Veliaj mbjell pemë me Olsi Ramën: Premtimi im për 122 mijë pemë deri në 22 Prill

Apr 20, 2018 | 13:10
SHPËRNDAJE

Dy vite më parë, në pjesën jugore të Liqenit të Tiranës kishte vetëm baraka dhe plehra, çka ishte kthyer në një problem për banorët e zonës dhe ndotjen e liqenit. Sot, komuniteti rom që jetonte aty është sistemuar nga Bashkia e Tiranës në banesa komode në Shkozë dhe Lanabregas, kurse hapësira i është rikthyer parkut me më shumë pemë, duke ia shtuar mushkërinë qytetit të Tiranës.

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se me këtë ritëm, do të tejkalohet numri 122 mijë pemë i vënë si qëllim për t’u mbjellë deri në datën 22 Prill.

veliaj me olsi ramen

“Jam shumë i lumtur që edhe në këto ditë të fundit, përpara se të kapim 22 Prillin, do ta tejkalojmë numrin e 122 mijë pemëve të mbjella. Deri para një viti kjo ka qenë një tokë e zënë. Më kujtohet gjullurdia që u krijua asokohe, por toka jo vetëm u lirua, jo vetëm që sot komuniteti rom jeton më mirë, punë për të cilën morëm edhe një çmim, por e gjithë Tirana jeton më mirë. Pra, treguam se si 1% nuk mund të pengojë zhvillimin e 99% të tjerëve, ama ka një mënyrë se si edhe 1% dhe 99% mund të jetojnë më mirë, falë nismave të bashkisë”, tha Veliaj.

Ai falenderoi ekipin e futbollit të Partizanit që u bë pjesë e revolucionit të gjelbër, duke kontribuar për një mjedis më të pastër. “Kush është sportist i mirë, mbi të gjitha është edhe qytetar i mirë, ndaj ju falenderoj, së pari për qytetarinë dhe siç bëni gola në fushë, keni bërë ‘gola’ sot në fushën e qytetarisë. I falenderoj shumë çunat e ekipit që na dhanë një spektakël në këtë fushë”, tha kryebashkiaku.

 

 

 

Drejtori sportiv i Futboll-Klub “Partizani”, Olsi Rama shprehu kënaqësinë që edhe kjo skuadër u bë pjesë e aksionit të gjelbërimit, ndërsa vlerësoi transformimin që ka pësuar Parku i Liqenit. “E falenderoj Bashkinë e Tiranës për punën e mrekullueshme për rinovimin e parkut. Tani shoh një transformim të plotë dhe për këtë jam shumë i lumtur që edhe Partizani po jep kontributin e tij. Kur u tregova djemve për nismën, ata reaguan menjëherë në mënyrë pozitive, jo vetëm për faktin se ndonjëherë stërviten këtu, por sepse nuk janë vetëm sportistë të mirë, por edhe aktivistë të mirë. Tirana po bëhet një qytet metropol, një qytet kozmopolit, që po i rrit vlerat edhe përmes punës së madhe të bashkisë”, tha Rama.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura