“Vendim i paprecedent në tre dekada pluralizëm”- Meta paralajmëron mosnjohjen e ndryshimeve Kushtetuese: Thellojnë konfliktin….

Jul 16, 2020 | 13:44
SHPËRNDAJE

Presidenti, Ilir Meta deklaroi sot se ai nuk do t’i njohë ndryshimet Kushtetuese të paralajmëruar nga maxhoranca dhe opozita e re në Kuvend, me anë të të cilave synohet heqja e koalicioneve dhe hapja e pjesshme e listave.

Meta e ka quajtur sot si veprim të paprecedent ndërhyrjen në Kushtetutën e vendit në një kohë që në Shqipëri ka qenë e vendosur gjendja e Fatkeqësisë Natyrore.

Për Presidentin miratimi i ndryshimeve të njëanshme Kushtetuese do të thellojë më tej konfliktin politik dhe institucional në vend.

“Iniciativa është antikushtetuese, sepse procedura parlamentare për ndryshimet është në kundërshtim flagrant me kushtetutën, sepse gjatë gjendjeve në marrjen  e masave të jashtëzakonshme nuk ndryshohen kushtetuta, ligjet për zgjedhjet dhe masat e jashtëzakonshme.

Asnjë ndryshim i kushtetutës nuk merret në kohën e vendosjes së marrjes së masave të jashtëzakonshme.

Në 15 qershor kur u dorëzua nisma vendi ishte në gjendje të emergjencës.

Neni 96 i kushtetues nuk është ndryshuar asnjëherë, as në 2008 e as në 2016, që njeh organizimin e partive në koalicione, ai nen është vënë që në referendumin e 1998 nga shqiptarët dhe është i paprekshëm.

Kjo thellon konfliktin politik në vend dhe atë institucional, që kanë qenë shqetësuese.  Si garant i kushtetuese u bëj thirrje për përgjegjshmëri dhe reflektim dhe siguroj qytetarët se do të ushtroj përgjegjësitë e mia kushtetuese, për të frenuar, paralizuar dhe zhvlerësuar veprim të tillë të paprecedentë në 3 dekada pluralizmi, nuk do të njihet nga Presidenti një akt i tillë”, thekson Meta.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura