“Vëllai im, një nga gjeneralët më të mirë, hero i Luftës. Enveri e la në një kasolle qeni dhe …”/ Historia tragjike e ushtarakut të njohur

Apr 1, 2020 | 8:30
SHPËRNDAJE

pjimageDashnor Kaloçi/ Publikohet historia e panjohur e gjeneral-major Nexhip Vinçanit me origjinë nga Kolonja, njëri prej ushtarakëve madhorë më të përgatitur që kishte Ushtria Shqiptare. Ai pasi kishte kryer Shkollën Ushtarake Mbretnore të Plotësimit të Oficerëve gjatë periudhës së Monarkisë së Zogut dhe gjimnazin klasik të qytetin e Shkodrës, në 39-ën, shkoi në Itali pranë Fakultetit të Drejtësisë në Romë, ku në 1941-in u përjashtua për aktivitetin e tij antifashist dhe u detyrua që të kthehej në Shqipëri.

Angazhimi i tij në Lëvizjen Antifashiste në Qarkun e Korçës së bashku edhe me tre vëllezërit e tjerë (Aliun, Samiun dhe Saliun), ku si rezultat i përgatitjees së tij të lartë si ushtarak dhe aftësive që ai tregoi në shumë luftime, u emërua si komandant i Shtabit partizan të Qarkut të Korçës, komandant i Brigadës së IV-të Sulmuese dhe zv/komandant Operacioni në luftimet për çlirimin e Tiranës që drejtohej nga Mehmet Shehu.

Dëshmitë e të vëllait të tij, kolonel Sami Vinçanit, ish-Shef i Policisë së Degës së Punëve të Brendëshme të Qarkut të Shkodrës), lidhur me karrierën ushtarake të Nexhipit pas mbarimit të Luftës, ku pasi u emërua komandant i Divizionit të Peshkopisë dhe atij të Korçës, në 45-ën u dërgua për studime në Bashkimin Sovjetik, duke u diplomuar në Akademinë Ushtarake “Voroshillov” të Moskës, dhe në ‘48-ën u kthye në Shqipëri, ku u emërua Drejtor i Drejtorisë Operative në Ministrinë e Mbrojtjes e zv / Shef i Shtatmadhorisë të Ushtrisë, dhe në “Provokacionet e gushtit 1949”, u dërgua në front, ku drejtoi luftimet së bashku me gjeneral-major Mehmet Shehun dhe kolonel Skënder Malindin.

Konflikti i gjeneral-major Nexhip Vinçanit me Enver Hoxhën që në Kongresin e Parë të Partisë Komuniste në vitin 1949, ku Enveri filloi goditjen ndaj tij, duke kujtuar se ai dhe gjeneral Tahir Kadare, kishin nxitur gjeneral Gjin Markun që të fliste kundër Koci Xoxe në mënyrë që Koci të bënte bashkëfajtor edhe Enverin, për të gjitha krimet që ishin bërë deri në atë kohë nga Ministria e Brendëshme nën drejtimin e PKSH-së., gjë e cila bëri që ndaj tij të fillonte “gjuetia e shtrigave” për ta degraduar më pas, duke e larguar nga Ushtria dhe për ta emëruar si drejtor i një ndërmarrje ndërtimesh në rrethin e Fierit, ku jetonte i vetëm në një kasolle, pasi prej intrigave të Sigurimit të Shtetit, ishte detyruar që të ndahej nga bashkëshortja dhe arrestimi i tij në 1957-ën, duke e akuzuar “si armik i popullit” . Arrestimi i dytë i Vinçanit në vitin 1982, ku pas 11 muajsh hetuesie intensive nën tortura që ai të prononte se Mehmet Shheu kishte qenë poliagjent dhe internimi më pas në një nga fshatrat më të largëta të Gramshit, ku jetoi krejt i vetëm në një kasoille qeni deri në shëmbjen e regjimit komunist të Enver Hoxhës, të cilit i kishte shërbyer edhe ai vetë me devocion e idealizëm

Ka qenë fundi i vitit 1957 kur në Degën e Brendëshme të Shkodrës ku unë isha me detyrën e Shefit të Policisë së Qarkut, më njoftuan se më kërkonte urgjent në Tiranë, ministri Kadri Hazbiu. Unë mora makinën e Kryetarit të Degës, gjeneral-major Hilmi Seitit dhe u nisa menjëherë për në Tiranë. Para se të hyja në zyrën e ministrit, takova Teki Kolonecin që asokohe ishte Drejtor Drejtorisë së Kufirit dhe e pyeta nëse dinte gjë se përse më kishin thirrur me aq urgjencë në ministri. Ndërkaq akoma pa mbaruar mirë fjalën, më thirrën në zyrën e ministrit ku Kadri Hazbiu më priste në këmbë. Pasi u takuam ai më tha: ‘Skënder, të kam thirrur që të shkosh urgjent në Durrës, sepse do të arrestojmë vëllanë tend, Nexhipin, me gjithë gruan e tij Memkën, dhe ti do të rrish me fëmijët e vegjël, se s’ka kush t’i mbajë. Urdhëri për arrestimin e gjeneral Vinçanit, ka dalë nga ministri i Mbrojtjes, Beqir Balluku dhe ne do ta zbatojmë menjëherë’. Unë u nisa shpejt për në Durrës dhe kur arrita atje nuk e gjeta Nexhipin në shtëpi, sepse e kishin arrestuar së bashku me gruan”.

Kështu e kujtonte arrestimin e vëllait të tij, Nexhipit, Skënder Vinçani, ish partizan dhe kolonel i ministrisë së Brendëshme i cili na rrëfente të gjithë historinë e vëllait të tij, gjeneral-major, Nexhip Vinçanit, ish komandantit të Brigadës së IV Sulmuese partizane, nënkomandantit që udhëhoqi Operacionin për çlirimin e Tiranës dhe zv / Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare deri në vitin 1957. Po kush ishte Nexhip Vinçani, cila ishte e kaluara e tij dhe përse u burgos e u torturua në mënyrën më çnjerzore Heroi i Luftës partizane e gjenerali i famshëm që kishte studjuar në Romë për Jurisprudencë dhe ishte diplomuar në Akademinë “Voroshillov” të Bashkimit Sovjetik? A qëndronin akuzat që iu bënë Gjeneral Vinçanit në Pleniumin e V-të të Komitetit Qendror të PPSH-së, ku thuhej se: “në bashkëpunim me dy gjeneralët e tjerë, Gjin Marku e Tahir Kadare, kishin dashur të rrëzonin me anë të kompllotit, Shefin e Shtatmadhorisë të Ushtrisë Shqiptare, gjeneral-major Beqir Ballukun? Përse filloi çarja në mes Enver Hoxhës dhe gjeneral Vinçanit dhe që kur kishin filluar kontraditat në mes tyre? Cili ishte kurthi që organizoi ministri i Brendshëm, Kadri Hazbiu, gjë e cila çoi në arrestimin e Vinçanit dhe gruas së tij, Memkës dhe a ishte e vërtetë se urdhër-arrestin e kishte dhënë ministri Balluku? Përse hetuesi Shkëlzen Bajraktari, kur e arrestoi Vinçanin në vitin 1982, e akuzoi atë si “agjent të anglezëve”?! Ç’farë kishte thënë ai për qeverinë shqiptare në lidhje me problemin e Kosovës dhe cila ishte përgjigjia që u dha hetuesëve në burgun e Burrelit, ish-gjenerali Gjin Marku që vuante dënimin aty, kur e pyetën për Vinçanin? Përse gjenerali i famshëm që kishte drejtuar luftimet në ‘Provokacionet e Gushtit të vitit 1949’ dhe që konsiderohej si një nga ushtarakët më të talentuar të Ushtrisë Shqiptare, përfundoi kanaleve të bonifikimit të Myzeqesë dhe u internua në fshatin më të largët të Gramshit, ku jetoi i vetëm në një kolibe qeni deri në vitin 1987? Lidhur me këto e të tjera ngjarja nga jeta dhe karriera e tij ushtarake, na rrëfente, i vëllai, koloneli në persnion, Sami Vinçani, pak kohë para se të ndahej nga jeta.

vijon nga numri i kaluar

 Akuzohet për kompllot ndaj Ballukut

Por Enveri nuk u mjaftua me mos zgjedhjen e Nexhip si antar i Komitetit Qëndror, sepse më pas në Pleniumin e V-të të K.Q. që u mbajt në vitin 1950-të ai e shkarkoi atë nga posti i Zv / Shefit të Shtatmadhorisë dhe ai i kandidatit të Komitetit Qendror. Pas kësaj Nexhipin e çuan Shef të Degës Ushtarake në Elbasan dhe Komandant Divizioni në Tiranë, e më pas si Komandant të Mbrojtjes Bregdetare në Durrës. Në këto detyra ai qëndroi deri në janarin e 1958-ës kur e liruan fare nga Ushtria dhe më pas në fundin e atij viti, e arrestuan. Po cili ishte shkaku i vërtetë i goditjes së Nexhipit dhe si erdhi arrestimi i tij? Lidhur me këtë, i vëllai i tij, kolonel Skënder Vinçani kujtonte: “Për shkarkimin e Nexhipit nga posti i zv / Shefit të Shtatmadhorisë dhe përjashtimin e tij si kandidat i Komitetit Qendror, atëhere u tha se ajo gjë erdhi pas akuzave që iu bënë, ‘sikur ai në bashkpunim me dy gjeneralët e tjerë Gjin Markun e Tahir Kadare, kishin tentuar që të bënin një kompllot për të rrëzuar nga drejtimi, i ministrisë së Mbrojtjes Popullore, gjeneral-leitnant, Beqir Ballukun dhe ta merrin vetë drejtimin e asaj ministrie. Kjo gjë erdhi pasi gjatë një darke në hotel “Dajti”, Nexhipi e kishte pyetur në kofidencë Mehmet Shehun, në se ishte e vërtetë se ai do të emërohej Shef i Shtatmadhorisë në vend të Ballukut. Kjo pyetje e tija u shfrytëzua nga Enveri për të ngritur akuzën, sikur Nexhipi kishte dashur që të rrëzonte me kompllot Ballukun e të merrte vetë nën drejtim Ministrinë e Mbrojtjes. Por shkaku i vërtetë i eleminimit të Nexhipit, nuk kishte të bënte aspak me kompllotin ndaj Ballukut, sepse ajo gjë nuk ishte e vërtetë. Nexhipi e kishte mik të ngushtë Ballukun dhe as që e mendonte atë gjë. Enveri e shkarkoi dhe e goditi Nexhipin, vetëm për faktin se në Kongresin e Parë të Partisë Komuniste të Shqipërisë, e më pas, ai nuk u çua që të kritikonte Gjin Markun, kur ai i kërkoi Koci Xoxes që të thellonte autokritikën e tij. Këtë gjë Balluku ia ka shprehur vetë vëllait tone, Samiut, në vitin 1956-të, kur ai shkoi për ta takur, pasi u arrestua Nexhipi dhe Kadri Hazbiu na kishte thënë se për atë gjë kishte urdhëruar Beqir Balluku. Ajo gjë nuk ishte e vërtetë sepse urdhëri kishte dalë nga Enveri dhe Balluku qau kur e mësoi lajmin e arrestimit të Nexhipit. Enveri kishte pasur kontradita me Nexhipin që nga periudha e Luftës, gjë e cila konfirmohet edhe nga dëshmia e Dr.Ymer Dishnicës, i cili na ka thënë: ‘Enveri e filloi goditjen ndaj Nexhipit duke e quajtur atë armik të partisë e të popullit për disa arsye. Një nga më kryesoret ishte ajo e xhelozisë, sepse deri në mesin e viteve ’50-të, në të gjithë Qarkun e Korçës, flitej me një simpati të jashtzakonëshme vetëm për Nexhipin dhe aspak për Enverin. Dhe e dyta ishte ajo se unë me Nexhipin ishim shumë të lidhur me njeri tjetrin, gjë e cila e tërbonte fare Enver Hoxhën”, kujtonte Skënder Vinçani, dëshminë e Dr. Dishnicës, lidhur me marrëdhëniet e acaruara të Nexhipit me Enver Hoxhën, si shkak i xhelozisë së tij.

 Arrestimi i gjeneral-major Vinçanit në 1958-ën

Lidhur me arrestimin e gjeneralit të famshëm Nexhip Vinçani, vëllai i tij Skënderi kujtonte: “Në vitin 1956-të kur u mbajt Konferenca e Tiranës, Enveri donte që ta implikonte dhe Nexhipin me grupin e atyre delegatëve që ngritën probleme kundër udhëheqjes së lartë të PPSH. Ndonëse Nexhipi nuk ishte fare delegate, sepse ai në atë kohë ishte me shërbim në Durrës, me detyrën e Komandantit të Mbrojtjes Bregdetare, gjatë senacave të Konferencës, Enveri iu drejtua kolonel Iljaz Ahmetit, duke i thënë: ‘Pa hë Iljaz, na thuaj ç’farë iu thoshte Nexhip Vinçani lidhur me shokët e udhëheqjes’? Iljaz Ahmeti jo vetëm që nuk foli kundër Nexhipit, por përkundrazi ai e mbrojti atë. Atë që Enveri nuk e arriti dot në vitin 1956-të në Konferencën e Tiranës, e zbatoi afro dy vjet më vonë. Kështu në fundin e vitit 1957-të, kur unë isha në detyrën e Shefit të Policisë së Qarkut të Shkodrës, më lajmëruan se më kërkonte urgjent në Tiranë, ministri Kadri Hazbiu. Pasi mora makinën e kryetarit të Degës, gjeneral Hilmi Seitit, u nisa menjëherë sipas urdhërit që më ishte dhënë dhe kur erdha në Ministri, pyeta Teki Kolonecin që asokohe ishte Drejtor i Kufirit, nëse dinte gjë përse më kishin thirrur me aq urgjencë. Ndërkaq akoma pa mbaruar fjalën më kërkuan në zyrën e Ministrit, ku Kadri Hazbiu më priste në këmbë. Pasi u përshëndetëm ai më tha: ‘Skënder, të kam thirrur që të shkosh urgjent në Durrës, sepse sipas urdhërit që ka dalë nga Ministri i Mbrojtjes, ne sot do të arrestojmë vëllanë tend, Nexhipin, me gjithë gruan e tij Memkën, sepse ajo ka marrë nga dyqani më shumë ushqime se ç’i takonin dhe t’i duhet të jesh aty pasi s’ka kush t’i mbajë katër vajzat e vogla dhe nuk duhet të lëvizësh nga ajo shtëpi pa marrë urdhër nga unë’. Unë u nisa menjëherë për në Durrës dhe kur vajta atje, nuk e gjeta Nexhipin, pasi e kishin arrestuar së bashku me gruan e tij. Për arrestimin e Nexhipit, nuk kishte dhënë urdhër Ministri Balluku, por ajo gjë u bë pas një plani të Kadri Hazbiut, i cili si duket kishte marrë urdhër nga Enver Hoxha, sepse arrestimi i një gjenerali, kurrsesi nuk mund të bëhej pa urdhërin e Komandantit të Përgjithshëm. Plani i Kadri Hazbiut ishte kurdisur në këtë mënyrë: Teksa gruaja e Nexhipit kishte shkuar për të blerë në pazar, shitsja e cila ishte porositur nga Sigurimi i Shtetit, i tha asaj që të blinte disa ushqime më tepër, pasi do të hiqeshin triskat. Kështu ajo i bleu ato dhe më pas u denoncua për abuzim dhe u arrestua. Qëllimi i Sigurimit ishte që ta ndante Nexhipin nga gruaja dhe më pas asaj t’i bënin presion që të fliste dhe akuzonte Nexhipin sipas akuzave që do t’i duheshin atyre. Sigurimi ia arriti synimit që ta ndante Nexhipin nga gruaja, por Memka nuk pranoi kurrë që të fliste kundra burrit të saj, përkundrazi, ajo në hetuesi e mbrojti atë, duke thënë se Nexhipi nuk kishte asnjë faj. Gjatë hetuesisë Nexhipin e kishin pyetur rreth “kompllotit” që kishte dashur të bënte për rrëzimin e Ministrit të Mbrojtjes, Beqir Ballukut. Pas një muaji Nexhipin e gruan e tij i liruan nga hetuesia dhe Nexhipin e larguan nga Tirana dhe e dërguan në Fier, duke e lënë që të banonte i vetëm në një kasolle, pasi e detyruan që të ndahej nga gruaja”, kujtonte Skënderi, makinacionet që përdori Sigurimi i Shtetit, i nxitur nga Enver Hoxha, kundër vëllait të tij gjeneralit Nexhip Vinçani

 Arrestimi i dytë në ‘82-in dhe torturat në hetuesi

Po ç’ndodhi me tej me gjeneralin e famshëm Nexhip Vinçani dhe si rrodhi jeta e tij aty në qytetin e Fierit? Lidhur me këtë, Skëndri kujtonte: “Ndonëse Nexhipi konsiderohej si një nga ushtarakët më të talentuar që nga periudha e Luftës, atë e ç’mobilizuan dhe e lanë për shumë vjet fushave të Myzeqesë, duke u marrë me hapjen e kanaleve bonifikuese. Aty ai punoi deri sa doli në pension dhe gjatë asaj kohe survejohej rregullisht nga Sigurimi i Shtetit. Ndonëse ai kishte qenë një ndër kuadrot kryesorë të Luftës, nuk iu dha asnjëherë pensioni prej 100 lëkësh që përfitonin ish-partizanët. Arrestimi i dytë i Nexhipit ndodhi në vitin 1982, pak kohë pas vrasjes së Mehmet Shehut dhe kjo gjë u bë me qëllim që gjatë hetuesisë, Nexhipi të pranonte që kryemnistri Shehu kishte qenë poliagjent. Kështu pas dhjetorit të 1981-it, atë e ndiqnin në çdo hap dhe kur erdhi tek unë në Tiranë, një njeri i që e njihte, e lajmëroi se po e ndiqte Sigurimi për ta arrestuar, sepse në Lushnje ku banonte vajza e tij, e kishin rrethuar shtëpinë me policë. Dhe ashtu ndodhi vërtet. Nexhipin e arrestuan në shtëpinë e tij në qytetin e Fierit, ku hetuesi Shkëlzen Bajraktari, shkoi me një numër të madh policësh, hetuesish e oficerësh të Sigurimit dhe me qëllim që të bënin bujë e zhurmë të madhe, atë e arrestuan në mënyrë demonstrative, në sy të gjithë banorëve të lagjes. Hetuesi Shkëlzen Bajraktari. pasi hyri me forcë në shtëpinë e tij, i bërtiti duke e quajtur: ‘Gjenerali i ushtrisë së vdekur’. Nexhipin e mbajtën për 11 muaj në hetuesi, duke e akuzuar për ‘agjitacion e propagandë’, ku i bënë torturat më çnjerzore, saqë disa herë u detyruan që ta shtronin në spitalin e burgut në Tiranë, për ta kuruar nga të rrahurat. Hetuesit e pyesnin se përse kishte thënë se: qevria shqiptare nuk kishte bërë asgjë për Kosovën dhe çfarë lidhje kishte pasur me agjentin Mehmet Shehu dhe bandën e Xhevdet Mustafës, që asokohe kishte zbarkuar në zonën përreth Fierit. Po kështu atë e akuzonin si ‘agjent të anglezëve’ pasi gjatë kontrollit që i bënë shtëpisë tij, i gjetën një fotografi ku ai kishte dalë me disa ushtarakë të Misionit Britanik, gjatë kohës së Luftës. Nexhipi filloi të tallej me hetuesit, duke i’u thënë se: ishte agjent i anglezëve, italianëve, francezëve dhe deri i japonezëve. Nga kjo gjë hetuesit u bënë si të tërbuar dhe e torturuan aq shumë, sa ai gati iu ngeli në dorë dhe u përmend vetëm kur e çuan në spitalin e burgut në Tiranë. Gjatë asaj kohe që e mbajtën në hetuesi, Sigurimi i Shtetit kërkoi dhe pyeti në disa rrethe me dhjetra persona, që të pranonin t’i dilnin atij si dëshmitarë. Vetëm në Fier, Sigurimi pyeti mbi 60 persona. Po kështu hetuesit dhe Sigurimi i Shtetit vajtën edhe në burgun e Burrelit, ku vuante dënimin shoku më i ngushtë i Nexhipit, ish-gjenerali Gjin Marku, dhe i kërkuan atij të fliste për Nexhipin. Sapo i filluan pyetjet, Gjin Marku e kuptoi se e kishin arrestuar edhe Nexhipin e iu tha: ‘Turp të keni ju dhe ata që iu kanë dërguar, sepse Nexhip Vinçani është njeriu më i pastër’. Pas kësaj Gjinin e rrahën aq shumë, saqë ai nuk u ngrit për një kohë të gjatë nga dysheku. Mbas 11 muajsh hetuesie, nga që nuk gjetën dot dëshmitarë për ta dënuar, Sigurimi u detyrua që ta lironte Nexhipin, duke i komunikuar sikur kishte përfituar nga një amnisti, gjë që nuk ishte aspk e vërtetë”, kujtonte Skënder Vinçani, lidhur me arrestimin dhe torturat që iu bënë vëllait të tij Nexhipit.

 Internohet 5 vjet në Gramsh ku jetonte në një kolibe qeni

Po çfarë ndodhi me Nexhip Vinçanin pasi e liruan nga hetuesia ku e torturuan për 11 muaj me rradhë? Për këtë, Skënderi na tregonte: “Atë ditë që e liruan nga hetuesia e Fierit, Nexhipit që i kishte kaluar të shtatëdhjetat, i komunikuan internimin për në fshatin Grabovë të Gramshit, pasi më parë i kishin internuar dhe gruan e dytë në fshatin Shtyllas të Korçës. Fshati Grabovë ishte 8 orë larg Gramshit dhe atë e caktuan të banonte në një kolibe që rojet e kooperativës e kishin përdorur për të mbajtur qenin. Ajo kolibe ishte aq ngushtë, saqë nuk nxinte dot as dhe një krevat për të fjetur dhe i gjithë shiu i binte brenda. Ai jetoi aty krejt i vetëm në kushte çnjerzore për pesë vjet me radhë, deri në 1988-ën, duke e mbajtur frymën gjallë me ndonjë gjë që i falnin fshatarët, që iu binte rruga andej. Nexhipi paraqitej çdo ditë në zyrat e Këshillit Popullor dhe nuk e lejonin që të shkonte as për tu vizituar në qytetin e Gramshit. Njëherë që e lejuan pas tre muajsh lutje, porsa e panë në qytet, e urdhëruan që të nisej menjëherë në fshat, pasi aty do të vinte për vizitë një shok i udhëheqjes nga Tirana. Ai u nis në këmbë në atë të ftohtë dhe gjatë rrugës natën e hëngrën qentë e fshatarëve. Nga që nuk u kthye dot atë natë në shtëpinë e tij, Këshilli Popullor i fshatit kujtoi se ai ishte arratisur dhe u dha kushtrimi duke u ngritur në alarm të gjitha çetat vullnetare të fshatrave përreth”, kujtonte Skënderi vuajtjet dhe peripecitë e pafundëme të vëllait të tij, gjeneralit të famshëm Nexhip Vinçani, i konsideruar si një nga heronjtë e Luftës Antifashiste në Shqipëri, i cili ndërroi jetë në 6 mars të vitit 1997, në qytetin e Tiranës, nga ku Enver Hoxha e kishte larguar që para 40 viteve, duke e akuzuar si “armik të partisë e të popullit”./Memorie.al

20200331_160913 20200331_160953 20200331_161214 20200331_161254 20200331_161357 26170664_1306483346165199_6068274318386471529_o BAKO_04 brigat4-1 grft Sami-Vinçani-me-kolegë-ushtarakë Sami-Vinçani-ushtarak thumbnail_Zhukov-1

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura