Veliaj në Farkë mesazh për debatet mbi teatrin: Duhet të gjejmë gjuhën e mirëkuptimit

Jun 20, 2018 | 13:54
SHPËRNDAJE

Farka ishte ndalesa e radhës e turit llogaridhënës për kryebashkiakun Erion Veliaj, ministren e Drejtësisë, Etilda Gjonaj dhe kryetaren e PS të Tiranës, Blerina Gjylameti, të cilët bashkëbiseduan dje me banorët e njësisë mbi projektet dhe punën e Bashkisë së Tiranës, si dhe reformat e qeverisë në shërbim të qytetarëve.

35895378_10212001475727571_2919616173937000448_n

Veliaj theksoi se Farka ka përfituar një sërë investimesh të rëndësishme, që kanë sjellë përmirësim në infrastrukturë, ndërsa u shpreh se buxheti i vitit të ardhshëm siguron një rritje të ndjeshme të financimit të projekteve për këtë njësi. “Në Farkë kemi bërë punë që s’ishin bërë prej vitesh. Zonat janë duke u formalizuar, dhe pas legalizimin e kemi më të lehtë për të investuar në infrastrukturë. Në buxhetin e këtij viti do të reflektohet që një pjesë e investimeve të shkojnë në nivel kalipar, tani që janë rregulluar pjesët kryesore. Investimet në Farkë do të vijnë duke u rritur”, tha Veliaj.

Ai falenderoi banorët e Farkës, të cilët falë bashkëpunimit kanë mundësuar jo vetëm realizimin e këtyre investimeve, por edhe ruajtjen e tyre. Veliaj tha se bashkëpunimi dhe mirëkuptimi i treguar në këto raste, është shembulli më i mirë për t’i dhënë zgjidhje edhe çështjeve për të cilat ka mendime të ndryshme, si rasti i Teatrit të ri Kombëtar.

“Në disa raste na duhet të gjejmë gjuhën e mirëkuptimit me njëri-tjetrin. Kjo nuk vlen vetëm për një rrugë lagje, por kudo. Këto ditë kemi pasur takime me artistë, arkitektë e urbanistë për të gjetur gjuhën e bashkëpunimit për teatrin. Ne, shqiptarët, kemi treguar që kur gjejmë gjuhën, kur komunikojmë, mund të bëjmë rrugë, mund të bëjmë parqe, mund të bëjmë edhe një teatër shumë të bukur, por kjo kërkon bashkëpunim nga të gjithë. Ndaj, besoj se mesazhi që japim si bashki, kudo ku kemi ndërhyrë, qoftë duke negociuar me artistët, arkitektët, urbanistët, qoftë me banorët në fshat, që na kanë lejuar të mbjellim pemë, qoftë me ata që na kanë lejuar të bëjmë një trotuar, të shtrojmë një rrugë, është mirëkuptimi mes nesh”, u shpreh Veliaj.

Kryebashkiaku tha se në Farkë ka një rritje të ndjeshme të shërbimit të transportit urban. Ai theksoi se falë riorganizimit, por edhe kritereve të forta që vendosi Bashkia e Tiranës, ky shërbim në këtë njësi është si dita me natën me atë që ishte më parë. “Transporti publik që trashëguam nga komunat ishte konceptuar 10-15 vite më parë. I bëmë disa ndryshime vjet, në ca vende po funksionojnë shumë mirë. Kur kemi bërë dëgjesën e fundit kemi pasur 10 ankesa, tani kemi ankesë vetëm për një stacion. Fakti që janë reduktuar do të thotë se duke ndërhyrë mund ta rregullojmë”, deklaroi Veliaj.

Ai tha se falë vëmendjes së shtuar të Bashkisë së Tiranës, Farka po kthehet në një nga zonat më të frekuentuara për banorët e Tiranës, pasi ka tashmë parkun e dytë më të madh pas atij të liqenit artificial.

“Më erdhi shumë mirë që javën e fundit kishim një garë ku shumë sportistë erdhën nga vende të tjera që s’e kishin parë këtë bukuri dhe këtë transformim. Pak nga pak, parku i liqenit të Farkës po bëhet një park i dytë si Liqeni i Tiranës. Farka e ka të gjithë mundësinë të jetë një ndër vendet më të pëlqyera të Tiranës”, shtoi kryetari i bashkisë.

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, theksoi se një nga prioritetet kryesore të qeverisë në këto vite kanë shërbimet që u ofrohen qytetarëve, duke mundësuar lehtësimin e dokumentave që merren në sportele, si dhe shtimin e shërbimeve që merren online.

“Dy janë shërbimet kryesore që qeveria ka punuar për sa i përket shërbimeve. E para, procesi i lehtësimit të dokumentacionit që një qytetar duhet të dorëzojë në sportel për të marrë një shërbim dhe ju e dini mjaft mirë që procesi ka filluar me certifikatat personale, ose certifikatat familjare, duke mos lejuar askënd nga punonjësit e Administratës Publike apo çdo zyre shtetërore, që t’jua kërkojë këtë certifikatë, pasi është detyrim i këtyre punonjësve që ta marrin atë. Procesi i dytë i ndërmarrë është ofrimi i dokumenteve përmes dokumenteve online, të cilat mund t’i merrni me nënshkrim elektronik, me të njëjtën vlerë si të kishte dhe 10 vula. Kjo ka lehtësuar qytetarët, jo vetëm në kufizim të kohës që harxhohej deri dje nëpër sportele, por ka lehtësuar qytetarin për shpenzimet financiare”, tha Gjonaj.

Sipas ministres, me përmirësimin e këtyre shërbimeve sot qytetari e ka shumë të thjeshtë për të marrë një shërbim, për shkak të lehtësimit të numrit të dokumenteve.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura