Vdis pa të të dua

Oct 18, 2018 | 12:20
SHPËRNDAJE

LEONIDHA MËRTIRI/ leonidha-mertiri-150x150Këto ditë u përcoll për në banesën e fundit poeti ynë i madh, Fatos Arapi. Vitet e fundit- i mbyllur mes katër mureve të shtëpisë. Dhe iku… ashtu pa u ndjerë, pa kurrfarë zhurme, sikur të mos kish qenë ai, poeti i madh i kombit shqiptar. Asnjë ceremoni për të, vetëm njerëz të familjes a ndonjë shok që mësoi për ikjen e tij, përbënte kortezhin e përcjelljes për në banesën e fundit.

Ndoshta ka qenë kjo dhe një dëshirë e Fatos Arapit. Sepse, me kohë, askush nuk u kujtua për të. Por lotët e poetit tonë të shquar, mikut tonë të dashur, Xhevahir Spahiu, teksa papritur përballet me afishen që lajmëron vdekjen e mikut të tij, botuar kjo pamje në media, flasin më shumë se mijëra fjalë dhe zëri ynë nuk zvarget, por bëhet ulërimë, që çan muret e Ministrisë së Kulturës apo të Kryeministrisë: O njerëz, ç’bëni kështu? Si mund të lini pas dore këtë thesar të kombit tonë e të mos kujtoheni një herë të vetme për të apo dhe të tjerë njerëz të nderuar, që kanë sakrifikuar gjithçka për kombin, për Atdheun e tyre dhe kanë ikur nga kjo jetë, të harruar, të varfër e në vetmi të madhe!

Por ajo që të vret më shumë për këto raste janë lotët e krokodilit, veshur me një hipokrizi që kutërbon veç erë të keqe, të disa palo qeveritarëve e drejtues të institucioneve të ndryshme, që u ka zënë sytë padija dhe korrupsioni. “Respektimi” pas vdekjes-mbuluar i tëri me një aureolë të gënjeshtërt, të përlotur në homazhe, i hedhur nëpër media apo në “Facebook”, shoqëruar herë-herë edhe me ndonjë dhënie titulli. Tablo false që shiten jo rrallë, por që tronditin shumë shpirtin e njerëzve të ndershëm dhe e zjarrmojnë ndjeshmërinë. Pamoralshmëria bëhet kështu sunduese përkundrejt kontributit të vyer të njerëzve të zotë e idealistë të admirueshëm, modestisë së tyre të jashtëzakonshme, duke kërkuar t’i fyejë dhe më tej këta të fundit. Nga anët e mia, këtë qëndrim dyfaqësh, e ironizojnë me shprehjen kuptim plote: Vdis, pa të të dua. Por hipokrizia mbetet hipokrizi, sido që të shfaqet ajo.

Pak kohë më parë, një kolegu im, shok dhe mik i afërt me të ndjerin Luan Hajdaraga, me të drejtë shprehte dhembjen e thellë për humbjen e tij. Dhe, siç thekson ai, qeverisja e sotme nuk diti të përfitojë nga mençuria e Hajdaragës. Por kjo nuk ishte thjesht padije. “Nuk diti”,- do të ishte shumë pak për qeverinë aktuale. Duhet thënë hapur: Nuk deshi! Sepse, realisht, ajo ka nevojë për njerëz me përvojë të njohur në fusha të ndryshme. Dhe, si në rastin që sapo përmendëm, ai aty ishte, si gjithnjë- aktiv, por i pabujshëm dhe me shtyllë kurrizore. Por këtyre, sikurse kemi parë deri më sot, në të vërtetë, njerëzit në qeverisje u tremben. Dhe pse? Sepse ata nuk mund t’u bëjnë fresk shefave të mëdhenj, kushdo qofshin; të bardhës i thonë të bardhë dhe të zezëstë zezë. E konceptuar ndryshe nga njerëzit e veshur me pushtet, ky do të ishte një “telash” i madh që do t’i hapnin vetes. Ndryshe, nuk ka si shpjegohet që kurrkush nga ministrat apo dhe vetë Kryeministri nuk afrojnë së paku këshilltarë të tyre figura të shquara në fushën e ekonomisë, kulturës, shëndetësisë e tjera, për të cilët as që u bie ndërmend. Këta specialistë të shkëlqyer, njerëz të respektuar, harrohen plotësisht, sikurse po ndodh. Dhe, çuditërisht, kurrkush nuk flet, sidomos brenda forumeve të partisë në pushtet apo dhe gjetkë, të ngrejë zërin për këto figura të nderuara, sepse më shumë nga çdo gjë, u druhen lëkundjeve të karriges së tyre. Atëherë, çfarë pritet? Të flasin vetëm pas vdekjes? E rëndë, por për fat të keq, një realitet që e prekim të gjithë.

Le të shkojmë dhe më tutje, sërish me bashkëkombësit. Rreth tre muaj më parë u nda nga jeta Adem Demaçi, Mandela i Ballkanit, njeriu që luftoi veç për Kosovën. Një jetë e tërë për çështjen kombëtare dhe që nuk mundën ta thyejnë njëzet e tetë vitet në qelitë e burgjeve serbe, përndjekjet që s’iu ndalën. Kurdoherë simbol i pashembullt qëndrese, mosnënshtrimi. Por çuditërisht, ata që erdhën në krye të Kosovës e privuan atë nga e drejta legjitime për të përfaqësuar popullin e vet në instancat më të larta, madje, as në Kuvendin e Kosovës. Jeta e tij heroike, papajtueshmëria me çdo qëndrim sa qe gjallë, që binte në kundërshtim me interesat e popullit, duket i frikësonte, ndaj dhe nuk u interesonte këtyre pushtetarëve. Duhej të largohej nga kjo jetë, që sot të flisnin për të. Por përse? Vetëm e vetëm për interesat e veta, dhe që para njerëzve, të cilët e deshën me shpirt Bacën, heroin e pavdekshëm, këta pushtetarë të mbulojnë hipokrizinë e deritanishme. Dhe më tej. Sepse jeta dhe vepra e Adem Demaçit nuk mund të sfumohet në asnjë kohë. Shqiptarët e dinë mirë këtë, ndaj dhe askush nuk mund t’i mbajë larg idealeve të tij

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura