“Vëllain e kërcënuan para se ta ekzekutonin me thikë”

Jun 12, 2014 | 12:54
SHPËRNDAJE

Foto Ilustruese
Pasi përcollën në banesën e fundit djalin e vetëm, familja e Klement Hoxhallarit apelon që drejtësia të vihet në vend. Humbja i ka tronditur, ndërsa ata pohojnë se autori i vrasjes, Elton Bregu, nuk ka qenë i vetëm.
 Motra e viktimës, Zarjana Hoxhallari, u shpreh se ditën e ngjarjes vëllai i saj ishte paralajmëruar nga Bregu për atë që do të ndodhte dhe kërkon që shteti të veprojë në mënyrë që të mos jenë të detyruar të marrin hak vetë.
Si e mësuat ngjarjen për vrasjen e vëllait tuaj?
Një shok i Klementit na tha se ai ishte në spital, por nuk na tregoi se çfarë kishte ndodhur. Shkuam menjëherë, por kur arritëm ne ai ishte pa jetë. Nuk i dhamë dot as një lamtumirë dhe s’i dëgjuam as zërin për herë të fundit. Ishte një moment shokues që s’do e harrojmë dot kurrë.
A keni pasur konflikte me autorin?
Nuk është vetëm një autor, janë tre. Ne nuk kemi pasur konflikte apo përplasje as familjarisht dhe as vëllai im që tani nuk jeton më. Kohët e fundit ata kishin nisur të nxirrnin pretendime për një pjesë toke që ne e kishim blerë para 15 vitesh nga gjyshi i tij. Blerja në atë kohë ishte bërë me shkrim dore dhe ishte noterizuar, por tani nxirrnin pretendime se nuk kishin dijeni e të tjera si këto. Ishim përpjekur t’ua shpjegonim dhe donim që mos kishim asnjë lloj përplasje, kurse ata i morën jetën vëllait tim dhe na shkaktuan një plagë të madhe si mua dhe prindërve.
E kishin kërcënuar ndonjëherë vëllain tuaj?
Jo, vetëm atë ditë i kishin shkuar në zyrë Eltoni dhe dy të tjerë që nuk e mësova kush ishin, dhe i kishin kërkuar sqarime. Ai ishte përpjekur t’i bindte se ne e kishim blerë atë pjesë që pretendonin, por ata i kishin thënë: “Gjallë a vdekur ne atë pronë do të ta marrim. Jetën ty ta marrim e atë s’ta lëmë” dhe ishin larguar. Këtë ma tregoi vetë ai pasi u kthye nga puna.
Po më tej çfarë ndodhi?
Pasi qëndroi pak në shtëpi, doli si zakonisht. Më tej ata sërish e kishin marrë në telefon dhe i kishin kërkuar që të takoheshin diku për t’u sqaruar njëherë e mirë. Në një moment më mori në telefon dhe më tha që t’i nxirrja pak dokumentet e furrës së bukës dhe certifikatën që kishim blerë nga gjyshi i tij pronën. Erdhi i mori dhe ai ishte momenti i fundit kur e pashë.
Ju mendoni se kjo ishte e planifikuar?
Po, jam e sigurt për disa arsye. E kërcënuan hapur, i kërkuan takim dhe e vranë, ndërsa dokumentet prej atij momenti janë zhdukur, nuk i gjetëm më. I ngritën një kurth për një copë tokë dhe e vranë. Kjo është e pafalshme. Ne e mësuam lajmin në mënyrën më të keqe dhe nuk e dimë si do ta përballojmë. Nuk e humbëm nga Zoti, por nga dora e njerëzve të këqij, dhe kjo është gjëma më e madhe që mund t’i ndodhë një familjeje.
A keni një apel?
Shteti të marrë masa. Ne duam drejtësi, duam që të dalë e vërteta sepse vëllain tim e vranë dhe ajo plagë që na u hap nuk mbyllet më. Ne nuk jemi të hakut, ndaj kërkojmë që mos na shtyjë drejtësia të marrim hak vetë.

POGRADEC/ DHORJELA ÇULE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura