Veljanovski ka shkëmbyer 40 porosi telefonike me deputetët shqiptarë gjatë dhunës në Kuvend

Dec 13, 2017 | 10:54
SHPËRNDAJE

Janë gati 40 porosi telefonike që ish-kryeparlamentarit të Maqedonisë, Trajko Veljanovski i ka shkëmbyer me deputetë shqiptarë pasditen dhe mbrëmjen e 27 prillit, para se turma e dhunshme në mënyrë të organizuar të hyjë në Kuvend, informon INA.

veljanovski

Sipas Prokurorisë Publike, telefoni iPhone i Veljanovski ka pasur kod dhe se deri tani nuk dihet se a është zhbllokuar. Prokuroria siç mësohet ka siguruar vetëm listingun, ku siç mësohet ka pasur biseda me deputetë të tri partive shqiptare. Emisioni investigativ “Kod” që transmetohet në Telma ka zbuluar edhe emra të deputetëve, duke përmendur deputetin e RDK-së, deputetë të Lëvizjes BESA por edhe deputetë të BDI-së.

Por ende asgjë nuk është konfirmuar se çfarë ka në përmbajtjen e këtyre bisedave dhe se a mund të gjendet aty ndonjë element që mund të ngarkojë me akuzë edhe ndonjë deputet shqiptar, që mund të ketë ditur se çfarë po përgatitej natën e 27 prillit.

Me urdhër të Prokurorisë, para disa ditëve policia i ka konfiskuar telefonin e tij të modelit Iphone, me qëllim të hetimit të përmbajtjes së porosive të cilat i ka shkëmbyer Veljanovski me deputetët dhe të punësuarit tjerë në Parlament, e që kanë lidhje me organizimin e veprës penale që u karakterizua si “terrorizëm”.

Burimet thonë se problemi që ka dalë për shërbimet policore është pamundësia që të dekodohet ky lloj telefoni, kështu që përmbajtja e komunikimeve ende mbetet e panjohur.

Sidoqoftë, pritet që deputetët e arrestuar dhe organizatorët e protestave që dëshmojnë për të gjithë të involvuarit në ngjarjet e 27 prillit, kundër të cilëve poashtu do të ngrihet padi penale “pjesëmarrje në grupim terrorist”.

Përveç Veljanovskit, celulari i është marrë edhe deputetit të RDK-së, Vesel Memedi. Edhe pse hetimet janë në vazhdim, Memedi doli me deklaratë se në celularin e tij nuk është gjetur asgjë.

“Në këtë aksion të organeve të drejtësisë për zbardhjen e së vërtetës rreth ngjarjeve brenda parlamentit, ishte i përfshirë edhe emri im, si një nga të dyshuarit e ndërlidhur me këtë ngjarje. Kam heshtur qëllimisht, që ti lihet hapsirë organeve të drejtësisë ta bëjnë punën e tyre në mënyrë profesionale, pa kurfar pengese nga jashtë. Edhe pse emri im në këtë ngjarje u perfshi pa të drejtë, më gëzoj fakti që erdhi koha që për fajësinë apo pafajësinë e secilit prej nesh, të flasin organet kompetente, e jo rrugaçët dhe shpifësit. Ndjehem krenarë që në asnjë mënyrë me asnjë fakt, nuk jamë i përfshirë në kurfar aktiviteti kundërligjor, dhe pres që organet e drejtësisë edhe publikisht ta vërtetojnë pafajësinë time, që bashkë me anëtarët besnik të RDK-së dhe familjarët e dashamirët e mi, të ndjehemi edhe më krenarë”, ka deklaruar Memedi pas aksionit. Bëhet fjalë për edhe për tre deputetë të tjerë, të cilët kanë shkëmbyer komunikime me ish-kryeparlamentarin Trajko Veljanovski./Gazeta Express/

Lexo më shumë në: http://www.gazetaexpress.com/lajme-nga-maqedonia/veljanovski-ka-shkembyer-40-porosi-telefonike-me-deputetet-shqiptare-gjate-dhunes-ne-k-473825/?utm_source=referral&utm_medium=web&utm_campaign=copyright

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura