Veliaj: Karta rezidenti, parkim vetëm për banorët në lagje

Oct 5, 2015 | 9:35
SHPËRNDAJE

Problemi i një vendi parkimi në kryeqytet ka marrë rrugën e zgjidhjes. Veç ndërtimit të një rrjeti parkingjesh në shumë zona, Bashkia e Tiranës ka ideuar tashmë kartën e rezidentit nëpërmjet së cilës u garantohet banorëve një vend parkimi në lagje.

Ilustruese
Ilustruese

Modeli i huazuar nga vendet europiane pritet të konkretizohet shumë shpejt edhe në të gjitha njësitë administrative të kryeqytetit. Lajmin e mirë e dha kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj, nga Njësia nr. 5.

“Për herë të parë do të fusim edhe një sistem të ri të menaxhimit të hapësirave publike, si për parkingjet. Qytetarët do të pajisen me kartën e rezidentit dhe vetëm banorët e kësaj lagjeje do të kenë parkingun e tyre të garantuar”, shpjegoi ai.

PROJEKTI
Karta e rezidentit pritet t’u japë fund kartonëve e arkave boshe në vend parkingjet që i zinin dikur më “të fortët” e që deri dje konsideroheshin si të paprekshme.

“Unë kam qenë në këtë zonë edhe gjatë kohës së fushatës, një zonë që ka pasur probleme të vazhdueshme, bllokime rrugësh, zënie të hapësirave. Më vjen mirë që mentaliteti i të fortit nuk ekziston më në Tiranë. Sot i fortë quhet ligji, shteti dhe qytetari”. Burime në Bashkinë e Tiranës sqarojnë se një grup pune, pasi zgjodhën modelin e huazuar nga vende europiane, po konkretizojnë kartën, e cila do të jetë e specifikuar e me elemente sigurie.

Po ashtu, mësohet se banorët nuk do të duhet të paguajnë për vendin e parkimit, ndërsa vetë karta do të ketë kosto minimale për mbajtësit. Ideimit të një karte të tillë Bashkia i ka paraprirë me një tjetër projekt për lehtësimin e çështjes së parkimit të makinës, ndërtimit të një rrjeti parkingjesh në disa zona në kryeqytet.

Përpara dy ditësh, Veliaj inspektoi punimet që janë drejt përfundimit të parkingut të parë në Tiranë që po ndërton Bashkia, atë te sheshi “Italia”, përballë stadiumit “Qemal Stafa”. Kryebashkiaku nuk ka lënë mënjanë as pedaluesit e biçikletave, duke u siguruar se paratë e velura nga ky parkim do të investohen në korsi biçikletash e lulishte për pedaluesit që zgjedhin të mos ndotin ajrin.
BESARTA BASHA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura