Veliaj prezanton Gjonajn në Njësinë 7/ Ministrja: Mandati i 3 duhet për frytet e drejtësisë

Apr 8, 2021 | 13:28
SHPËRNDAJE

Veliaj gjonajDrejtuesi politik i Partisë Socialiste në Tiranë, Erion Veliaj në vijim të fushatës elektorale të 25 Prillit, gjatë një takimi me qytetaret në Njësinë 7, prezantoi kandidaten për deputet Etilda Gjonaj. 

Gjatë takimit, Gjonaj theksoi se mandati i tretë për Partinë Socialiste duhet për të sjellë rezultate nga reformat e rëndësishme në sistemin e drejtësisë të ndërmarra ndër vite.

“Partia Socialiste meriton të ketë një mandat të tretë për të vijuar të gjitha punët e mira të bëra deri tani dhe për të marrë frytet e reformave shumë të rëndësishme që kemi ndërmarrë, që nga drejtësia, siguria, lufta kundër korrupsionit dhe qëndrueshmërinë e të ardhmes së këtij vendi mund ta sjellë vetëm Partia Socialiste.

Atë që kemi vendosur në këtë mandat janë pikërisht mekanizmat kundër korrupsionit. Nëse qytetarët më parë ankoheshin për korrupsion në sportelet e taksave, tatimeve, doganave, inspektorateve apo pronave, sot, nëpërmjet një rrjeti antikorrupsion që është ngritur në mënyrë ndërinstitucionale kemi mundësi që të trajtojmë të gjithë rastet e korrupsionit dhe abuzimit me detyrën,”- theksoi Gjonaj.

Të pyetur nga banorët lidhur me privatizimin e kompleksit Partizani nga qeveria Berisha, Ministrja Gjonaj dhe kryebashkiaku Veliaj theksuan se dosja ka shkuar pranë organeve të SPAK, ndërsa shtojnë se ata që janë të përfshirë do të mbajnë përgjegjësi përpara ligjit.

“Ka shkuar e gjithë dosja në SPAK. Pra ka filluar hetimi me themel i çështjes. Për të gjithë ata banorë që janë aty, as bëhet fjalë që t’i nxjerrim nga shtëpitë dhe t’i lëmë në rrugë. Ata kanë bërë kontratat e tyre, kanë tashmë apartamentet e tyre, por mënyra se si mbërritëm deri aty është tani çështje e drejtësisë. Banorët të rrinë të qetë. Drejtësia do të bëjë punën e saj për t’i shkuar deri në fund të gjithë asaj manovre me klubin,” tha Veliaj.

Ndërsa, Gjonaj shtoi se “as mund të prisnim që drejtësia të vepronte më përpara pasi ishte një drejtësi e kapur tërësisht nga politika dhe vetëm sot që janë hedhur bazat e reja e vettingu po pastron të gjithë Pallatin e Drejtësisë mund të presim që drejtësia të veprojë dhe personat e përfshirë të dalin përpara drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura