Vendi vakant që prej janarit 2018/ Presidenti Meta hap garën për të tretën herë për të zëvendësuar Besnik Imerajn në Gjykatën Kushtetuese

Sep 24, 2020 | 12:04
SHPËRNDAJE

Vendi vakant që prej janarit 2018/ Presidenti Meta hap garën për të tretën herë për të zëvendësuar Besnik Imerajn në Gjykatën Kushtetuese

gjykata-kushtetuese

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka shpallur për të tretën herë procedurën për plotësimin e vendit vakant në Gjykatën Kushtetuese.

Kjo vakancë është krijuar pas përfundimit para kohe të mandatit të ish-gjyqtarit Besnik Imeraj, i cili dha dorëheqjen më 31 janar 2018.

Vendi vakant që prej janarit 2018/ Presidenti Meta hap garën për të tretën herë për të zëvendësuar Besnik Imerajn në Gjykatën Kushtetuese

Në garën e parë, nga 15 (pesëmbëdhjetë) kandidatë që shprehën interesin për konkurrim, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi shqyrtoi dhe lejoi kandidimin vetëm për 2 kandidatë, konkretisht: Besnik Muçi dhe Regleta Panajoti. Pasi u zgjodh zt.Muçi, u detyrua të jepte dorëheqjen pasi u shkarkua nga procesi i vettingut.

Në garën e dytë, nuk është lejuar kandidimi për asnjë nga 8 kandidatët, që shprehën interes dhe paraqitën kandidaturën, ndërsa për kandidatin e fundit të ngelur në garë të verifikuar nga KED, zotin Shaqir Hasanaj, vendimi i KED-së për ndalimin nga kandidimi është kundërshtuar në Gjykatën e Apelit Administrativ dhe nuk ka ende një vendim gjyqësor të formës së prerë.

Dekreti i Presidentit të Republikës hyn në fuqi menjëherë, çka nisin procedurat për përzgjedhjen e kandidaturave.

Presidenti i Republikës, duke vlerësuar informacionin e përcjellë nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi dhe ecurinë e procesit për plotësimin e këtij vendi vakant, dhe ripërtëritjen sa më parë të Gjykatës Kushtetuese, fton dhe inkurajon:

Çdo person të interesuar që plotëson kushtet dhe kriteret e parashikuara në Kushtetutën e vendit dhe nenin 7/a të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, të marrë pjesë në këtë procedurë konkurrimi të hapur publik për plotësimin e vendit vakant, për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese dhe të paraqesë pranë Institucionit të Presidentit të Republikës këto dokumente:

  • Kërkesën për shprehjen e interesit për të kandiduar për vendin vakant të rishpallur;
  • Jetëshkrimin, me të dhënat e plota të kontaktit (numër telefoni/e-mail);
  • Fotokopje të kartës së identitetit;
  • Dokumentacionin shoqërues, nëpërmjet të cilit vërteton përmbushjen e kushteve dhe kritereve të përcaktuara në nenin 125, pikat 4 e 5 të Kushtetutës dhe nenit 7/a të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar;
  • Formularin e vetëdeklarimit të plotësuar dhe nënshkruar sipas përcaktimeve të ligjit nr.138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”. Formulari i vetëdeklarimit është i publikuar bashkëlidhur këtij njoftimi në faqen e Institucionit të Presidentit të Republikës.
  • Formularin e aplikimit të plotësuar “Për informim përpara emërimit/zgjedhjes në poste të larta”, në përputhje me parashikimet ligjore të nenit 29, të ligjit nr. 45/2015 “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”, formular i cili gjendet i publikuar bashkëlidhur këtij njoftimi në faqen e Institucionit të Presidentit të Republikës.

Afati i paraqitjes së kërkesës për shprehjen e interesit, së bashku me dokumentacionin e nevojshëm bashkëlidhur është data 14 tetor 2020.

Pas administrimit të dokumentacionit, lista e aplikuesve do të publikohet në faqen zyrtare të Institucionit të Presidentit të Republikës si dhe në mjetet e informimit publik.

Lista e aplikuesve dhe dosjet respektive të tyre do t’i përcillen menjëherë Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED) për vijimin e procedurës së verifikimit dhe vlerësimit sipas Kushtetutës dhe ligjit.

1

2

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura