Veliaj publikon nismën e re: Duke filluar nga janari, në Tiranë 70 dokumente do të jepen në një e-kioskë

Dec 7, 2017 | 13:24
SHPËRNDAJE

Qytetarët e Tiranës do të marrin më lehtë dhe më shpejt dokumentet zyrtare që u nevojiten.

Duke filluar nga muaji janar, Bashkia e Tiranës do të lëshojë rreth 70 dokumente në një kioskë, ku qytetarët, ashtu sikurse veprojnë në një bankomat, do të mund të printojnë dokumentet e tyre zyrtare pa pritur në radhë dhe duke rritur në këtë mënyrë edhe transparencën.

Veliaj ne konference

I pranishëm në konferencën e parë rajonale me temë “Qytetet pa korrupsion të së ardhmes” të organizuar nga PNUD, Kryebashkiaku Veliaj deklaroi se Bashkia e Tiranës po punon për të zgjeruar gamën e shërbimeve që ofrojmë online duke shmangur kontaktin me punonjësit.

“Një pjesë e madhe e popullsisë sonë, në Shkup, në Tiranë, në Moldavi, në Kosovë, e harxhon kohën duke qëndruar në radhë për të takuar një zyrtar i cili duhet t’i japë një letër që dëshmon që ti je ti. Pra që është certifikata jote. Sa  orë, sa kapital njerëzor, sa energji e çmuar, kalohet nëpër qytetet tona në radhë për të prodhuar që ti je vetja jote. Nonsens. Ajo që po bëjmë është që 70 dokumente, duke filluar nga janari në Tiranë do të jepen në një kioskë. Që është njësoj si bankomati. Mjafton të futësh ID. Do paguash sa është tarifa dhe do ta printojë një makineri”, theksoi Veliaj.

 Kreu i Bashkisë nënvizoi se kjo nismë do t’u kursejë qytetarëve 9 ditë të humbura në vit për të marrë një dokument zyrtar dhe njëkohësisht do të shmangë dhe korrupsionin. “Qeveria shqiptare dhe kryeministri ka bërë një vendim shumë të guximshëm. I ka anuluar certifikatat për nevoja e një institucioni shtetëror me një tjetër. Por për institucionet private, për bankat, për kontrata, për noterë, ende kërkohet certifikata nga palë të tjera. Një shqiptar mesatarisht harxhon 9 ditë në radhë në marrje shërbimesh në vit. Unë besoj se kjo është mënyra më e mirë se e para tregon jo vetëm modernizim, jo vetëm shmang korrupsionin dhe njerëzit që mundohet të bëjnë një ryshfet të vogël për çdo dokument, por unë besoj se në dalim nga gijotina, ky është një rregullim i sistemit”, tha ai.

 Veliaj deklaroi se për të rritur transparencën, Bashkia e Tiranës ka ndërtuar një partneritet të vërtetë me qytetarët. “Për disa politikanë klasikë, demokracia është një sport një herë në katër vjet kur njerëzit votojnë. Unë besoj sot jetojmë në një kohë tjetër. Mënyra se si ne kemi kuptuar demokracinë në qytetin e Tiranës është një komunikim e dialog konstant me qytetarët. Nuk  besoj se ka një ditë, që Bashkia e Tiranës nuk bën një komunikim publik apo një dalje publike. Shumë vetë e kritikojnë këtë dhe ky është problem i tyre, por si kryetar bashkie, më mirë të akuzohemi që ne komunikojmë përditë dhe përditë tregojmë një punë konkrete, se sa të akuzohemi për mungesë transparence dhe për një fshehje të Bashkisë”, tha ai.

 Duke folur për nismat e ndërmarra nga Bashkia e Tiranës në luftën kundër korrupsionit dhe transparencës me publikun të cilat kanë dhënë rezultate pozitive, Veliaj deklaroi se teknologjia sot ofron mundësi të jashtëzakonshme për të ndërtuar një raport të ri me qytetarët dhe për të minimizuar hapësirat për abuzim.

“Një nga propozimet që kemi bërë në Tiranë është si mundemi që sa më shumë procese të Bashkisë, ne t’i modernizojmë. Një nga gjërat që kemi bërë është që të kalojmë on-line të gjithë lejet tona të ndërtimit. Që nga dita kur lejet e ndërtimit janë on line dhe ku 10 institucione duhet të shtypin atë kutinë e tyre përpara se një leje të aprovohet dhe institucione të pavarur nga njëri-tjetri, kemi shpëtuar. As nuk do njeri të takojë kryetarin e Bashkisë”, u shpreh Veliaj.

 Kreu i Bashkisë tha se një nga zhvillimet më të rëndësishme ka qenë aplikacioni “Tirana Ime”, përmes të cilit qytetarët jo vetëm që mund të marrin çdo informacion mbi Bashkinë, por edhe të raportojnë çdo problem që kanë e të marrin përgjigje në kohë reale e mënyrë transparente.  “Është një aplikacion fantastik që i jep akses çdo qytetari të shikojë atë çfarë sheh edhe Kryetari i Bashkisë. Të shikojë kamerat e qyteti, me një fotografi të atij momenti kur shtypet, të shikojë si është trafiku në qytet me një diagramë që i tregon ku është e ngarkuar, por edhe të bëjë këto raportimet. Mjafton që një qytetar në Tiranë të shtypë në telefonin e tij një fotografi të një grope, të një peme të prishur, të një drite të djegur, e çon me GPS-in e tij në dispeçerinë e bashkisë, dispeçeri i bashkisë menjëherë çon dikë që ta rregullojë dhe ty të vjen fotografia sesi u rregullua ai problem. Mesatarja është 20 mijë raportime të këtyre problematikave dhe në vend që të punësojmë 1000 inspektorë, rrogat e 1000 inspektorëve, i kemi çuar në fakt për investime për të rregulluar qytetin”, u shpreh kreu I Bashkisë.

 Një tjetër projekt shumë i rëndësishëm, i bashkisë së Tiranës ka qenë portali “Open Data”, ku bëhet transparencë e plotë për çdo punë të bashkisë dhe ku qytetarët mund të marrin informacion mbi çdo aspekt të punës tonë.

“Jemi një nga bashkitë që kemi  vënë çdo gjë online. Po më vinte për të qeshur se një pjesë e sulmeve nga kundërshtarët politikë, në fakt bëhet me informacionin që ne vetë e japim publik. Ne kishim rastin e fundit të historisë së përmbytjeve edhe në Tiranë fatmirësisht nuk patëm asnjë problem në qytetin e Bashkinë e Tiranës. Kishte shumë kundërshtarë politikë që thoshin: Po jo, po u përmbyt në një vend tjetër dhe njerëzit më thoshin: Ja e shikon çfarë na bëri portali yt? Thashë, po kjo është një mundësi fantastike për t’i treguar një ish-kryeministri ose një ish-kryetari bashkisë se ku mbaron Tirana, ku fillon bashkia e tyre dhe si ndonjëherë dëshira për ta përdorur kundër teje një gjë që ti vetë e ke vënë publik, është “boomerangu” më i madh i dikujt që do ta keqpërdorë”, deklaroi Veliaj.  

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura