“Vendi është në krizë”, Mediu: Shteti ka rënë, gjyqësori nuk funksionon dhe nuk ekziston

Jul 19, 2018 | 13:57
SHPËRNDAJE

Deputeti i Partisë Demokratike dhe njëherësh kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, në fjalën e tij sot në Kuvend ka folur për Reformën në Drejtësi dhe sipas tij vendi ynë është në një krizë ekzistenciale.

Gjatë fjalës së tij Mediu tha se faktikisht shteti ka rënë sepse një nga kollonat e tij më të rëndësishme, ajo e Pushtetit Gjyqësor, nuk egziston dhe nuk funksionon.

“Të gjithë kemi qenë pro Reformës në Drejtësi, kemi qenë për vetingun dhe ndryshimet kushtetuese, Komisioni i Venecias me shqetësim në vlerësimet e tij theksoi që në fillim se kjo reformë nëse nuk aplikohej me kujdes, do krijonte një goditje të rëndë të sistemit të drejtësisë në Shqipëri, dhe ja ku jemi sot”, shtoi më tej ai.

auto_Screenshot_31516033802-770x439_c

Fjala e plotë

“Te gjitha te drejtat e e qytetareve qe garantohen me kushtetute, behen te pavlefshme, jane flluska, nese nuk garantohen nga nje pushtet gjyqesor I pavarur.”

Andrey Jackson

Shqipëria dhe demokracia sot është në krizën më të madhe egzistenciale kushtetuese.

Ne jemi në kushtet e një grushti shteti dhe banditizmi kushtetues.

Nuk kemi Gjykatë Kushtetuese, Nuk kemi Gjykatë të Lartë, nuk do ketë Gjykata Apeli, nuk do ketë Gjykata Rrethesh së shpejti.

Pra faktikisht shteti ka rënë sepse një nga kollonat e tij më të rëndësishme, ajo e Pushtetit Gjyqësor, nuk egziston dhe nuk funksionon.

Kjo është situatë skandaloze, ne jemi kthyer në Republikë bananesh dhe Republika Parlamentare Kushtetuese ka pushuar së funksionuari.

Sepse çdo Republikë Parlamentare ka tre pushtete bazë që garantojnë funksionimin e Shtetit dhe të drejtat e shtetasve, ato janë të pavarura dhe ndërveprim i cili  garantohet nga parimi check and balance (Kontrollit dhe Balancimit).

Rënia e Pushtetit Gjyqësor do të thotë rënia e Shtetit, rënia e qytetarëve dhe të drejtave të tyre, sepse është Pushteti Gjyqësor ai që mbron qytetarin nga abuzimi i shtetit, i qeverisë, i Parlamentit dhe është gjyqësori që garanton dhe detyron zgjidhjen e të drejtave të tij.

Kjo nuk është më hipotezë, por realitet në Shqipëri, sin ë asnjë vend tjetër në rajon apo Europë, sot kemi vetëm një pushtet dhe një njeri që kontrollon gjithçka.

 

RAMA de fakto është Gjykatë Kushtetuese, Gjykatë e Lartë, është Kryeprokuror, është ligjvënës dhe zbatues, është përcaktuesi dhe mohuesi i të drejtave të shqiptarëve.

Kjo situatë është e paprecedente, është dramatike.

Enver Hoxha, diktatori famëkeq, të paktën fomalisht kishte Gjykata, hetuesi dhe prokurori, ndërsa sot nuk kemi asnjë hallkë të gjyqësorit.

Të gjithë kemi qenë pro Reformës në Drejtësi, kemi qenë për vetingun dhe ndryshimet kushtetuese, Komisioni i Venecias me shqetësim në vlerësimet e tij theksoi që në fillim se kjo reformë nëse nuk aplikohej me kujdes, do krijonte një goditje të rëndë të sistemit të drejtësisë në Shqipëri, dhe ja ku jemi sot.

A ka ndonjë vend Europian pa sistem gjyqësor??

A mund të ndodhë në Amerikë të mos ketë Gjykatë të Lartë??

Atëherë përse Shqipëria???

Pse e filloi Rama vetingun nga Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë si dhe kandidaturat për KLD dhe KLP??

Pse i intereson qeverisë shkatërrimi i gjyqësorit???

Së pari: Sepse thjesht pa Gjykatë Kushtetuese ai mund dhe po aprovon cdo ligj antikushtetues dhe askush nuk mund ta kundërshtojë.

Së dyti:  sepse pa gjyqësor, ajo mund të cënojë cdo të drejtë të qytetarëve, të tjetërsojë prona publike dhe private për interesat e veta korruptive, sic po ndodh në Bregdet apo me Teatrin Kombëtar, askush nuk ankohet dot në Gjykatë Kushtetuese se ajo nuk ekziston më, dhe askush nuk shkon dot në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut ne Strasburg, sepse duhet më parë të kalojë shkallët e gjyqësorit shqiptar, që nuk ekziston.

Dua të kujtoj se Gjykata e Strazburgut për cështjen e pronave ka paditur dhe detyruar shtetin shqiptar t`i paguajë pronarëve të ligjshëm, me qindra milionë dollarë. Kurse sot asnjë pronar nuk shkon dot në Strazburg sepse paraprakisht duhet të ankimohet në Gjykatën Kushtetuese.

Së treti:  Qytetarët s`mund të organizohen në referendume, sepse këtë të drejtë ta jep dhe vlerëson Gjykata Kushtetuese.

A mundet të zgjidhen padrejtësitë e shtetit dhe çështjet korruptive në dëm të qytetarëve, në dëm të biznesit???

Absolutisht Jo.

Sepse nuk ka më Gjykatë të Lartë.

Janë mbi 20,000 dosje të pashqyrtuara në këtë Gjykatë. Sot janë dosje të vitit 2014 që shqyrtohen.

Përpara disa ditësh në hard talk në BBC, gazetari në intervistë me Ministrin e Drejtësisë e konsideroi skandal që në Gjykatën e Lartë në Indi ishin rreth 50,000 dosje të pashqyrtuara dhe India ka një popullsi rreth 1,3 billion, dhe ka 18 anëtarë të Gjykatës së Lartë, ndërsa ne 2,8 milion (si statistikë, se kemi ngelur vetëm 1 milion), sepse shqiptarët largohen nga vendi se nuk ka më shpresë, mundësi dhe të drejta.

India nuk ka kërkuar të jetë pjesë e BE si Ne që pretendojmë se BE ka standartin më të lartë në respektim të shtetit të së drejtës.

Po ashtu qeveria, mazhoranca  jo vetëm nuk u mor me ndërtimin e organeve emëruese në drejtësi si, KLD dhe KLP por përkundrazi i sabotoi ato.

Ata që guxuan të mendonin se ishin të aftë dhe të ndershëm për t`u bërë pjesë e këtyre organeve dhe konkuruan, duhet të kalojnë njëherë në sitën e sekserëve të Partisë dhe pastaj të vetingut, nëse kanë integritet e karakter, qofshin dhe të majtë në bindje të provuar dhe kanë përfaqësuar të majtën në Institucionet e rëndësishme Kushtetuese, duhet të digjen nga vetingu nëse nuk janë gjyqtarët që i binden qeverisë, sic ndodhi me një gjyqtar me prejardhje të majtë, sepse ky pati kurajon për t`i thënë të parit të qeverisë se nuk është socialist për shkak të tij, por bindjeve dhe që kur është emëruar gjyqtar nuk është ushtar i Partisë por i ligjit dhe nuk mund të nxjerr njerëz nga burgu me urdhër.

Sot nuk ka as KLD as KLP as gjyqësor sepse nuk mund të emërohet askush.

Sot të gjitha gjyqet kundër qeverisë fitohen nga qeveria ndërkohë që më parë rreth 90% e tyre fitoheshin nga qytetarët.

Gjyqësori gjykon padrejtësitë dhe korrupsionin e qeverisë në rastet më të shumta, prandaj për qeverinë ai nuk duhet të mosekzistojë.

Përveç kësaj situate absurde, qeveria njësoj si në diktaturë ka filluar një propogandë, bajate se më mirë pa gjyqësor sesa me gjyqtarë të korruptuar.

Kryeministri thotë se udhëhiqemi nga pasioni për Shqipërinë. Kryeministri i një vendi që do të bëhet pjesë e BE, duhet të ketë një pasion, të jetë ushtar i bindur i Kushtetutës, ligjit dhe rregullave dhe jo dëshirave dhe pasioneve të tij që s`kanë asgjë të përbashkët me Shtetin, ekonominë apo të drejtën.

Ky është Kalifati alla shqiptar, kopje e shëmtuar dhe e frikshme e regjimeve autoritare të lindjes. Kalifati ynë nuk ka burimin tek feja por tek pushteti dhe paraja.

Edhe Enver Hoxha ishte pasionant për t`a bërë Shqipërinë “fanar ndriçues” dhe u bë ligj e maliq, Kalif i fesë komuniste dhe shkatërroi vendin duke e çuar në prag të inekzistencës.

Komunizmi është pasioni i fjalëve të bukura dhe veprave të tmerrshme antinjerëzore.

Të jesh krenar me injorancën është fatkeqësi.

Të jesh krenar me maskarallëkun është poshtërsi:

Kjo situate po cënon interesin dhe sigurinë kombëtare.

Dikush thotë të shtojmë kuotat në Magjistraturë, por harron se të jesh anëtar i Gjykatës së Lartë apo Gjykatës Kushtetuese duhen vite pune në gjyqësor. Si do bëjmë, ku do i gjejmë këta gjyqtarë apo duhet të rikthejmë gjyqtarët e diktataturës.

A e dini ju të nderuar kolegë deputë se një student i Harvardit, Bokonit apo shkollave më të mira Franceze, Oksfordit, nuk hyn dot në konkursin për Magjistrat po nuk pati mesataren siç janë mesataret e universiteteve shqiptare, nuk kanë të drejtë të konkurojnë. Të krahasosh 8 e Harvardit me 10 në Shqipëri, qoftë shtetëror apo privat, është më shumë se qesharake, është kriminale.

Ka dhe nga ata që thonë: – Hë mo se shqiptarë janë këta, ku dinë se ç`janë dhe pse duhen Gjykatat, që na thonë se nuk ka problem një vit pa gjykata. Thonë atë që nuk do guxonin kurrë ta thonë në vendin e tyre.

Ka nga ata që thonë që të marrim gjyqtarë të huaj si në Kosovë me Eulex, ky është mjerim. Duam të jemi vend Europian apo ajo që Tiransit mbanin tek fundi i baces së tyre, përveç caracit.

Nëse dikush mendon se mund të sillet me këtë popull si ai arixhiu që i vendos zinxhirin në hundë Ariut dhe i bie defit, duke e detyruar të sillet vërdallë dhe thotë se sa bukur kërcen Ariu, që lëngon nga dhimbja dhe zinxhiri, duhet t`a dije se ky popull këputi zinxhirët e diktaturës dhe do të këpusë dhe zinxhirët e krimit dhe korrupsionit, dhe kjo ditë nuk është e largët.

Kolegë deputetë, majtas dhe djathtas!

Kjo është një situatë e turpshme që kërkon zgjidhje, kjo zgjidhje s`mund të jetë as e majtë dhe as e djathtë, por duhet të jetë kushtetuese, prandaj ne në mënyrë urgjente duhet të rimbledhim Komisionin e Reformës në Drejtësi, për t`a prurë vendin në binarë kushtetues dhe të kërkojmë mbështetjen e Konstitucionalistëve të njohur Amerikanë e Gjermanë, që t`i japin  zgjidhje kësaj situate të turpshme.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura