“Vdes siç vdes një vend” çel sezonin në Teatrin Kombëtar/ Çfarë është“Mesjeta e Mitrës” e shqiptarizuar

Sep 28, 2017 | 10:19
SHPËRNDAJE

Vepra “Vdes vdes një vend”, e autorit grek Dimitris Dimitriadis, ka çelur në pasditen e së enjtes, për të vijuar deri sot në mbrëmje, sezonin artistik në Teatrin Kombëtar. Vepra e përkthyer nga Helana Zhako, me regji të Rozi Kostanit dhe aktorë kryesorë Alfred Trebickën e Rozi Kostanin, e cila do të mbajë dy role njëkohësisht, atë të regjisores dhe aktores, duke ndjekur në këtë mënyrë shembullin e disa prej artistëve më të njohur nga eksperienca e teatrit dhe kinematografisë ndërkombëtare, që kanë mbajtur peshën e regjisë dhe aktrimit të një vepre.

Realizimi i këtij projekti u mbështet nga Bashkia e Tiranës. Vepra në fjalë është botuar në shqip nga shtëpia botuese “Zenit”, në përkthim të Eleana Zhakos, e cila kishte dhe iniciativën e sjelljes së kësaj vepre në skenën e teatrit shqiptar. Siç thotë vetë përkthyesja për veprën, Dimitriadis është një nga prozatorët e poetët më të mirë të kohës. “Vdes siç vdes një vend” është vepra që e kurorëzoi Dimitris Dimitriadis si një nga autorët më të spikatur të letërsisë dhe teatrit bashkëkohor europian.screenshot--2017-09-26-15-24-43-500

Krahas veprës së tij teatrale, Dimitriadis shquhet si poet, prozator, eseist dhe konsiderohet si përkthyesi më i mirë i autorëve të tillë si Maurice Blanchot, Georges Bataille, Jean Genet, Jean Paul Sartre, Marguerite Duras, Samuel Beckett, etj.

E pavarësisht jehonës së emrit të autorit e veprës së tij, “Vdes siç vdes një vend” nuk është nga ato vepra që mund ta shohësh në teatër duke parë ekranin e celularit. As vëmendja e madhe nuk të ndihmon që ta përvetë- sosh pjesën aq lehtësisht, ndoshta prandaj është konceptuar të realizohet brenda një minutazhi të caktuar, në 45 minuta, për të mos zgjatur njëfarë rëndese që krijohej hera-herës në errësirën e sallës dhe atë të skenës.

RRËFIMI TRONDITËS I NJË GRUAJE REAL-IMAGJINARE

“Vdes siç vdes një vend” është psikanaliza letrare e një vendi që dekompozohet ngadalë, rrëfimi tronditës i një gruaje real-imagjinare, që shikon me tmerr se si trupi i saj merr përmasat e vendit të saj të kalbëzuar dhe si përthahet çdo burim nga rrjedhin lëngjet e saj jetësore.

Rrëfimi ka formën e një kronike postmoderne, ku me një vërtetësi rrëqethëse dhe në mënyrë fantazmagorike përshkruhet Vendi i Hybris, demonit të dhunës dhe intolerancës, i fanatizmit ideologjik dhe fetar, i mendësisë mesjetare, korruptive, ksenofobike, nacionaliste, i shterpësisë krijuese dhe shpirtërore.

Ndonëse në tekst nuk përcaktohet koha, vendi dhe hapësira gjeografike, aludimi rreth periudhës së luftës civile greke, asaj të diktaturës së kolonelëve, si dhe jehona e ngjarjeve te majit ’68 në Francë lidhet me botimin e parë të librit në vitin 1978, ku kujtimet dhe plagët e historisë gjallonin ende si fantazma të pakallura. Sjellja e veprës në shqip synon të eksperimentojë me një terren të njohur për lexuesin shqiptar.

“Vdes siç vdes një vend” është dhe parabola shqiptare e një vendi ku shtetrrethimi i gjatë komunist dhe ngjarjet e ’97-s nuk i përkasin një filmi bardhezi të së kaluarës, por vazhdojnë të kërkojnë një autor për t’u ngjitur në skenën e “teatrit të maskave”. Ajo që Dimitriadis përshkruan si “Mesjeta e Mitrës”, në kontekstin shqiptar mund të përshkruhet si “Mesjeta shqiptare”: bunkerizimi i truve të njerëzve, karrige elektrike që varen në ajër mbi kokat e njerëzve, që kanë vetëm dy emra “miq” dhe “armiq të popullit”, tufëzimi i njerëzve në kooperativa financiare piramidale, çetëzimi i njerëzve sipas parullës “vetë zot, vetë shkop”, kallashnikovizimi i tyre deri në dhëmbë, politikanë të krimbur në para, kanonizim i fjalës “plumb qorr”, jetë për dhjam qeni, “Shqipëria e kontradiktës, e luftës, e errësirës, mashtrimit, ahengut dhe biznesit”.

Njeriu-vend i Dimitriadis zbret në Hadin e skutave më të errëta të psikikës njerëzore dhe na sjell një rrëfim nga ferri i të gjallëve. Nëse për Sartrin “Ferri janë të tjerët”, për Dimitriadis edhe “Parajsa janë të tjerët”. Nëse një vend është pre e grykësisë së politikanëve të saj makbethianë, nëse flijon trupat e arsyes, vetënjohjes, lirisë, artin e të jetuarit, të të krijuarit, të njohjes dhe pranimit të tjetrit për të ndërtuar kështjella paranojake, ai është i destinuar “të jetojë nën dritën e një ylli të vdekur”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura