Veliaj: Hetim të gjitha lejeve të ndërtimit në Tiranë

Jun 26, 2015 | 13:28
SHPËRNDAJE

Kryetari i ri i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, do të nisë menjëherë punën me prioritet uljen e ndotjes së qytetit, përmirësimin e transportit publik dhe përmirësimin e punës së administratës. I ftuar në “Top Story” me gazetarin Sokol Balla, Veliaj foli për ndërhyrje të menjëhershme.

Erion Veliaj

“Tirana është qyteti më i ndotur në Shqipëri dhe rajon. Me gjasa do të kemi edhe një mobilizim të ushtrisë për këtë. Jemi në emergjencë civile sa i takon pastrimit. E dyta është transporti publik, i cili duhet adresuar menjëherë. Jemi në periudhën kur kanë përfunduar kontratat, ndërkohë që bashkia i rilidh duke vazhduar me ndarjen e vjetër. Sfida e tretë, na duhet që në një kohë rekord, të integrojmë në një administratë të përbashkët, pra ndërmarrje të përbashkët, shumë shërbime që deri dje ofroheshin në mënyrë të fragmentarizuar”, deklaroi Veliaj.

Kreu i ri i Bashkisë së Tiranës foli për një audit që ai do të bëjë për të verifikuar të gjitha lejet e ndërtimit me probleme të dhëna në këto kohë, ndërsa tha se do të bllokohet ndërtimi në Digën e Liqenit dhe ai i nisur para pak ditësh me shembjen e një shtëpie që ishte pjesë e inventarit të monumenteve të kulturës.

“Do të ketë një kontroll të lejeve të kontestuara. Nuk kishte asgjë të paqartë në polemikën me Ministrinë e Kulturës. Instituti ishte pyetur para disa muajsh dhe në atë moment nuk ishte monument kulture, por u bë i tillë kur u ribë harta. Ata kishin përdorur një shkresë të vjetër të parinovuar. U shfrytëzua një letër e vjetër për të siguruar një leje. Këto leje nuk do të vazhdojnë më. Auditi që do të bëjmë do të tregojë që kemi anomali në të gjitha këto leje. Do hetohen të gjitha lejet dhe për herë të parë Bashkia do jetë palë me qeverinë për të bllokuar këto leje. Nuk lidhet reputacioni i bashkisë me një bashki që vetëm jep leje ndërtimi. Gropat janë hapur, por ashtu siç hapen edhe mbyllen, s’është problem. Sot leja e digës është pezulluar, jo vetëm punimet, ndërsa te pjesa tjetër duket që leja është dhënë mbi një dokument të rremë”, u shpreh ai.

Kreu i ri i Bashkisë tha se gjatë muajve të verës do punojë për ndërtimin e një administrate të re të bashkisë, e cila do të përfshijë dhe parti të koalicionit.

“Administrata e Bashkisë do të ketë 3 ose 4 nënkryetarë bashkie dhe 24 administratorë që do të caktohen për 24 njësitë e reja të Tiranës. Kemi fituar si koalicion dhe do të qeverisim si koalicion, të paktën në pozicionet politike”, tha ai. Kryetari i ri i Bashkisë së Tiranës i qëndron mendimit se fillimisht duhet bërë një audit financiar në këtë bashki.

“Do të kemi borxhe të padeklaruara, kontrata që janë lidhur me 10 për qind të shumës, ku 90 për qind duhet ta paguajë bashkia në të ardhmen, që besoj se do të kemi shumë. Një audit i mirëfilltë do ta tregojë këtë. Auditi do të bëjë një transparencë për buxhetin. Do të bëjmë një audit për të parë se ku janë shkeljet dhe ku është gabuar”, deklaroi Veliaj. Ai u ndal edhe te projekti i Unazës së vogël dhe i sheshit “Skënderbej”. “Do të zgjidhim njëherë problemin e Unazës së vogël, pastaj do të punojmë me sheshin qendror. Sheshi kryesor i Tiranës nuk mund të rrijë ajo govata që kemi në qendër. Kemi planifikuar disa nënkalime dhe kemi një grup inxhinierësh që ka bërë propozime për një numër të caktuar vendesh, por duhet të marrim një vendim”, u shpreh Veliaj. 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura