Vëllai i biznesmenit: Familjarët e Bujanës më kërkuan 150 mijë Euro, i kam denoncuar

Aug 4, 2015 | 14:38
SHPËRNDAJE

Astrit Azisllari, 46 vjeç, njeriu shumë i përfolur në media e në publik, vëllai i biznesmenit Kosta Taçi nga Vlora, në një intervistë ekskluzive për ‘GSH’ ka deklaruar se ka denoncuar të afërmit e Bujana Bushit dhe ka kërkuar mbrojtje nga policia e Vlorës.

Biznesmeni i njohur në Vlorë në fushën e ndërtimit sqaron se çfarë është në dijeni të tij, lidhur me çantën dhe sendet personale të 33­vjecares Bujana Bushi, që u aksidentua në Lekaj të Kavajës.

Azisllari flet edhe për akuzat e ngritura nga familja e viktimës për humbjen e një shume mbi 100 mijë euro, në aksidentin e ndodhur.

PAMJE NGA AKSIDENTI (DJATHTAS) VIKTIMA BUJANA BUSHI
PAMJE NGA AKSIDENTI
(DJATHTAS) VIKTIMA
BUJANA BUSHI
Astrit si e morët lajmin e aksidentit. Kush ju lajmëroi?

Unë isha në Vlorë në dyqan, merresha me punë. Më ka marrë në telefon një kalimtar i rastësishëm e më ka thënë që vëllai të ka bërë aksident. Duket që ishin njerëzit që i kanë dhënë ndihmën e parë, ata që më kontaktuan.

E mësove kush ishte në celular?

Jo, pas aksidentit, duket që kalimtarët e banorët e zonës aty afër kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë ofruar ndihmë. Vëllai ka qenë në gjendje të rëndë, por ka mbajtur mend përmendësh numrin tim dhe i kishte thënë atij banorit të më njoftonte. Unë ndërkohë lajmërova njerëzit e afërm, shokë e miq, që të shkonin urgjent në spitalin e Durrësit e të Kavajës të interesoheshin ku do ta çonin sa të vija unë nga Vlora. Ishin momente të rënda dhe shoku.

Po më pas? Shkuat në vendngjarje? Kë gjetët atje?

Ndodhi që unë u nisa nga Vlora me shpejtësi dhe kam mbërritur në vendin e aksidentit në Lekaj të Kavajës. Atje kam gjetur 8 punonjës policie në vendngjarje, që kryenin ekspertizën e aksidentit dhe të makinave të përfshira në aksident. Atje ishte edhe makina e vëllait tim, tip “Benz”, që e mban bashkëshortja e tij.

Çfarë ndodhi më pas?

Ndodhi që u kryen procedurat normale. Më thirri policia në cilësinë e vëllait të shoferit e më tha që makina do të dërgohej në pikën e bllokimit. Për këtë u mbajt një procesverbal për të gjitha sendet që ishin në makinë. I mora unë sendet dhe i futa në makinën time. Më pas makina shkoi në pikën e bllokimit. Unë as që doja të dija për makinë a sende, sepse po më ikte mendja, kisha vëllanë në gjendje të rëndë. Para vëllait nuk më hyn gjë në sy. Familjarët e viktimës kanë ngritur shqetësimin për çantën e dorës, që i përkiste viktimës Bujana Bushi.

Ju e morët? Si ndodhi?

Po, e futa në makinë. Unë e dija se ishte çanta e kunatës sime dhe e futa me sendet e tjera në bagazh. Siç mora të gjitha sendet e tjera që ishin në makinë, se makina ishte dëmtuar e do shkonte në pikë bllokimi.

E patë çfarë kishte brenda çanta?

Aspak jo. Unë nuk kontrolloj çantën e femrave, e as që bëhet fjalë, por e dija të kunatës kur e futa në makinë, bashkë me sende të tjera në prani të policisë dhe të një procesverbali të mbajtur.

Po më pas, çfarë ndodhi?

Më mori në telefon të nesërmen një prej oficerëve të policisë së Kavajës dhe më tha që çanta i përkiste Bujana Bushit dhe e kërkonin familjarët e saj. Unë i mora ata në telefon dhe u thashë që ishte në makinën time, t’ua dorëzoja, por ata më thanë nuk të njohim ty e s’kemi punë me ty. Kam shkuar dhe i kam dorëzuar çantën në policinë e Kavajës një oficeri me procesverbal.

Astrit, familjarët e viktimës akuzojnë për humbjen e një shume prej më shumë se 100 mijë eurosh.

Në media kanë thënë kaq, por mua më thanë 150 mijë euro. Madje kanë pasur shumë versione për shumën e parave që pretendojnë se ka pasur e afërmja e tyre me vete. Unë nuk di asnjë gjë dhe e konsideroj si trillim nga ana e tyre këtë punën e parave e të eurove. Kjo gjë më ka indinjuar shumë, sepse pretendojnë që të hedhin baltë ndaj familjes sonë.

Astrit, pse thoni që jeni i indinjuar?

Jam shumë i indinjuar në këtë drejtim, sepse ne na njeh e gjithë Vlora që jemi njerëz humanë, të ndershëm e fisnikë. Kemi mbajtur me bukë qindra frymë në Vlorë. Kemi pasur mbi 100 persona të punësuar në firmën e ndërtimit. Tani e kemi mbyllur firmën se nuk ka punë. Unë kam kandiduar për këshilltar në Këshillin Bashkiak të Vlorës. Duan të hedhin baltë mbi familjen tonë, në një moment kur jemi në vështirësi, sepse vëllai po lufton me jetën në aksident.

Astrit a keni kontaktuar ju drejtpërsëdrejti me familjen e Bujana Bushit pas aksidentit?

Jo, por kontaktova me një kolegun tim biznesmen në Vlorë. I mori ai në telefon e thashë t’i ndihmoja nga ana humane për ceremoninë e varrimit dhe ndonjë gjë tjetër që mund të kishin nevojë, por ata nuk pranuan, madje më kanë kërcënuar.

Kush ju ka kërcënuar?

Familjarët e Bujana Bushit, xhaxhai, daja e kushërinjtë më kanë ardhur dy herë në dyqanin tim. Erdhën dje, (të dielën), e mi kërkuan 150 mijë euro gruas dhe fëmijëve. Ata ishin në dyqan. Unë sot, (të hënën në mëngjes) i kam denoncuar në polici.

Çfarë denoncimi keni bërë dhe çfarë kërkoni?

I kam denoncuar, sot në mëngjes bëra kallëzim, sepse më kanë kërcënuar familjen. Kam kërkuar mbrojtje prej tyre nga ana e policisë së Vlorës.

Çfarë biznesi keni ju në Vlorë?

Tani kam një dyqan me materiale ndërtimi. Kam 13 vetë të punësuar. Më parë se të mbyllej puna në ndërtim kam qenë ndërtues. /GSH/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura