Veliaj premton ngritjen qendrave të grumbullimit të prodhimeve bujqësore

May 27, 2015 | 11:25
SHPËRNDAJE

Kandidati i majtë për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj ishte ditën e sotme në Pezë në një takim elektoral, ku premtoi se do të ngrihet një qendër e grumbullimit të prodhimeve bujqësore për fermerët e zonës.

Duke prezantuar programin e tij të detajuar për zonat rurale, të cilat me reformën territoriale i bashkohen Bashkisë së Tiranës, Veliaj bëri edhe dy premtime konkrete: ndërtimin e dy rrugëve në Pezë, rrugën e Varoshit 2km të gjatë dhe rrugën Pezë-Gjysulkonjë 4 km e gjatë.

“Kjo fushatë nuk është për premtime fantastiko-shkencore, por për temat e thjeshta, për të cilat diskutohet në tavolinën e bukës të çdo qytetari. Ata flasin për gjëra konkrete, për shkollat, rrugët, tregjet etj, jo se çdo bëjë Saliu e Shkëlzeni. Po shkojmë në çdo njësi, fshat e qytet, që çdo njësi të ketë programin e vet konkret dhe çdo njeri të marrë vesh se ç’do ndodhë në lagjet e tyre. Po sjellim një projekt konkret për nevojat e çdo lagjeje, si një kostum që është qepur sipas masës së çdo njësie”, deklaroi Veliaj nga Peza.

 Veliaj shtoi se do të ndërtohen pika të grumbullimit të prodhimeve bujqësore e blegtorale përmes skemave të PPP-së, si dhe do të hartohen guida turistike dhe vendosen linja transporti të dedikuara drejt pikave turistike strategjike. Duke u rikthyer te problematika në Pezë, Veliaj tha se prioritet i bashkisë do të jetë edhe vendosja e argjinaturës në lagjen Çelje të Pezës së Vogël, që rrezikohet nga erozioni.

10 pikat e programit për fshatin

1.     Integrimin rrugor të zonave rurale në territorin e Bashkisë së Tiranës;

2.     Ndërlidhje me transport publik të gjithë territorit;

3.     Rikonceptim i shpërndarjes gjeografike dhe organizimit të tregjeve;

4.     Vendosjen në punë të sistemit të vaditjes dhe kullimit në territorin e Bashkisë Tiranë;

5.     Ngremë Qendrën e Agronomisë dhe Veterinarisë për të orientuar fermerët;

6.     Ngremë Qendrën e Këshillimit dhe Mbështetjes së Zonave Rurale për të ofruar asistencë teknike dhe grante për fermerët;

7.     Ndërtim i pikave të grumbullimit të prodhimeve bujqësore e blegtorale përmes skemave të PPP;

8.     Hartojmë një guidë të plotë turistike për atraksionet turistike;

9.     Vendosim linja transporti të dedikuara drejt pikave turistike strategjike;

10.   Ofrojmë incentiva për fermat dhe bizneset agrobujqësore

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura