Veliaj: Shkolla e re “Hoxha Tahsin, gati shtatorin e vitit 2017

Aug 28, 2016 | 11:56
SHPËRNDAJE

Mbajtja e premtimit për ndërtimin e 20 shkollave fillon me shkollën 9 vjeçare “Hoxha Tahsin”, të cilën Bashkia e Tiranës po e rindërton, duke e çuar kapacitetin e saj në një mijë nxënës.

28663388133_e46884daa5_kPunimet janë në fazën e hedhjes së themeleve dhe ato u ndoqën nga afër nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i shoqëruar edhe nga deputeti Besnik Bare dhe Administratori i Njësisë nr. 2, Elez Gjoza. Pasi u njoh me detajet e projektit dhe afatet e realizimit të tij, kryebashkiaku Veliaj garantoi se shkolla do të ofrojë jo vetëm më shumë vende, por edhe kushte bashkëkohore për të gjithë nxënësit që do ta frekuentojnë atë.

“Jam shumë i mbresuar që në një periudhë shumë të shkurtër janë hedhur themelet për shkollën e re. Jemi në një situatë kritike në Tiranë, për disa arsye: së pari, kemi mbi 20 shkolla me dy turne në zonën urbane, çka do të thotë se e kemi të nevojshme ndërtimin e shkollave të reja. Ndërkohë që ne përgatisim projektin e madh se si në partneritet publik-privat do të fillojmë menjëherë ndërtimin e 20 shkollave, është shumë e rëndësishme që ato financa që kemi mbledhur këtë vit, të fillojmë t’i disbursojmë në këto investime”, tha Veliaj. Ai shtoi se shkolla e re do të jetë gati të presë nxënësit shtatorin e vitit tjetër, ndërsa theksoi se projekti parashikon dyfishimin e numrit të nxënësve në raport me atë që ofronte shkolla e vjetër.

 

“Hipoteka jonë për të ardhmen nuk janë rruga, asfalti, llaç e tulla, sepse edhe po u prishën, i rregullojmë. Por, janë arsimi dhe shkollat, ndaj besoj që sot po lidhim një hipotekë jo për zgjedhjet e ardhshme, por për gjeneratën e ardhshme, që është më e rëndësishme se çdo betejë tjetër”, u shpreh kryebashkiaku Veliaj. Paralelisht me ndërtimin e shkollës “Hoxha Tahsin”, Veliaj tha se po ndërtohet edhe një shkollë të re në Kombinat dhe një tjetër te Bregu i Lumit. Ai theksoi se, ndërsa vijon puna për ndërtimin e këtyre tre shkollave, Bashkia e Tiranës është angazhuar plotësisht që të riparojë, lyejë dhe pastrojë të gjitha shkollat ekzistuese në territorin e Tiranës, në mënyrë që të jenë gati për fillimin e vitit të ri shkollor.

 

“Në njësinë nr. 2 po mbarojmë me rikonstruksionin e disa shkollave, si shkolla “1 Maji”, dhe po rehabilitojmë të 200 shkollat e Tiranës, nga Shëngjergji në Bllok”, shtoi kryetari i bashkisë. Veliaj bëri të ditur se në këtë prag fillimi të sezonit të ri shkollor, në bashkëpunim Drejtorinë Arsimore, po punohet për shmangien e shkollave me dy turne. “Për herë të parë në Tiranë do të ketë vetëm 2 gjimnaze me dy turne: “Ismail Qemali” dhe “Sami Frashëri”. Në momentin që do të ndërtojmë shkollat e reja, brenda një viti do të sistemojmë problematikën e shkollave me dy turne. Ky mandat do të mbyllet pa pasur asnjë shkollë me dy turne në Tiranë”, u shpreh ai. Për të shmangur mbingarkesat në disa shkolla, Veliaj u bëri thirrje prindërve që të jenë bashkëpunues dhe t’i çojnë fëmijët e tyre në shkollat më të afërta, pasi kushtet dhe cilësia e mësimdhënies është e njëjtë.

 

“Kemi siguruar që mësuesit e mirë të shpërndahen në mënyrë të njëtrajtshme në të gjithë territorin e Tiranës, jo vetëm aty ku dyndja është më e madhe. Fëmijët do të kenë mësues cilësorë në të gjitha shkollat, çka do të thotë se nëse DAR-i ju këshillon të regjistroni fëmijën tuaj në pikën më të afërt të arsimit, në shkollën më të afërt, ju lutem respektoni këtë vendim! Duke u dyndur, në vend që t’i bëjmë më të mira shkollat ekzistuese, i bëjmë më të këqija, bie cilësia, shtohen klasat, hiqet përqendrimi, bie edhe rendimenti i  punës në shkolla”, tha Veliaj, ndërsa shtoi se është e pafalshme që disa shkolla janë me dy turne, ndërkohë që në disa të tjera ka vende bosh.

 

Në bazë të projektit, shkolla e vjetër 9 vjeçare “Hoxha Tahsin” do të rindërtohet me ambiente të 2-fishuara. Shkolla e re do të ketë 4 kate me të gjitha ambientet e domosdoshme mësimore, si laboratorë dhe palestra me standarde, si edhe një terren sportiv të jashtëm, me një kapacitet të përgjithshëm rreth 1 mijë nxënës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura