“Vëllai mbrëmë ka qenë te tezja”, 24-vjeçarin që vrau biznesmenin para shtëpisë e “tradhtojnë” SMS

Apr 2, 2018 | 10:15
SHPËRNDAJE

DIBER/ ALBI LALA/ Disa SMS të gjetura në telefonin e sekuestruar të Mahmut Gegës, faktojnë se 24-vjeçari është autor i dyshuar për vrasjen e biznesmenit, Elsi Kosiqi, ngjarje e ndodhur më 20 mars, rreth orës 01:30.

Viktima Elsi Kosiqi
Viktima Elsi Kosiqi

Përveç SMS-ve të shkëmbyera me të afërm të tij në përpjeke për të gënjyer për vendndodhjen në momentin e vrasjes, Prokuroria ka siguruar dhe disa prova të tjera që implikojnë të riun në krim. Një plumb në murin e banesës së familjes Kosiqi, njollat e gjakut, bloza në duar dhe rrobat e të dyshuarit, thirrjet telefonike si dhe lëvizjet e Kosiqit dhe Gegës janë provuar nga hetuesit për zbardhjen e vrasjes. Pikërisht këto e të tjera prova janë prezantuar nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Dibër para Gjykatës Peshkopi. Gjykata pranoi se arrestimi në flagrancë i shtetasit Mahmut Gega është bërë konform ligjit.

Jo vetëm provat e lartpërmendura kanë bindur Gjykatën të vendosë masën e sigurimit “arrest me burg për 30 ditë” për Gegën, por rrethanë rënduese është vlerësuar fakti se 24- vjeçari rezulton i dënuar më parë dhe ekziston mundësia që ai t’i shmanget hetimit. Autori, gjatë marrjes në pyetje nga oficerët e Policisë Gjyqë- sore Dibër, është shprehur se natën e ekzekutimit të Elsi Kosiqit ndodhej te motra e kushërirës së tij në qytetin e Bulqizës, ndërkohë para Gjykatës deklaroi se do të flasë në një moment tjetër. Gega ka mohuar të jetë autori i vrasjes së 32-vjeçarit, duke pohuar se para 4 apo 5 vitesh kanë pasur një konflikt banal, por më vonë janë pajtuar me njëri-tjetrin.

Autori i dyshuar i kërkoi Prokurorisë të sekuestrojë kamerat e sigurisë pranë pallatit ku banon motra e kushërirës, duke pretenduar se ato faktojnë hyrje-daljet e tij nga ky objekt. Ndërkohë, Policia dhe Prokuroria janë në pritje të ekspertimit të faktorëve plotësues, vlerë- simin e predhës së gjetur në murin e banesës, kryerjen e aktit të ekspertimit kompjuterik etj.. Organi i Akuzës ka bindur Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Dibër se, Mahmut Gega dyshohet për kryerjen e veprave penale të “vrasja me paramendim” dhe “mbajtja pa leje e armëve luftarake”.

Prokuroria ka në dosjen e ngjarjes këqyrjen e vendit të ngjarjes, këqyrjen e kufomës, këqyrjen e automjetit, këqyrjen e telefonave, këqyrjen, marrjen dhe sekuestrimin e provave materiale, këqyrjen e personave dhe marrjen e faktorëve plotësues, u është kërkuar kompanive celulare të dhëna për identifikimin e numrave të telefonit të përdorur për periudhën 01.01.2018 – 21.03. 2018, fluksin e SMS-ve dhe të thirrjeve hyrëse e dalëse të tyre, identifikimin e IMEIT të aparateve telefonike të përdorur për periudhën kohore 01.02.2018 e në vazhdim. Të dhënat për vendndodhjen, emrin e qelizës telefonike, gjerësinë dhe gjatësinë gjeografike si dhe rrezen e qelizës për numrat përkatës për të vërtetuar autorësinë e krimit.

“Vëllai mbrëmë ka qenë të tezja”, SMS që “groposin” 24-vjeçarin

Policia e Dibrës ka sekuestruar njërin nga telefonat e të dyshuarit për vrasjen e biznesmenit Elsi Kosiqi dhe ka siguruar disa SMS që implikojnë Mahmut Gegën. Disa herë ky i fundit i shkruan një të afërmi, se kur ta pyesin, duhet të thotë se “vëllai mbrëmë ka qenë të tezja”. Madje, këmbëngul fort duke i kërkuar të mos flasë shumë. Gjini, siç identifikohet personi që shkëmbente SMS me Gegën, i shkruan se “a thua i ke treguar dikujt, a thua ke fol, se unë i kam thënë këtij shefit dhe do të pyesin”.

Mesazhet mes personit nën hetim dhe të afërmit të tij janë shkëmbyer në orët e para të mëngjesit, nga ora 05:59-06:34, momente këto kur Policia ishte vënë në kërkim të Mahmut Gegës. Autori i dyshuar ka ndryshuar disa herë deklarimet e tij. Fillimisht, ka sqaruar se ndodhej natën e krimit te tezja, pastaj te motra e kushërirës. Por Policia nuk e gjeti në asnjërën prej banesave kur të afërmit pohuan se kishte kaluar natën.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura