Veliaj: Kemi ndërhyrë në 50 rrugë, vitin tjetër punime edhe çdo rrugicë e lagje

Jun 30, 2016 | 12:09
SHPËRNDAJE

Rruga “5 Maji”, e cila lidh zonën e Medresesë me tregun industrial, është rikonstruktuar plotësisht me trotuare të reja, ndriçim dhe sinjalistikën e nevojshme. Kjo rrugë ishte lënë prej vitesh në një gjendje të mjerueshme. Punimet e realizuara nga Ndërmarrja e Punëtorëve të Qytetit Nr.2 u inspektuan nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili theksoi se punimet në infrastrukturë jo vetëm që lehtësojnë lëvizjen e qytetarëve, mjeteve dhe mallrave, por i japin një vlerë tjetër pronës.

Veliaj te Rruga 5 Maji (1)

“Falenderoj ndërmarrjen tonë, e cila vetëm me punonjësit dhe mjetet e bashkisë arriti të sistemonte të gjithë bllokun tregtar rreth Medresesë. Ky investim i ka rritur vlerën pallateve dhe gjithë bizneseve që operojnë në këtë zonë. Më vjen mirë që edhe Medreseja, në këtë muaj të Ramazanit, ka një pamje më të mirë. Në këtë mënyrë i japim dinjitet hapësirave tona publike”, deklaroi Veliaj. Ai shtoi se statistikat e zyrave imobiliare tregojnë se vlera e pronës është rritur mesatarisht 15%, por në disa lagje të Tiranës kjo shifër shkon deri në 30% falë investimeve të bashkisë.

“Nëse vazhdojmë me këtë ritëm, kushdo që ka pronë në Tiranë, falë punës së bashkisë, do të ketë një pronë që vlen më shumë çdo vit, se sa vlera që kishte një vit më parë”, tha ai. Kryebashkiaku premtoi se Bashkia e Tiranës do të vazhdojë çdo ditë punën e saj, jo vetëm me investime në rikonstruksionin e rrugëve, por edhe për shtimin e hapësirave për fëmijët. “Ky ka qenë vetëm viti ynë i parë dhe sigurisht që jemi fokusuar në akset kryesore. Por, fokusi gjatë vitit tjetër do të jetë në rrugicat dhe sheshet e lagjeve. Edhe në njësinë nr.8 jemi duke identifikuar hapësira që mund t’i kthejmë në kënde lodrash për fëmijë, si ai që bëmë te ‘Mine Peza’”, u shpreh Veliaj.

Veliaj te Rruga 5 Maji (2)

Kryebashkiaku i Tiranës tha se gjatë viti të parë të mandatit është ndërhyrë në mbi 50 rrugë në kryeqytet, ndërkohë që gjatë vitit të dytë puna do të vijojë në çdo rrugicë lagjeje. “Kemi ndërhyrë në mbi 50 rrugë kryesore të qytetit. Por, dua t’i garantoj qytetarët se nuk do të kalojë ditë e këtij viti, por edhe ditë e këtij mandati, pa bërë një punë konkrete dhe pa patur një rezultat konkret në Bashkinë e Tiranës”, theksoi ai. Kryetari i Bashkisë së Tiranës falenderoi qytetarët për mirëkuptimin e tyre për lirimin e hapësirave të nevojshme për të pasur rrugë sipas të gjitha standardeve. Ai kërkoi bashkëpunimin e qytetarëve edhe për mirëmbajtjen e këtyre hapësirave.

“Falenderoj qytetarët për bashkëpunimin sepse puna jonë kërkon pak mirëkuptim, si dhe i ftoj ata që në vendet që kemi riparuar, risistemuar, ku kemi bërë investime dhe që janë hapësira publike, t’i mirëmbajmë ato, të lirojmë trotuaret dhe vendkalimet. Unë besoj se duhet të gjejmë një rrugë të mesme, ku edhe të mund të shitet, edhe mund të bëhet biznes, por sigurisht, të ketë mjaftueshëm hapësirë edhe për qytetarët që të kalojnë. Vetëm kur respektojmë njëri-tjetrin fitojmë edhe hapësirën, por fiton edhe biznesi i atyre që merren me aktivitet tregtar në këto zonë”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku i Tiranës falenderoi qytetarët edhe për korrektesën e treguar me pagimin e taksave, ndërsa theksoi se çdo qindarkë e arkës së Bashkisë së Tiranës do të kthehet në investime për qytetin dhe qytetarët.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura