuzuar Gjykatën e Lartë se ka uzurpuar kompetencat e të tri pushteteve, duke dëmtuar rende interesat e Izraelit. Prandaj, ato po theksojnë çdo ditë me forcë nevojën e ndryshimeve kushtetuese sa më të shpejta, të cilat do t’i hiqnin mundësinë asaj (pra, Gjykatës së Lartë) të kontrollojë në të ardhmen kushtetutshmërinë e ligjeve të miratuara nga Parlamenti (Knesseti).

Pavarësisht shmangies gjer tani të deklaratave të drejtpërdrejta, vlerësohet se ky vendim i Gjykatës së Lartë mund të bëhet shumë shpejt prova apo testi i parë i rëndësishëm i koalicionit të tanishëm qeveritar mes Partisë së djathtë, Likud, të drejtuar nga Benjamin Netanjahu dhe Partisë së qendrës, Bardh e Blu, të drejtuar nga ish-gjenerali Benny Ganz. Koalicioni është me rrotacion dhe në kushte pariteti, saqë në çdo kohë dhe në çdo rast, pala tjetër ka të drejtën e vetos mbi çdo vendim të rëndësishëm që merr qeveria. Nga ana tjetër, Netanjahu është një nga kritikët më të mëdhenj të Gjykatës së Lartë dhe promovues i ndryshimeve kushtetuese për zvogëlimin e ndjeshëm të kompetencave të saj, në një kohë që Benny Ganz e ka vlerësuar gjithnjë shumë rolin e kësaj Gjykate për mbrojtjen e vlerave kushtetuese dhe garantimin e parimeve të shtetit të së drejtës. Kësaj situate i duhet shtuar gjithashtu edhe plani i deklaruar qartë nga Netanjahu për aneksimin e plotë dhe de jure, me ligj, të Bregut Perëndimor, në një të ardhme jo shumë të largët. Le të presim zhvillimet e mëtejshme, me urimin dhe shpresën se zgjidhjet do të jenë të pranueshme për të gjitha palët dhe në funksion të paqes, stabilitetit e zhvillimit të rajonit, ashtu siç e përcjell mesazhin edhe vendimi i Gjykatës së Lartë të Izraelit, i datës 9 qershor 2020.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura