Vëmendje ndaj efekteve të ndryshimeve klimatike

Nov 21, 2022 | 7:26
SHPËRNDAJE

anastas-angjeli1ANASTAS ANGJELI

Tridhjetë vite më parë, OKB-ja arriti marrëveshjen mbi ndryshimet klimatike. Kjo marrëveshje u parapri nga një sërë studimesh dhe mendime shkencëtarësh të fushës klimatike. Thelbi i marrëveshjes dhe i diskutimeve të përvitshme në forumin dhe Samitet e zhvilluara nga shtetet anëtare që kanë nënshkruar këtë marrëveshje, është dhe mbetet bashkëpunimi për rrugët e përballjes së pasojave të këtyre ndryshimeve. Njëhershmi, prej 30 viteve filloi të konceptohej, zhvillohej dhe të aplikohej koncepti i ekonomisë së gjelbër, si një nga rrugët e zhvillimit të qëndrueshëm dhe njëhershmi si rrugë, krahas masave tjera, për përballjen me efektet dhe pasojat e ndryshimeve klimatike. Në përgjithësi, debatet rreth çështjeve klimatike kanë vënë në debat përballë vendet e zhvilluara dhe vendet e pazhvilluara. Kështu ndodhi edhe këtë radhë.

NEGOCIATA, TENSION DHE EKUILIBËR NË SAMITIN PËR NDRYSHIMET KLIMATIKE.

Konferenca e Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike (COP 27) për vitin 2022 u zhvillua në Sharm El Sheik të Egjiptit për dy javë, nga data 7 nëntor deri në 18 nëntor. Fakti që punimet e konferencës u shtynë edhe për një ditë tjetër (19 nëntor) dhe marrëveshja finale e konferencës u nënshkrua në 20 nëntor në orët e para të mëngjesit tregon edhe një herë se çështja komplekse e ndryshimeve klimatike është ndoshta më e vështira për të arritur një dakordësi dhe një këndvështrim të përbashkët nga ana e të gjitha vendeve. Dhe kjo është e kuptueshme kur vende të ndryshme dhe rajone të ndryshme të botës gjenden në etapa të ndryshme të zhvillimit të tyre ekonomik dhe kur nga vendimet në lidhje me çështjet klimatike varen në një masë të madhe edhe vetë ky zhvillim. Megjithëse në parim vendet mund të bien dakord që asnjë prej tyre nuk ka imunitet ndaj ndryshimeve klimatike dhe se të gjitha ndikohen nga këto ndryshime, në praktikë është shumë e vështirë që çdo vend të dalë i kënaqur nga vendimet që do të merren kolektivisht në lidhje me klimën. Edhe çështja e ndryshimeve klimatike nuk mund të dalë jashtë kornizës së logjikës të aplikuar për çdo çështje tjetër, e cila duhet të negociohet ndërmjet vendeve sovrane në një sistem ndërkombëtar, ku shteti mbetet autoriteti më i lartë politik dhe ku organizatat ndërkombëtare kanë aftësi imponuese relative.

Konferenca për ndryshimet klimatike mbahet çdo vit që nga marrëveshja e parë e OKB-së për klimën në vitin 1992. Konferenca është një platformë për shtetet anëtare të OKB dhe aktorët e tjerë ndërkombëtarë për të rënë dakord mbi politikat për të kufizuar rritjen e temperaturës globale dhe për t’iu përshtatur ndikimeve që lidhen me ndryshimin e klimës. Në konferencën e sivjetshme morën pjesë rreth 90 kryetarë shtetesh dhe mbi 35 mijë përfaqësues dhe delegatë nga 190 shtete.

Qasjet e kundërta ndërmjet grupimeve të vendeve, të cilat janë në faza të ndryshme të zhvillimit të tyre ekonomik dhe social, ishin të dukshme që përpara se kjo konferencë të fillonte punimet e saj. Në konferencë, këto qasje u materializuan në mënyrën se si këto grupime vendesh u përqendruan gjatë punimeve dhe diskutimeve të konferencës dhe se i negociuan vendimet përfundimtare të saj. Kështu, në përgjithësi, vendet e zhvilluara u fokusuan në mënyrat për të ndihmuar vendet në zhvillim që të heqin dorë nga karburantet fosile dhe të kalojnë në energjinë e rinovueshme. Ndërkohë, vendet në zhvillim u fokusuan në tentativat për të siguruar një angazhim të vendeve të zhvilluara për fondet e nevojshme për të përballur katastrofat e shkaktuara nga ndryshimet klimatike. Në interes të vendeve në zhvillim ishte krijimi i një fondi të veçantë për të paguar për problematika emergjente, si dhe për të kompensuar për humbjet ekonomike që shkaktohen çdo vit e më shumë si pasojë e përmbytjeve, zjarreve dhe thatësirave.

Këto dy qasje ishin praktikisht thelbi i diskutimeve dyjavore, si edhe i orëve të fundit të tensionuara të negociatave për marrëveshjen finale. Nga njëra anë, tentativa për të siguruar një miratim të përgjithshëm për të ndaluar përdorimin e karburanteve fosile, qoftë edhe në një datë të papërcaktuar në të ardhmen, dhe nga ana tjetër miratimi i krijimit të fondit dedikuar përballjes së katastrofave natyrore, të cilat janë pasojë e ndryshimeve klimatike ku praktikisht vendet e zhvilluara do të kontribuojnë financiarisht për vendet në zhvillim. Vendet në zhvillim të grupuara në grupin G77 plus Kina, një organizatë ndër qeveritare e vendeve në zhvillim ku bëjnë pjesë 134 vende anëtare të OKB, ushtruan presion, që nga fillimi i konferencës, në drejtim të krijimit të fondit të posaçëm për humbjet dhe dëmet e shkaktuara nga ndryshimet klimatike. Nga ana tjetër, BE propozoi krijimin e një fondi, por me kushtin që objektivat globale të reduktimit të emetimeve të forcohen dhe vendet që janë emetuese të mëdha – si Kina, Rusia, Arabia Saudite dhe Katari – gjithashtu të kontribuojnë në këtë fond.

NEGOCIATA, TENSION DHE EKUILIBËR NË SAMITIN PËR NDRYSHIMET KLIMATIKE.

MARRËVESHJE HISTORIKE BË SAMITIN COP 27 PËR NDRYSHIMET KLIMATIKE

Pas orëve të gjata të negociatave dhe zgjatjes prej gati 1 ditë e gjysmë të punimeve të konferencës, vendet arritën të miratojnë një marrëveshje përfundimtare. Nëpërmjet kësaj marrëveshjeje, nga njëra anë krijohet një fond për të ndihmuar vendet e varfra që janë goditur nga katastrofat klimatike – por nga ana tjetër nuk rriten përpjekjet për të trajtuar emetimet që i shkaktojnë ato.

Seanca plenare fillimisht miratoi dispozitën e tekstit për të krijuar një fond “për humbjet dhe dëmet” për të ndihmuar vendet në zhvillim të përballojnë kostot e menjëhershme të katastrofave të shkaktuara nga ndryshimet klimatike, si stuhitë, përmbytjet dhe thatësirat. Megjithatë vlen të theksohet se shumë nga vendimet më të diskutueshme për këtë fond do të merren vitin e ardhshëm, kur një “komitet kalimtar” do të bëjë rekomandime, të cilat në vazhdim do të miratohen në samitin e klimës COP28 në nëntor 2023. Këto rekomandime do të kenë të bëjnë me çështjen shumë kritike të “identifikimit të burimeve të financimit”, pra, me çështjen thelbësore se cilat vende duhet kontribuojnë financiarisht në këtë fond dhe se sa duhet të kontribuojnë. Pra, kemi të bëjmë vetëm me hapin e parë në këtë drejtim dhe vendimet më të vështira janë shtyrë për vitin e ardhshëm.

Marrëveshja e miratuar nuk përmbante një referencë të kërkuar nga India dhe disa delegacione të tjera për të hequr gradualisht përdorimin e “të gjitha lëndëve djegëse fosile”. Në vend të kësaj, marrëveshja u bën thirrje vendeve të ndërmarrin hapa drejt “uljes së pandërprerë të energjisë së qymyrit dhe heqjes së subvencioneve joefikase të karburanteve fosile”, gjë për të cilën ishte rënë dakord në samitin e vjetshëm, COP26 të Glasgout. Marrëveshja vë në dukje hendekun e emetimeve dhe nuk tërhiqet praktikisht nga angazhimi për të kufizuar ngrohjen globale në 1.5°C, në përputhje me Marrëveshjen e Parisit, por nuk është mjaftueshëm ambicioze për të kërkuar rritjen e mëtejshme të kontributeve të përcaktuara në nivel kombëtar (NDC) – premtimet e vendeve për reduktimin e emetimeve.

Duket se Samiti nuk arriti të jetë në lartësinë e vendimeve të guximshme të cilat kërkon koha në të cilën jetojmë. Sigurisht që shpresa nuk duhet humbur dhe ekzistojnë të gjitha mundësitë që samiti i ardhshëm që do të zhvillohet në 2023 të reflektojë dhe të tregojë më shumë guxim në vendimmarrje. Zhgënjimin, por edhe vendosmërinë për të marrë hapa të tjerë më të rëndësishëm në drejtimin e duhur e shprehu më së miri “Frans Timmermans”, përfaqësuesi i BE-së për klimën kur tha se BE do të nënshkruajë marrëveshjen, sepse mbështet krijimin e një fondi të ri historik që do të ndihmonte vendet e cenueshme që po përballen me kostot në rritje dhe të pakthyeshme të ndryshimeve klimatike dhe se të minosh një marrëveshje të tillë do të kishte qenë një gabim i madh. Megjithatë, kostot e lidhura me “humbjet dhe dëmet” do të vazhdojnë të rriten nëse bota nuk vepron në mënyrë më të vendosur për të ulur emetimet e karbonit që nxisin ndryshimet e klimatike. Drejt këtij qëllimi duhet të synojë çdo përpjekje e përbashkët.

REFLEKSIONE PËR NDRYSHIMET KLIMATIKE

Edhe vendi ynë nuk ka imunitet ndaj ndryshimeve klimatike. Prandaj kërkohet reagim në vazhdimësi për përballjen me efektet e këtij fenomeni. Gjatë dhjetëvjeçarëve të fundit i ka ndjerë këto efekte në ndryshimet e temperaturës dhe kohëzgjatjen e periudhës së nxehtë, në sasinë e reshjeve që bien në vendin tonë dhe pasojat në rritje të fenomeneve te rënies së zjarreve, ndodhjes së shtrëngatave dhe reshjeve të mëdha të shoqëruara me përmbytje të tokave bujqësore e të banuara etj. (që janë shndërruar në të përvitshme). Prandaj, është e domosdoshme:

1-Çeshtja e ndryshimeve klimatike nuk duhet parë vetëm si detyrë teknike e Agjencisë së Mbrojtjes Civile dhe e autoriteteve lokale (pa dyshim që ata e kanë detyrë parësore e funksionale).

2-Kjo çështje duhet parë edhe si një filozofi e re zhvillimi, ku tashmë prej vitesh konceptet e ekonomisë së gjelbër, ekonomisë cirkulare dhe ekonomisë blu, janë kthyer në domosdoshmëri për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.

3-Ky lloj zhvillimi jo vetëm duhet pranuar teorikisht, por duhen ndërmarrë veprime konkrete, duke krijuar infrastrukturën e nevojshme ligjore, buxhetimin për këto çështje, strategji kombëtare veçanërisht me fokus sektorët e bujqësisë (mirëmbajtje e hidrovoreve, kanalizimet, kullimet, sezonet e prodhimeve bujqësore, kulturat bujqesore etj., peshkimi dhe shfrytëzimi i ekonomisë blu, sektori i energjisë që në vendin tonë preket nga ndryshimet klimatike, transporti, turizmi, pushteti vendor etj.).

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura