Vëllai i Bujana Bushit: Nëse nuk zbardhet e vërteta, bëhem kamikaz dhe do t’i hedh në erë

Aug 4, 2015 | 19:20
SHPËRNDAJE

Familjarët e Bujana Bushit, viktimës së aksidentit në Gosë të Kavajës kanë takuar sot kreun e shtetit, Bujar Nishani nga i cili kanë kërkuar drejtësi dhe zbardhjen e ngjarjes, për të cilën thonë se nuk është aksident, por dyshojnë për vrasje dhe grabitje.

Familjaret dhe djali i viktimes pas takimit me Nishanin
Familjaret dhe djali i viktimes pas takimit me Nishanin

Pas takimit me Nishanin, në një deklaratë për media, në prani edhe të djalit të vogël të viktimës ata kanë akuzuar policinë për fshehje të ngjarjes.

“Ata po pinë birra sot dhe kanë bërë makabër, kanë paguar për të mbuluar aksidentin e mbesës sime dhe nënës së këtij djali”-tha daja i viktimës.  

Sipas tij, mënyra se si rrodhën ngjarjet pas aksidentit lë të dyshosh se ajo mund të ishte vrasje dhe grabitje.

“Më lind të dyshoj që e kanë marrë për të rrjepur, përderisa mua nuk më treguan vendin ku është vrarë, nuk më dhanë fletën e policisë të shoqërimit, firmën në spital, vajza ishte e deformuar në fytyrë, e carë, me sy të dalë”- tha ai.

Teksa i vëllai i viktimës ka kërcënuar se nëse nuk gjendet e vërteta e vdekjes së motrës nga drejtësia, ai do ta vendosë vetë drejtësinë.

“Unë jam i vëllai i Bujanës, Besnik Bushi. Sot tentuan të më arrestonin, për karriget e Vlorës, që pse u ule në lokal atje.., kush është Kastriot Jaupi që më thotë mua mos të ishte dajua ta tregoja unë qejfin ty, unë jam vëllai i Bujanës, unë do vishem si kamikaz me bomba dhe do ta hedh në erë nëse s’gjendet e vertëta, nuk zbardhet nga shteti… Nëse nuk zbardhet çështja do ta zbardh vetë….s’më interesojnë fare as lekë as unaza”,- tha ai.

Familjarët kanë nxjerrë edhe djalin e vogël, i cili ka kërkuar zbardhjen e të vërtetës. “I kërkoj shtetit të zbardhe të vërtetën që unë të jetoj pa hasmëri”- tha djali, i ndihmuar edhe nga daja i mamasë.

Familjarët iu referuan sërish cantës me 100 mijë euro, orës së shtrenjtë 28 mijë euro dhe sendeve të tjera që viktima kishte me vete, edhe pse shtuan se ‘nuk u duhen rraqet, por drejtesia, kush e mori vajzen ne makine dhe cfare i bene”.  

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura