Veliaj me komunitetin e çiklistëve: Numri i përdoruesve të biçikletës është trefishuar, shtimi i korsive nuk i ka ngushtuar rrugët

Mar 12, 2023 | 12:17
SHPËRNDAJE

Numri i përdoruesve të përditshëm të biçikletës në Tiranë është trefishuar falë shtimit të korsive dhe promovimit të jetës së shëndetshme. Në një takim me shoqatat e çiklistëve, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj tha se përdorimi i biçikletës ndikon drejtpërdrejtë në çlirimin e trafikut dhe i shërben një qyteti më të pastër për të gjithë.

51a9b629-d7aa-4dc5-ae4f-2d82f5a30b1e

“Sot komuniteti i çiklistëve është tre herë më i madh. Për numrin e banorëve që jetojnë në Tiranë, është arritje shumë e madhe fakti që më shumë njerëz po zgjedhin biçikletën sim jet transpoti, duke lënë makinat. Nuk jam këtu për t’i bërë luftë makinave, por nga 800 mijë segmente që bëhen me makinë në ditë në Tiranë, siç e kemi matur me kolegët e GIZ-it, 400 mijë kryhen për distanca më pak se 1 km. Kjo distancë mund të bëhen fare mirë me biçikletë, në këmbë, me një monopatë ose me transport publik”, u shpreh Veliaj.

Ai tha se kundërshtitë që ngrihen ndonjëherë kundër biçikletave nuk janë të bazuara në fakte. “Unë marr kritika kur hapet një korsi e re biçikletash, thonë: “Kryetar, na ke ngushtuar rrugën”. Po le të marrim Bulevardin “Zogu i Parë”. Cilën rrugë kemi ngushtuar? Në atë tunelin e bukur me gjelbërim nuk kalohej me makinë. Është bërë më e përdorshme për biçikletat, por nuk e ka ngushtuar njeri rrugën. Rr. “Myslym Shyri” ishte kthyer e gjitha në një parking, ti gjithsesi nuk i shikoje vitrinat e dyqaneve, sepse parkoheshin makinat. Pra, as nuk e kemi ngushtuar, por ka sjellë përfitime për të gjithë komunitetin. Te Rruga e Kavajës, prapë kemi një ishull në mes, ku gjithsesi nuk kalonin makinat. Te Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” nuk lejohej parkimi në të dyja anët dhe korsia e biçikletave nuk ka marrë asnjë hapësirë”, deklaroi ai.

Sipas Veliajt, edhe për vetë shoferët, aleati numër një është pikërisht ai me biçikletë sepse është një makinë më pak në Tiranë. Kreu i Bashkisë theksoi se një tjetër hapësirë e gjelbër do shtohet për çiklistët në Parkun e Farkës.

Ai nënvizoi se në rrugët e Tiranës do të shtohen më shumë korsi biçikletash. “Ne do të vazhdojmë me shtrirjen e korsive të biçikletave, duke kaluar nga ajo që quhet rrjeti minimal, në një rrjet që shtrihet në më shumë rrugë. Deri tani strategjia jonë ka qenë: bëj një rrugë me korsi biçikletash, trego që ajo përdoret, vendos një ticker për t’i thënë shoferëve se ka mijëra vetë që mund të ishin si ty, me makinë në rrugë, fito pak terren në debatin publik dhe pastaj kalo në një rrugë tjetër. Më duket sikur po përshkruaj një strategji lufte, por në fakt kjo është një betejë për mentalitet”, tha Veliaj.

Sipas tij, edukimi i hershëm, që në kopësht, i fëmijëve për të mësuar biçikletën, është një hap më shumë për një jetesë të shëndetshme.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura