“Vëllanë tim e demaskuan para naftëtarëve e ndërsa pritej t’i vinin hekurat, një toger i Sigurimit nxori pistoletën dhe…”, historia tragjike e familjes Toro

Feb 26, 2020 | 9:04
SHPËRNDAJE

pjimage

Dashnor Kaloçi/ Publikohet historia e panjohur e familjes Toro nga fshati Kurjan i Mallakastrës, ku të parët e saj, pasi ishin diplomuar në universitetet e Stambollit, gjatë periudhës së Monarkisë së Zogut shërbyen në organet e Drejtësisë, si Salih Toro, që u emërua në funksionin e Kryetarit të Degës Civile në Gjykatën e Diktimit në Tiranë. Angazhimi i familjes Toro e gjitha me Lëvizjen Antifashiste dhe tërheqja nga rradhët e Frontit pas prishjes së Marrëveshjes së Mukjes, duke mbajtur anën e forcave nacionaliste, gjë e cila u bë shkak që pas ardhjes së komunistëve në pushtet, ajo familje të konsiderohej si reaksionare dhe të përfundonte në kampet e internimit që në vitin 1945.  Arratisja e Qani Toros nga Shqipëria duke u vendosur në Gjermaninë Perendimore pranë Kompanisë 4000, dhe ngjarja tragjike e Rrushit Toros që punonte në puset e naftës në Kuçovë, të cilin pasi e demaskuan para të gjithë punëtorëve, një nga oficerët e Sigurimit të Shtetit me gradën e togerit, nxorri poistoletën dhe e qëlloi tre herë në kokë…?!

I vetmi që mundi të shpëtonte nga familja jonë në atë kohë pa u internuar, ishte vëllai im, Qaniu, i cili qëndroi në arrati nëpër male për të shpëtuar nga hakmarrja e komunistëve, të cilët e kishin shpallur atë armik pa mbaruar Lufta. Në fillimin e vitit 1946, Qaniu së bashku me dy shokët e tij, intelektualë të njohur që ishin diplomuar në Perëndim: Taho Baçi dhe Ramadan Velmishi, u arratisën nga Shqipëria dhe u vendosën në Republikën Federale Gjermane. Në këtë kohë, vëllai tjetër, Rrushiti, pasi bëri pesë vite internim me gjithë familjen e tij në Krujë, u lirua dhe shkoi në Patos ku filloi punë si punëtor në një nga ndërrmarjet e Naftës të asaj zone. Por kjo punë nuk zgjati shumë se pas pak ditësh atë e nxorrën përpara kolektivit dhe i bënë një demaskim public, duke e quajtur “armik dhe si sabotator që kishte shkuar aty për të djegur puset e naftës”. Në fund të mbledhjes kur të gjithë prisnin që Rrushitit t’i viheshin hekurat, ndodhi diçka tjetër shumë më e rëndë. Një nga oficerët e Sigurimit me gradën e togerit (L.S.) nxorri pistoletën nga brezi dhe e qëlloi tre herë pas koke, duke e lënë Rrushitin të vdekur në vënd, aty përpara të gjithë naftëtarëve që ishin në atë mbledhje”. Njeriu që flet dhe dëshmon për Memorie.al, është Haziz Toro me banim në qytetin e Fierit, i cili rrëfen të gjithë historinë tragjike të familjes së tij me origjinë nga Kurjani i Mallakastrës, që për afro gjysëm shekulli u masakrua në mënyrën më barbare nga regjimi komunist i Enver Hoxhës. Kush është, Haziz Toro, cila është e kaluara e familjes së tij gjatë viteve të Monarkisë së Zogut dhe në periudhën e pushtimit fashist të Shqipërisë? Përse regjimi komunist që erdhi në fuqi në fundin e vitit 1944, filloi hakmarrjen ndaj tyre dhe cili ishte fati i pjesëtarëve të asaj familje mallakastriote nga viti 1944 e deri në shëmbjen e regjimit komunist?

Torot, mbështetës të Monarkisë

Haziz Toro u lind në vitin 1920-të në fshatin Kurjan të Mallakastrës, prej nga është dhe origjina e familjes së tij. Një ndër burrat më të dëgjuar të asaj familje, ka qenë Emin Toro, i cili lindi rreth viteve 1850-të dhe pjesën më të madhe të jetës e kaloi në Turqi ku dhe u diplomua në Jurisprudencë. Në atë kohë që Emini studjoi në Turqi, në degën e Jurisprudencës të Universitetit të Stambollit, ishte dhe një nga të afërmit e tij, Salih Toro. Pas diplomimit, Salihu u kthye në Shqipëri dhe në vitin 1921 ai u thirr në Tiranë dhe u caktua në funksionin e Kryetarit të Degës Civile në Gjykatën e Diktimit,. Në vitet e fundit të jetës, Emini u kthye në vëndlindjen e tij në Mallakastër, ku dhe ndërroi jetë rreth viteve të para të shekullit të kaluar. Ai la dy djem: Rizain dhe Hazbiun, të cilët pas vdekjes së të jatit, u morën me administrimin e pasurisë së familjes së tyre që ishte mjaft e madhe. Nga të dy djemtë e Emin Toros, vetëm Rizai bëri emër pasi u mor me politikë dhe në atë kohë ka qenë i njohur në të gjithë krahinën e Mallakastrës. Ndërsa djali tjetër i Eminit, Hazbiu, pasi vazhdoi studimet dhe u diplomua për Financë në Turqi, gjatë viteve të Monarkisë së Zogut, shërbeu si toger i Financave në doganën e fshatit Bllatë të Prefekturës së Dibrës. Rizai që ishte dhe djali i madh i Emin Toros, pati tre djem: Rrushitin, Qaniun e Hazizin dhe të tre vëllezërit, studjuan e u diplomuan në shkollën Teknike Amerikane të Harry Fultz-it në Tiranë. Pas diplomimit në atë shkollë, Qaniu me Rrushitin filluan punë të ndryshme, në fundin e viteve ’30-të, ndërsa Hazizi fitoi një të drejtë studimi nga qeveria Monarkiste e asaj kohe, duke u regjistruar në Fakultetin e Agronomisë pranë Universitetit të Bolonjës. Por pasi mbaroi vitin e parë me rezultate shumë të mira, Hazizi i ndërpreu mësimet dhe u kthye në Shqipëri, me synim për të marrë pjesë në Lëvizjen Antifashiste.

Familja Toro e gjitha me Luftën

Gjatë periudhës së Luftës, në vitet 1939-1944, e gjitha familja Toro e Kurjanit, e cila asokohe bëhej rreth 12 shtëpi, u lidh me Lëvizjen Antifashiste. Ajo familje në atë kohë kishte miqësi të ngushtë me disa nga shtëpitë e para të Mallakastrës, si atë të Bektash Bej Çorushit, Bektash Bej Cakranit, Sheh Ismail Çorushit (babai i Mehmet Shehut) Cfirët, Klosët etj. Po kështu përveç këtyre familjeve të njohura mallakastriote, familja Toro e kishte shtrirë miqësinë e saj edhe me familje të tjera të njohura, si me Sefa-t e Lushnjes, Rexho Plakun e Konispolit, e deri me atë të Ali Maliq Agollit në Dibër. Lidhur me këto e qëndrimin e asaj familje gjatë periudhës së Luftës, Haziz Toro, tregon: “Që në prillin e vitit 1939-të, e gjithë familja jonë e shprehu hapur indinjatën kundër pushtimit fashist të vëndit dhe aty nga viti 1942, vëllai im Qaniu, u mor me organizimin e Grupit të Parë partizan të krahinës sonë të Mallakastrës, duke u emëruar dhe komandant i atij formacioni të armatosur. Në atë kohë në përbërje të atij grupi, u bashkuan dhe Mehmet Shehu me Xhelal Staraveckën, të cilët më pas u bënë udhëheqës kryesorë të formacioneve më të mëdha të Ushtrisë Nacional-Çlirimtare të Enver Hoxhës. Gjatë periudhës së Luftës, familja jonë kishte disa hasmëri të vjetra me familjen e Isa Toskës dhe ato u shtuan akoma dhe më shumë, pasi vëllai ynë, Qaniu, doli në mal në krye të Grupit të Parë partizan të Mallakastrës. Nisur nga ky fakt, IsaToska i cili kishte edhe mbështetjen e italianëve, shfrytëzoi rastin dhe na i dogji shtëpitë tona në fshatin Kurjan. Nga vjeshta e vitit 1943, kur Enver Hoxha denoncoi Marrëveshjen e Mukjes dhe filloi përplasja e hapur në mes forcave partizane dhe atyre nacionaliste, familja jonë u tërhoq nga Fronti dhe u distancua nga forcat partizane. Pas kësaj ne mbajtëm anën e forcave nacionaliste dhe vëllai ynë, Qaniu, qëndroi me disa forca nacionaliste ku bënte pjesë dhe Ismail Çorushi, të cilat kishin ndërprerë çdo lloj bashkëpunimi me partizanët”, kujton Haziz Toro.

1945, internimi i Toro-ve

Menjëherë pas mbarimit të Luftës, regjimi komunist që erdhi në fuqi e shpalli familjen Toro, armike dhe reaksionare, e filloi ta luftonte atë me të gjitha mënyrat. Lidhur me këtë, Hazis Toro kujton: “Menjëherë pas mbarimit të Luftës, që në dhjetorin e vitit 1944, familja jonë u gjend nën terrorin e komunistëve që erdhën në pushtet, të cilët filluan hakmarrjen ndaj nesh. Në fillimin e vitit 1945, ne na internuan familjarisht në qytetin e Krujës, ku bashkë me shumë familje të tjera, na mbanin nën kontroll të vazhdueshëm. I vetmi që mundi të shpëtonte nga familja jonë në atë kohë, ishte vëllai im, Qaniu, i cili qëndroi në arrati nëpër male për të shpëtuar nga hakmarrja e komunistëve, të cilët e kishin shpallur atë armik që nga viti 1943, kur ai u distancua nga partizanët dhe u bashkua me forcat nacionaliste. Pasi qëndroi disa kohë nëpër male, në fillimin e vitit 1946, Qaniu së bashku me dy shokët e tij intelektualë të njohur që ishin diplomuar në Perëndim: Taho Baçi dhe Ramadan Velmishi, u arratisën nga Shqipëria dhe u vendosën në Republikën Federale Gjermane. Në viti 1950-të, Qaniu u inkuadrua në rradhët e “Kompaninisë 4000”, e cila ishte instaluar në disa kodrina në periferinë e qytetit të Mynihut. Ajo kompani që kishte një efektiv prej 4000 personash nga të gjitha vëndet e Europës Lindore, kishte dhe dy batalione me 250 shqiptarë, të cilët stërviteshin nga anglo-amerikanët për të zbarkuar në Shqipëri. Qaniu qëndroi në atë kompani deri aty nga viti 1954, kur ajo u shkri fare pas tradhëtisë që kishte bërë, Kim Filbi, agjenti britanik që punonte për sovjetikët. Pak kohë më vonë, vëllai im, Qaniu, u largua nga Gjermania dhe u vendos në SHBA-ës ku jetoi deri në vitin 1982″, kujton Haziz Toro, atë kohë pas mbarimit të Luftës, kur komunistët filluan hakmarrjen ndaj familjes së tyre dhe i internuan në qytetin e Krujës.

Ekzekutimi i Rrushitit në Patos

Deri në vitin 1950-të, familja Toro vazhdonte të qëndronte në internime së bashku me shumë familje të tjera të cilat komunistët i kishin shpallur armike dhe reaksionare. Por në vitin 1950-të, kur Qani Toro u inkuadrua në formacionet e bazave ushtarake që stërviteshin nga anglo-amerikanët për t’u hedhur si diversantë në Shqipëri, ndaj asaj familje filloi një goditje akoma dhe më e ashpër. Lidhur me këtë, Haziz tregon: “Në fillimin e vitit 1950-të, pasi plotësuam pesë vitet e parë të dënimit në internim, ne na hoqën nga Kruja dhe na internuan përsëri duke na shpërndanë nëpër vënde të ndryshme. Mua me gjithë familjen time më çuan në Kalanë e Porto-Palermos, ndërsa vëllai tjetër, Rrushiti, pasi u lirua shkoi në Patos, ku filloi punë si punëtor në një nga ndërrmarjet e Naftës të asaj zonë. Por kjo punë nuk zgjati shumë, sepse si duket iu mësua biografia që ai nuk e kishte treguar. Pas kësaj Rrushitin e nxorrën përpara kolektivit ku kishte filluar punë dhe i bënë një demaskim publik duke e quajtur armik dhe sabotator që kishte shkuar aty për të djegur puset e naftës. Në fund të asaj mbledhje kur të gjithë prisnin që Rrushitit t’i viheshin hekurat, ndodhi diçka tjetër akoma më e rëndë. Një nga oficerët e Sigurimit të Degës së Brendshme të Mallakastrës, i cili mbante gradën e togerit, nxori pistoletën nga brezi dhe e qëlloi tre herë pas koke, duke e lënë Rrushitin të vdekur në vend, aty përpara të gjithë naftëtarëve që ishin në atë mbledhje. Ajo vrasje i terrorizoi të gjithë ata puntorë që i kishin mbledhur jo rastësisht aty, por asnjëri nuk mund të reagonte pasi i gjithë vëndi ishte i rrethuar më përpara nga forca të shumta policore”, kujton Haziz Toro, lidhur me vrasjen tragjike të vëllait të tij, Rrushitit.

Burgoset Çezari, Qazimi e Ylviu

Vrasja barbare e Rrushit Toros në atë kohë, e rëndoi akoma dhe më shumë gjëndjen e fisit të tij, pasi të gjitha familjeve Toro që në atë kohë ishin të internuara, u përmëndej shpesh duke u thënë se: kishin një njeri të pushkatuar nga Partia. Lidhur me këtë, Hazizi kujton: “Pas vrasjes së Rrushitit, unë qëndrova i internuar në Porto-Palermo, deri në vitin 1956. Në atë vit, mua më çuan në fshatin Plug të Lushnjes, ku dhe krijova familje, duke u martuar me vajzën e Ali Maliqit (Agollit) me të cilët ne kishim miqësi të vjetër. Në atë fshat ne qëndruam të internuar deri në vitin 1967, kur na liruan nga internimi e na kthyen në fshatin tonë Kurjan. Në atë kohë aty u grumbulluam të gjitha familjet e fisit tonë që kishim qenë nëpër internime. Edhe në fshatin tonë Kurjan, ne na çuan si të internuar dhe lufta ndaj nesh ishte akoma dhe më e forte, pasi na njihnin të gjithë. Si rezultat i kësaj, në viti 1976, regjimi komunist filloi edhe një goditje tjetër ndaj familjes sonë. Në atë vit u arrestua nipi im, Çezar Toro, (djali i Qaniut) i cili punonte në kooperativë dhe u dënua me dhjetë vjet burg politik. Pas arrestimit dhe dënimit të Çezarit, u arrestua dhe u dënua po me dhjetë vjet burg, edhe Qazim Toro, djali i kushëririt tim të parë. Hakmarrja e komunistëve ndaj familjes sonë nuk mbaroi me kaq, sepse pas tyre u arrestua dhe u dënua po me dhjetë vjet burg politik, edhe një kushëri tjetër i yni, Ylvi Toro. Ai u bashkua me Çezarin dhe Qazimin në kampin e Spaçit, ku të tre vuajtën dënimet deri aty nga viti 1986″, kujton Haziz Toro./Memorie.al

20200226_000937 20200226_000106 TORO_3-1 TORO_2

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura