Veliaj i dhuron drejtorit të Fondit, Khalifa Al Kuwari, Çelësin e Tiranës

Sep 12, 2020 | 15:00
SHPËRNDAJE

 

Veliaj katariFondi i Zhvillimit të Katarit do të investojë në Tiranë plot 5 milionë dollarë për rindërtimin, me fokus shkollat dhe kopshtet, kontribut i Katarit në Konferencën e Donatorëve në Bruksel. Drejtori i Fondit të Katarit për Zhvillim, Khalifa Al Kuwari, pasi ka firmosur në Kryeministri marrëveshjen e grantit që i hap rrugë këtyre investimeve, zhvilloi një takim zyrtar me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

“Jam sot mirënjohës që janë akorduar 5 milion dollarë për të bërë nga e para shkollën “Lasgush Poradeci” në Kombinat, e cila do të jetë 10 mijë metra katrorë dhe do të akomodojë të gjitha nevojat e Kombinatit; shkolla tjetër, “16 shtatori” në Pezë, është një tjetër shkollë fantastike, ndër të parat që u dëmtua nga tërmeti, si dhe një kopësht në mes të Tiranës, kopshti 42, një tjetër kantier që shoqërohet me legjendat urbane se aty do të ketë ndërtime, do të ketë pallate, por në fakt do të bëjmë kopshtin”, tha Veliaj.

Duke e konsideruar nënshkrimin e marrëveshjes së grantit një lajm jashtëzakonisht të shkëlqyer për Tiranën, kryebashkiaku siguroi se në të tre këto kantiere do të punohet me ritme të shpejta për të mundur që vitin e ardhshëm shkollor fëmijët të zhvillojnë mësim në ambiente tërësisht të reja.

“Viti tjetër shkollor i gjen fëmijët në kopshtin dhe çerdhen e re. Në shkollat e reja do të akomodohen më shumë nxënës seç kemi pasur historikisht. Duke qenë se Kombinati do të zgjerohet edhe me lagjen e re, për ne është kyç që t’i bëjmë gjërat, jo vetëm më të forta dhe më të mira, por edhe me një hapësirë shumë herë më të madhe sesa ajo që kemi pasur më përpara”, tha ai.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës i dhuroi Çelësin e Tiranës drejtorit të Fondit të Katarit për Zhvillim,  Khalifa Al Kuwari.

Dy vite më parë, ambasada e Katarit dhuroi 1.35 milionë dollarë për rikonstruksionin e shkollës 9-vjeçare “Jeronim De Rada”, e cila ka përfunduar dhe është gati të presë ditën e hënë nxënësit në mjedise tërësisht të reja. Kryebashkiaku Veliaj falenderoi për këtë investim ambasadorin e Katarit në Shqipëri, Ali bin Hamad Al-Marri.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura