Vendim i papritur, jep dorëheqjen mjeku i Kombëtares

Jul 24, 2016 | 11:45
SHPËRNDAJE

Mjeku i Kombëtares shqiptare, Arben Çeliku, ka dhënë dje dorëheqjen nga kjo detyrë. “Panorama Sport” zbuloi dje përmes një “e-maili” dërguar drejtuesve të FSHF-së se Çeliku ka njoftuar për largimin e tij.

arben celiku

Mësohet se kjo dorëheqje ka qenë e papritur për krerët e institucionit të futbollit, të cilët kanë mbetur të habitur kur kanë mësuar për vendimin e mjekut. Ortopedi i njohur ka qenë nga muaji maj i vitit 2008 në detyrën e mjekut të Kombëtares. Ai së fundmi ka qenë i angazhuar edhe në Europianin e Francës, i cili ka qenë edhe kulmi për të gjithë pjesëtarët e ekipit kuqezi.

celiku doreheqja

“Po ju paraqes dorëheqjen time si mjek i ekipit Kombëtar për arsye personale. Duke i uruar Shqipërisë suksese të mëtejshme në kompeticionet e ardhshme, falënderoj stafin mjekësor që bëri të mundur me punën e palodhur të kontribuojë në sukseset e skuadrës”, u shkruante ndër të tjera, dje, mjeku i Kombëtares drejtuesve të FSHF-së duke mos dhënë arsye konkrete për këtë largim, por vetëm citonte frazën: “Arsye personale”.

arben celiku de biazi

Nuk dihet se çfarë e ka shtyrë Çelikun të japë dorëheqjen nga kjo detyrë, ndërkohë që duhet theksuar se aktualisht ai është shef i shërbimit të Ortopedi-Traumatologjisë në Spitalin Universitar të kryeqytetit. Kujtojmë që gjatë Europianit të Francës, krahas mjekut Arben Çeliku, Kombëtarja në staf kishte edhe fizioterapistët Ylli Mihali, Alban Merepeza dhe Filipo Iori, të cilët kanë disa vite që janë pjesë e kuqezinjve.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura